Lustrimi sërish le hapësirë për keqpërdorime

Ligji i ri për lustrim i cili gjendet në procedurë parlamentare në vete përmban shumë ngjashmëri me atë të kaluarin, dispozitat e të së cilit për të katërtën herë i rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Kjo do të thotë se edhe ky propozim-ligj i deputetëve të VMRO dhe BDI i cenon të drejtat e njeriut, nuk i përfshin agjentët të cilët kanë mbledhur informata si dhe nuk merr parasysh rehabilitimin e viktimave. Janë këto disa nga vërejtjet të cilat u bënë publike në debatin “Çfarë sjell Ligji i ri për lustrim? Çlirim nga regjimi i mëhershëm komunist ose legalizim të revanshizmit politik” në organizim të Institutit Shoqëri e Hapur Maqedoni. 

Profesoresha Frosina Tashevska Remenski tha se në shoqëri si kjo e Maqedonisë ku ka administratë të partizuar dhe institucione jo demokratike ligji për lustrim nuk duhet të ekzistojë sepse nuk gjen zbatim normal.

Ndërkaq  anëtari aktual i Komisionit për lustrim, Çedomir Damjanovski pranoi se poropozim ligji ka shumë mangësi  sërish në të ka dispozita që Gjykata Kushtetuese i ka abroguar më herët.

“Ka mangësi në nenin 4 të propozim-ligjit, në lidhje me kategorinë e re – lidhja mes bashkëpunëtorëve dhe operatorit. Deri më tani kemi verifikuar disa persona të cilët kanë pasur rolin e operatorit. Në qoftë se hyn në fuqi ky ndryshim, atëherë duhet të përsëritet edhe procesi për ata të cilët veç më kanë deklarata të verifikuara. Asnjë nga propozuesit e pranishëm nuk merr pjesë në debat. Është i kontestueshëm ndryshimi i Ligjit në sferën e detyrës së Komisionit që në ueb faqe ta shpall vendimin, sidomos kur vendimi është përfundimtar. Ndërkaq disa çështje juridike, sipas meje, vështirë do të mund t’i zbatojmë ashtu siç kërkon ligji” deklaroi Damjanovski.

“Në qoftë se unë do të isha në vendin e Qeverisë, do të pranoja debat për Ligjin për lustrim. Shembuj të thyerjes së qartë të Kushtetutës kemi pasur edhe më parë, por nuk kemi hasur në thyerje të Kushtetutës pa mëdyshje. Në pozitën e propozuesve të Ligjit përdoren të dhëna të falsifikuara. Në vend se Komisioni të jetë më i pavarur, ata bëjnë punë krejtësisht djallëzore. Një komitet hulumtues-Komisioni për lustrim me ndryshimet e reja, nuk mund të hulumtohet, por vetëm të krijojë bashkëpunim” tha profesori universitar Ljubomir Frçkoski.

 “Nuk guxojmë të legalizojmë procedurë që do të shkatërrojë sistemin juridik. Versioni i parë u miratua me konsensus, që ishte një argument mjaft i rëndësishëm për marrëdhënien mes anës politike dhe juridike të ligjit. Përfshirja kohore ishte deri në vitin 1991, por nuk munda të arrij konsensus. Opozita kërkonte që përfshirja kohore të jetë deri në ditën kur ligji hyn në fuqi, mirëpo Qeveria nuk e përkrahte këtë. Ata donin që të arrihet deri në vitin 2000. Opozita e refuzoi këtë propozim. Pastaj vijoi mosrespektimi i vendimit të Gjyqit kushtetues” tha propozuesi i Ligjit për lustrim, kryetari i mëparshëm i Kuvendit, Stojan Andov. 

“Kemi nisur një proces të ballafaqimit me të kaluarën, ku viktimat nuk i kemi askund, nuk paraqiten, që është shumë simptomatike. Nuk i shoh tash viktimat të jenë përfshirë në procesin e lustrimit, na mungojnë viktimat, ndërsa tërë kohën flasim në emër të tyre se bëjmë lustrim. Ne do të vijmë në një situatë se kemi jetuar deri më 1 shtator 2006 në regjim komunist”, tha analisti Zharko Trajanovski./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button