Klubi letrar “Metafora” e përkujtoi Lasgush Poradecin

 

Klubi letrar “Metafora”, i cili vepron në kuadër të Shoqatës për kulturë “Tradita”, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, përmes edicionit të pestë “Tetova feston nëntorin”, më 12 nëntor 2017, në Klubin e artistëve ”Oda”, në Tetovë, e organizuan Akademinë përkujtimore kushtuar gjeniut të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit. Në këtë ngjarje, në 30 – vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, morën pjesë intelektualë, profesorë universitetesh, studiues, studentë, veprimtarë të arsimit, të shkencës dhe të kulturës, nga qyteti i Tetovës dhe më gjerë.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve në këtë akademi, kryetari i Shoqatës për kulturë “Tradita”, Selam Sulejmani, theksoi se ne shqiptarët kemi personalitete të shquara, figura historike e letrare që kanë bërë historinë tonë dhe për këtë, më së miri flasin veprat e tyre me vlera të përjetshme, për çka ne u jemi mirënjohës dhe ndjehemi krenarë.

“Nëntorin historik, apo muajin e Kongresit të Alfabetit, të Flamurit tonë kombëtar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, poetët dhe atdhetarët tanë e kanë evokuar me admirim të thellë. Në poezinë e frymëzuar nga këto ngjarje historike, gërshetohet ndjenja e qëndresës, e krenarisë dhe e heroizmit kombëtar. Siç vërehet kjo edhe në vjershën “Flamuri” të Mihail Gramenos, në vjershën e Filip Shirokës “Në ditën e lirisë” dhe në vjershat tjera, si: “Bjenë telat”, “Ç’u mbush mali”, të rilindësit të fundit të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradeci. Atmosferës madhështore festive, jehonës së papërshkruar e gëzimit të kombit, Lasgush Poradeci i jep shpirt artistik me përmasa impresive, duke i kënduar asaj në frymën e rapsodive popullore burimore, duke strukturuar edhe elemente figurative dhe vizione të reja poetike. Sa herë që e përkujtojmë Lasgushin, sigurisht që na kujtohet ligjërimi i tij poetik për liri, për mbrojtjen e kombit, dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimin për një përparim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë”, tha Selam Sulejmani.

Akademinë përkujtimore e përshëndeti edhe profesor Jeton Pustina, drejtor artistik i edicionit V “Tetova feston Nëntorin” 2017. Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe veprimtarinë e përgjithshme që e zhvillon Shoqata për kulturë “Tradita” dhe Klubi letrar “Metafora”.

Sipas saj, edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste, por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka.

Akademia përkujtimore u përmbyll me orën letrare, me leximin e poezive të Lasgush Poradecit, vargjeve të poetëve tanë dhe me një program të pasur kulturor – artistik. Poetët dhe shkrimtarët nga Tetova dhe më gjerë, studentët e letërsisë dhe të Programit studimor të Artit muzikor të UT-së, si: Salajdin Salihu, Vjollcë Berisha, Shaip Emërllahu, Ejup Ajdini, Nadire Ismaili – Saliu, Kaltrinë Sadiki, Kasam Shaqirvela, Berat Mamuti, Zelma Kopçiu, Ekrem Ajruli, Daim Iljazi, Erza Shefiti, Teuta Emini, Trim Antoni, Vullnet Neziri dhe Arbër Tahiri, para publikut tetovar, i sollën tingujt e muzikës shqiptare dhe interpretuan vargjet e Lasgushit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button