BE e SHBA i japin dy muaj afat Kosovës për ratifikimin e demarkacionit

Institucioneve të Kosovës u kanë mbetur më pak se dy muaj që të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nëse synojnë të ecin përpara me procesin e liberalizimit të vizave, transmeton Koha.net.

Ky mesazh, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, u është transmetuar javëve të fundit si nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili qëndroi para pak ditësh në Prishtinë.

Marrë parasysh se në Bruksel pritet që fokusi të orientohet kah zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, vonesat e reja në Prishtinë rreth ratifikimit të Demarkacionit, besohet se do të reflektonin në zvarritje të reja në procesin e liberalizimit të vizave.

Për urgjencën e përmbylljes së çështjes së Demarkacionit ka folur vetë ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila kohë më parë ka qëndruar në Bruksel. Ajo ka pranuar se zyrtarët e BE-së janë të interesuar që kjo çështje të mbyllet pa vonesa të reja.

“Unë, në takimet e mia në Bruksel, patjetër që i kam informuar për zhvillimet e fundit në Qeveri, për përpjekjet dhe iniciativat që i ka ndërmarrë kryeministri në lidhje me formimin e Komisionit të ri për shënjimin e vijës kufitare dhe punën që ai po bën, por edhe përkundër këtij raportimi, prapë është përsëritur që ratifikimi i Demarkacionit mbetet kusht kyç”.

“Një kërkesë ka qenë që të procedohet sa më shpejt, ngase më pastaj fillojnë zgjedhjet në Parlamentin Evropian”, ka thënë ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha, raporton Radio Evropa e Lirë.

Nisma e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që Komisioni i ri shtetëror për shënjimin e kufirit t’i bëjë matjet e reja, për siç thuhet, korrigjimin e versionit aktual të Marrëveshjes me Malin e Zi, nuk po mirëpritet nga Bashkimi Evropian.

Edhe Qeveria e Malit të Zi është deklaruar se demarkacioni i kufirit me Kosovën është çështje e mbyllur.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se Kosova, në mënyrë të njëanshme nuk mund të ndryshojë asgjë në këtë Marrëveshje. Andaj, ai thotë se institucioneve u mbetet që ta ratifikojnë apo anulojnë këtë Marrëveshje.

“Po, nëse duhet të ecet përpara. E kundërta është nëse, eventualisht mbetet në kontekstin e një konflikti të ngrirë, siç i kanë shumë vende deri më tani”, thekson Hoti.

Vonesat e reja me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit do ta komplikonin edhe me shumë gjithë procesin, vlerëson deputeti Ilir Deda nga Alternativa. Ai thotë se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Bashkimi Evropian shumë shpejt hyn në procesin e zgjedhjeve dhe kjo nënkupton se për më pak se dy muaj, Kosova mund ta humbasë hapin.

Deputeti Deda, thotë për Radion Evropa e Lirë se ‘Kosova ka para vetes trenin e fundit për mundësinë e liberalizimit të vizave’.

“Nëse e marrim parasysh që viti 2018 është viti i fundit i mandatit të Komisionit Evropian dhe kësaj përbërje të Parlamentit Evropian, ndërsa më 2019 mbahen zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian, dhe duke e marrë parasysh kontekstin e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, pastaj vështirë se do të ketë vullnet që të procedohet me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thekson Deda.

Sipas tij, kjo nënkupton që Kosova duhet t’i japë epilog çështjes së demarkacionit sa më shpejt, në mënyrë që të futet në agjendën e takimit të ardhshëm të Këshillit të BE-së që mbahet në qershor të vitit 2018.

“Nëse ne e përmbyllim më së largu në janar çështjen e Demarkacionit, pra mund të presim që Këshilli i BE-së të marrë vendim për heqjen e vizave në qershor të vitit të ardhshëm”.

“Shpresoj që menjëherë pas balotazhit, më 19 nëntor, forcat politike në Kuvend të ulen dhe të diskutohet se si të dilet nga qorrsokaku në të cilin jemi sa i përket Demarkacionit”, thekson deputeti Deda.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në Vjenë. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Në Prishtinë, ka pikëpamje të ndryshme rreth kësaj Marrëveshje, e cila më zëshëm është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht partia e kryeministrit aktual të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë të qartë institucioneve të Kosovës se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi mbetet kusht për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button