‘Shën Qirili dhe Metodi’ në një garë rangohet mes 16 universiteteve më të mira

Universiteti më i madh në vend ‘Shën Qirili dhe Metodi’ ka arritur të hyjë në finale dhe të rangohet në 16 universitetet më të mira në një garë ndërkombëtare në sferën e arbitrazhit tregtar që realizohet përmes rasteve të simuluara.

Ky është viti i katërt që ky universitet merr pjesë në këto gara dhe gjithmonë pjesëmarrësit janë ballafaquar me mungesë te materialeve, librave të komentatorëve botërorë, mungesë të financave, të eksperiencës, e kështu me rradhë.

Por këtë vit rrethanat ishin në favor të pjesëmarrësve të Fakultetit Juridik, pasi që gjatë viteve të kaluara ata kishin mundësi të marrin informata nga pjesëmarrësit e shteteve tjera, gjegjësisht, të mbikëqyrin të gjitha rrethanat që u ndihmojnë garuesve të përparojnë në finale, si dhe të mësojnë finesat e Konventave që aplikohen në këto simulime, informata këto që i përdorën në favor të tyre gjatë garave të këtij viti.

Ndër pjesëmarrësit në këtë garë ishte edhe Majlinda Ajdari, juriste, e cila, si rezultat i aktivitetit të saj dhe suksesit që tregoi gjatë dy viteve të kaluara, këtë vit ajo mori pjesë si trajnuese. 
Së bashku me Tatjana Shterjova kanë punuar dhe udhëhequr në mënyrë direkte me ekipin e studentëve duke përgatitur strategjitë, argumentet, dhe prezantimet e garuesve.

‘Këto suksese ishin impresionuese meqë rrjedhnin direkt nga mundi i investuar për  4 vite me rradhë dhe personalisht për mua ishte një kënaqësi shumë e madhe, meqë strategjitë që unë dhe Tatjana Shterjova kishim përgatitur, gjithmonë me mbikqyrjen e profesorëve, e që studentët i prezantuan me shumë sukses, u ranguan aq lartë’ thotë për Portalb, Majlinda Ajdari.

Ky është një sukses shumë i madh për universitetin ‘Shën Qirili dhe Metodi’ duke marrë parasysh se garohet me universitete si Harvard, Duke, Pittsburg, Queen Marry e qindra universitete tjera që kanë traditë e janë nga të parët në këtë sferë.

Gjithashtu, kjo fitore për këtë universitet rangon Maqedoninë në vendin e parë nga shtetet Ballkanike./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button