Pas Shqipërisë, së shpejti me letërnjoftime edhe në Kosovë

Pas marrëveshjes për lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve me karta identiteti, që qeveria e Maqedonisë e nënshkroi me qeverinë e Shqipërisë, së shpejti një gjë e tillë do të arrihet edhe me qeverinë e Kosovës.

Dy qeveritë përmes ministrive përkatëse të punëve të brendshme kanë nënshkruar marrëveshjet që i hapin rrugë një iniciative të tillë, ndërsa ajo që ka prolonguar nënshkrimin e marrëveshjes janë çështjet teknike nga pala kosovare.

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha për Portalb konfirmon se në vazhdën e forcimit të marrëdhënieve të shkëlqyera me Republikën e Kosovës, një marrëveshje e tillë do të arrihet menjëherë kur pala kosovare do të jetë e gatshme, respektivisht kur të përfundoj me procedurat përgatitore.

‘Bashkëpunimi rajonal dhe liberalizimi i lëvizjes së lirë të rajonit mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe në këtë drejtim me disa vende të rajonit përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshje për kalim të lirë të kufirit, respektivisht kalim vetëm me kartë biometrike identiteti dhe e njëjta ka hyrë në fuqi, në frymën e bashkëpunimit të mirë Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka vullnet dhe është e gatshme  që një marrëveshje të tillë ta nënshkruaj edhe me Republikën e Kosovës’ deklaroi Hoxha.

‘Dy ministritë përkatëse, deri më tani kanë nënshkruar disa marrëveshje  që ia hapin rrugën  nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizje të lirë, por mbetet që pala kosovare të përfundojë  me procesin e pajisjes së qytetarëve të saj me letërnjoftime biometrike, dhe pas kësaj respektivisht ne momentin kur Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë e gatshme neve do ta nënshkruajmë marrëveshjen për lëvizje të lire të qytetarëve të dy vendeve dhe e njëjta do të hyjë në fuqi’ përfundoi Muhamed Hoxha, zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Skënder Durmishi  shpreh kënaqësinë që autoritetet e Maqedonisë tashmë kanë deklaruar gatishmërinë për të aplikuar regjim të kalimit me letërnjoftime edhe me Kosovën.

‘Kuptohet ne jemi të interesuar dhe ky do te jetë një veprim i duhur, por paraprakisht duhet të sigurohen kushte të caktuara. Ne në Kosovë jemi ne fazën përgatitore që nënkupton procedurë dhe  akte ligjore për sigurimin e dokumenteve biometrike,  gjithashtu edhe përgatitje teknike të shtypjes dhe pajisjes së pjesës më të madhe të qytetarëve me letërnjoftime biometrike‘ deklaroi Durmishi.

‘Ky proces  kërkon disa muaj dhe në këtë moment nuk mund të them me saktësi se kur do të kompletohen këto procedura, por mund të them se është në proces  dhe do ta kompletojmë sa më shpejtë  që të jetë e mundur, natyrisht duke respektuar kriteret dhe procedurat’ tha për Portalb ambasadori i Kosovës në vend, Skënder Durmishi.

Ndryshe që nga 6 Prilli është duke u zbatuar marrëveshja Shqipëri-Maqedoni për lëvizjen e ndërsjelltë të qytetarëve me karta identiteti, e cila u nënshkrua më 1 dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë mes zëvendëskryeministrit dhe ministrit te Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Poposki.

Marrëveshja me Shqipërinë ishte  propozim i qeverisë shqiptare, e cila ishte e nxitur nga përvoja pozitive me Republikën e Kosovës,  një e tillë zbatohet edhe me Malin e Zi. 

Maqedonia marrëveshje të tillë ka arritur edhe me Serbinë dhe Malin e Zi.

Nënshkrimi i një marrëveshjeje me Kosovën do të thotë që shqiptarët nga katër shtet Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Serbia do të lëvizin lirshëm si asnjëherë më parë, vetëm me një kartë biometrike identiteti.

Përveç kësaj, Maqedonia dhe Kosova kanë edhe disa projekte që presin të realizohen, siç janë hapja e vendkalimit të ri kufitar Bellanoc-Stançiç,  zgjërimin e rrugës Prishtinë-Shkup, nga dy anët  dhe modernizimi i dy vendkalimeve kufitare Bllacë dhe Jazhincë.

/Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button