fbpx

АNALIZË: Çka tregoi revizioni – si janë harxhuar paratë në DHP

Shpenzim jo për qëllimet e parapara i parave që janë mbledhur nga tatimet e papaguara që janë zbuluar, vetëm për një të punësuar është paguar trajnim prej 10.500 еuro, e ai pastaj është larguar nga DHP-ja, vendime për zgjedhjen e ofruesit më të mirë gjatë furnizimeve publike brenda afateve që nuk janë përcaktuar me ligj. Këto janë një pjesë e konstatimeve që i publikoi revizori shtetëror për punën e Drejtorisë për të hyra publike në vitin 2016, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

“Me revizionin e kryer të raporteve financiare të DHP-së, revizori shtetëror shpreh mendim me rezervë për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe për harmonizimin me rregullativën ligjore” – thuhet në raportin e ri të publikuar të revizionit.

Si janë harxhuar paratë në DHP…

Me paratë e dedikuara për modernizimin dhe për blerjen e pajisjeve për administratën tatimore, janë paguar llogaritë për shërbime komunale. Kjo është njëra nga vërejtjet e para më serioze, e poashtu janë konstatuar edhe parregullsi që janë në kundërshtim me ligjin, të cilat janë theksuar në raportin e ri të publikuar të revizionit për punën e Drejtorisë për të hyra publike.

“Janë bërë pagesa si rezultat i obligimeve të marra për faturat për shërbime komunale, për ngrohje, për komunikim dhe transport, në vlerë prej 2,6 milionë eurosh, që paraqet 64% të shpenzimeve të përgjithshme për vitin 2016. Gjendja e këtillë nuk është në përputhje me nenin 5 të Ligjit për Drejtorinë për të hyra publike, sipas të cilit mjetet e realizuara nga tatimet e zbuluara dhe të papaguara, si dhe ato nga kamatat e arkëtuara për tatimet që nuk janë paguar në kohë, duhet të shfrytëzohen për modernizimin, avancimin dhe blerjen e pajisjeve për punën e DHP-së, si dhe për stimulimin e punës së të punësuarve” – thuhet në raportin e revizionit.

Deri në fund të dhjetorit të vitit 2016, DHP-ja ka pasur saldo të obligimeve të paarkëtuara në vlerë prej pothuajse 1,9 milionë eurosh, nga të cilat 65% nuk janë paguar në afatin e lejuar me ligj prej 60 ditësh, edhe pse më 31.12.2016 në llogari ka pasur mjete të pashfrytëzuara prej rreth 2,5 milionë eurosh.

Revizioni konstaton se saldoja e obligimeve të evidentuara më datë 31.05.2017 është zvogëluar dhe kap vlerën prej 318.455 еurosh. Revizori shtetëror rekomandon ndërmarrjen e masave për shfrytëzimin e mjeteve të realizuara nga tatimet e zbuluara dhe të papaguara, si dhe të të hyrave nga kamatat e arkëtuara për tatimet që nuk janë paguar në kohë, për qëllimet adekuate, transmeton Portalb.mk.

Punësime dhe trajnime…

DAPPër trajnimin e të punësuarve në Drejtorinë për të hyra publike, gjatë vitit 2016 janë harxhuar 27.800 еuro, nga të cilat 10.500 еuro janë harxhuar për trajnimin e vetëm një personi.

“I njëjti person në vitin 2017 me marrëveshje është larguar nga DHP-ja” – shkruan në raportin e revizionit.

Edhe përkundër obligimit ligjor për vlerësimin e të punësuarve gjatë vitit 2016, sipas konstatimeve të revizionit kjo nuk është bërë.

“Në bazë të nenit 37 të Ligjit për DHP-në, nëpunësit tatimorë duhet të vlerësohen një herë në vit, më së voni deri në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm për vitin e kaluar. Të punësuarit që kanë status të nëpunësve administrativë detyrimisht duhet të vlerësohen një herë në vit, më së voni deri më 1 dhjetor të vitit aktual. Edhe përkundër obligimit ligjor për vlerësim të të punësuarve, DHP-ja nuk e ka bërë vlerësimin vjetor të punëtorëve për vitin 2016” – thuhet në raportin e revizorit shtetëror.

Furnizimet publike…

Me kontrollimin e mënyrës së realizimit të furnizimeve publike, në bazë të të cilave janë nënshkruar kontratat në vitin 2016, janë përfshirë 83% e vlerës së përgjithshme të kontratave të nënshkruara, gjegjësisht prej 807.000 еurove janë përfshirë 674.000 еuro.

“Vendimet për zgjedhjen e ofruesit më të mirë në pesë nga procedurat e realizuara për furnizime publike nuk janë marrë në afatin e përcaktuar me ligj” – thuhet në mes tjerash në raportin e revizionit. Në disa furnizime të caktuara publike është konstatuar se është bërë evaluim i ofertave në bazë të kriterit që nuk ka qenë i paraparë, pastaj janë konstatuar disa paqartësi në dokumentacionin e tenderit në lidhje me furnizimin e internetit simetrik.

DHP-ja i bën thirrje personit përgjegjës që të ndërmarrë masa për respektimin konsekuent të dispozitave të Ligjit për furnizime publike.

Prona dhe evidenca

Në raportin financiar të DHP-së për vitin 2016 është evidentuar pronë në vlerë prej 2,2 milionë eurosh. Revizori thekson:

“DHP-ja nuk disponon me fletëpronësi për objektin në të cilin është e vendosur drejtoria e përgjithshme e DHP-së. Me vendim të qeverisë, DHP-së i janë dhënë për shfrytëzim të përhershëm objekte ndërtimore në Manastir dhe në Prilep, për të cilat nuk janë ndërmarrë aktivitete për konstatimin dhe vlerësimin e vlerës së objekteve dhe evidentimin e tyre në evidencën e kontabilitetit të DHP-së. Objektet e dhëna janë evidentuar në evidencën materiale të DHP-së. Nuk është bërë sigurimi i objekteve ku është e vendosur DHP-ja për vitin 2016, që nuk është në përputhje me Ligjin për shfrytëzimin dhe disponimin me gjërat që janë në pronësi shtetërore” – thekson revizori.

DHP-ja ka angazhuar person të autorizuar – vlerësues, që të bëjë vlerësim të pronës së patundshme në Manastir dhe në Prilep. Revizori ka vërejtje edhe sa i përket pronës së konfiskuar, pδrcjellë Portalb.mk.

“Nuk është krijuar evidencë kontabiliteti për rezervat e pronës së konfiskuar në tërësi”.

Pas vërejtjeve të dorëzuara në DHP në lidhje raportin e revizionit, një pjesë e tyre nuk janë pranuar, për shkak se, siç informon revizori, nuk janë pranuar dëshmi plotësuese që do t’i ndryshonin konstatimet, ndërsa një pjesë e vërejtjeve revizori i konsideron si njoftim për aktivitetet e ndërmarra për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara.

Raportet financiare që i ka analizuar revizori shtetëror e përfshijnë mandatin e tre drejtorëve të DHP-së, Kiril Minovski, Petar Esmerov dhe Anastasija Ilieska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button