Thaçi – Beogradit: S’do preket asnjë cm i territorit të Kosovës

Hashim Thaçi ka thirrur sot në një takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, zëvendës shefin e EULEX-it, Andy Sparks, përfaqësuesin special të BE-së, njëkohësisht shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, si dhe zëvendës ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Michael Marfy,  me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Në këtë takim kryeministri Thaçi i është drejtuar me një mesazh qeverisë së Serbisë se nuk do të preket asnjë centimetër i territorit të Kosovës dhe integriteti i vendit të tij do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore./lajmeshqip

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, bëhet e ditur se Thaçi ka theksuar se për të arritur këto objektiva nevojitet rritje e koordinimit dhe e vendosmërisë së mekanizmave ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë. Të gjithë të pranishmit në takim dënuan ashpër aktin terrorist të ndodhur javën e kaluar në Mitrovicë, në të cilin humbi jetën qytetari i Kosovës Selver Haradinaj.

Po ashtu, u ra dakord për angazhimin e koordinuar që në veri të Kosovës të vendoset rendi dhe ligji dhe në këtë mënyrë të hapet perspektiva e zhvillimit ekonomik dhe e funksionimit demokratik të institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se aksionet e policisë kosovare në veri, do të paraqisnin `aventurë të rrezikshme`, e cila sipas tij, mund të nxiste pastaj reagim të dhunshëm. Sipas një burim afër EULEX, mediat serbe kanë thënë se kanë informacione për një plan ndërhyrjeje të ROSU të tipit “Stuhia” në Kroaci.

Zv-kryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se këto veprime do të jenë të detyrueshme për ta vënë në zbatim rendin dhe ligjin në atë pjesë. Ai ka deklaruar se vonesat në ndërhyrje kanë qenë për të dalluar qytetarët nga kriminelët. Aksioni do të jetë i detyrueshëm dhe jo i dëshirueshëm për qeverinë e Kosovës, ka thënë Kuçi./lajmeshqip

Lajme të ngjashme

Back to top button