Marrëveshja detare me Greqinë, Krisafi: Kujdes në disa pika

TIRANË- Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Ksenofor Krisafi rekomandon disa pika që grupi negociator shqiptar duhet të ketë parasysh në momentin që do të rinegociojë marrëveshjen e detiti me Greqinë. Sipas tij nuk duhen ripërsëritur gabimet që u vërejtën në marrëveshjen e parë që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. 

“Duhet bërë kujdes për disa gjëra. Së pari duhet patur parasysh që marrëveshja e nënshkruar në prillin e vitit 2009 nuk ekziston më. Është një gjë që nuk ka asnjë vlerë juridike dhe negociatat nuk mund të fillojnë mbi bazën e asaj marrëveshjeje me mendimin se mund të bëhen disa arnime. Duhet që negociatat të zhvillohen nga një ekip tjetër negociator. Do të ishte mirë që kësaj here qeveria dhe politika të mundohen t’i qëndrojnë larg procesit të negociatave. Negociatat nuk duhet të rifillojnë pa restauruar situatën juridike-ligjore të mëparshme”,- theksoi profesor Krisafi. 

Sipas profesor Krisafit gjatë negocimit të marrëveshjes së re, Shqipëria duhet t’i kërkojë Greqisë që të respektojë Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare. Duke komentuar marrëveshjen e vitit 2009 ai shpjegon se ishte në dëm të vendit tonë, pasi cënonte territorin shqiptar me 354.4 km 2. Këto deklarata u bënë gjatë një takimi të organizuar nga Akademia e Shkencave ‘Mbi realitetet dhe sfidat e shoqërisë së sotme shqiptare’./balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button