Debreshtë, hapet stacioni i klorimit

Sot, më 12 prill, në fshatin Debreshtë të Komunës së Dollnenit u bë hapja e stacionit të klorimit, ku morën pjesë Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Nevzat Bejta, kryetari i Komunës së Dollnenit Abdulla Bajramovski, kryetari i komunës së Krivogashtanit Goce Durtanoski dhe drejtoresha e Qendrës të Rajonit të planifikuar të Pellagonisë Emilia Gjeroska. 

Për këtë projekt janë investuar rreth 2 milion denarë ose mbi 32 mijë euro nga Byroja për Zhvillim Rajonal pranë Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.   

Ministri Bejta tha se tashmë banorët e kësaj ane do të pijnë ujë të pastër dhe të shëndetshëm.

“Prej sot, 30 mijë banorë të vendbanimeve në Komunat e Dollnenit, Krivogashtanit dhe Krushevës do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të shëndetshëm dhe me kualitet të lartë”, tha ministri Bejta.  

Sipas ministrit Bejta ky investim është shembull i përfitimeve që i sjell Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal. 

“Me mjete të kufizuara mundohemi të arrijmë shumë. Sikur ky ligj të zbatohej në praktikë ashtu siç është edhe miratuar, do të kishim më shumë mjete për tetë qendrat për zhvillim të rajoneve të planifikuara, më shumë mjete për realizim të projekteve në komunat tona që do të zgjedhin çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë vite me radhë”, u shpreh ministri Bejta.

Drejtoresha e qendrës të rajonit të planifikuar të Pellagonisë,  Emilia Gjeroska tha se realizimi i këtij projekti siguron nevojat elementare të njeriut.    

“Projekti u realizua gjatë vitit 2011, me iniciativë të Komunës së Dollnenit dhe parashihej finalizimi i ndërtimit të stacionit të klorimit, me çka direkt mundësohet sigurim i ujit të pastër dhe të shëndetshëm për rreth 30 mijë banorë për Komunën e Dollnenit, Krushevës dhe Krivogashtanit”, tha drejtoresha Gjeroska. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button