Të rinjtë në Mitrovicë protestojnë kundër EULEX-it

Studentë dhe nxënës anëtarë të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) të Mitrovicës në bashkëpunim me Lëvizjen “Koha”, kanë protestuar të premten për gjysmë ore para selisë së EULEX-it në Mitrovicë, në shenjë pakënaqësie me punën e këtij misioni.

Ata duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimet, “EULEX do your job or go home”, “Turp po i përkëdhelni kriminelët në veri” dhe “Are you kiding with us”, kanë shprehur revoltën e të rinjve mitrovicas ndaj EULEX-it dhe sjelljeve të këtij misioni në raport me kriminelët serbë në veri.

Musa Damati, kryetar i KVRL-së në Mitrovicë, ka thënë se EULEX-i me sjellje të njëanshme është duke provokuar haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës, njofton KosovaPress.

“Me anë të organizimit të kësaj proteste të rinjtë e qytetit të Mitrovicës shprehin indinjatën e tyre me sjelljet qyqare të misionit të EULEX-it në raport me kriminelët serbë në veriun e Mitrovicës dhe derisa në veriun e Mitrovicës na i arrestojnë dhe vrasin policët tanë, i rrahin dhe vrasin bashkëqytetarët tanë, misioni i EULEX-it njësitet e veta i aktivizon vetëm atëherë kur është e nevojshme arrestimi dhe burgosja e ish ushtarëve të UÇK-së. Me këtë sjellje të njëanshme, misioni i EULEX-it po provokon haptazi durimin dhe maturinë e qytetarëve të Mitrovicës. Në qoftë se EULEX-i vazhdon me u sjellë në këtë formë të njëanshme, atëherë të rinjtë e qytetit të Mitrovicës do të organizohen në mënyrë masovike dhe do të radikalizojnë format e ushtrimit të presionit publik mbi këtë mision”, ka thënë Damati.

Sipas tij, numri simbolik i të rinjve sot në protestë ka qenë për shkak të gjendjes specifike dhe rrethanave të krijuara së fundi në Mitrovicë, dhe numri më i madh i protestuesve do të mund të destabilizonte situatën edhe ashtu të tensionuar në këtë qytet.

Ai ka theksuar se Mitrovica dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për spektatorë, por një mision dhe organ i cili ndikon në parandalimin dhe jo tolerimin e akteve kriminale e terroriste në veri.
Ndërkaq, Ferdi Kadriu, kryetar i Lëvizjes “Koha” në Mitrovicë, ka përsëritur arsyen pse kjo protestë është organizuar me numër simbolik të të rinjve, duke ripërsëritur edhe ky se kjo nuk nënkupton që në të ardhmen në aktivitetet tjera numri i protestuesve do të jetë i kufizuar. Ai ka shprehur indinjatën e tij për qëndrimet e EULEX-it ndaj veriut të Mitrovicës.

“Për EULEX-in si duket është shumë e vështirë të arrestojnë kriminelë dhe bandat e tyre terroriste që operojnë në veri, të cilat janë duke kryer spastrim etnik”, ka thënë mes tjerash Kadriu./info-kosova

Lajme të ngjashme

Back to top button