fbpx

Duhani ul koeficientin e zgjuarsisë

Kur tymosim duhanin, koeficienti i zgjuarsisë zvogëlohet. Kështu thuhet në një studim amerikan, sipas të cilit, pirja e zakonshme e duhanit ndikon negativisht në tru.

Ndërkaq, një studim i sapopublikuar vë në diskutim zgjuarsinë e personave që varen nga duhani: jo vetëm për arsye se sfidojnë fatin, duke vënë në rrezik shëndetin e tyre, por edhe sepse koeficienti i zgjuarsisë zvogëlohet kur tymos shumë.

Lidhja mes koeficientit të zgjuarsisë dhe duhanit është studiuar nga Mark Weiser i qendrës “Sheba Medical Center” në Nju Jork, që më pas është publikuar në revistën “Addiction”. Ekspertët kanë përfshirë në studim 20211 rekrutë izraelitë 18 vjeç, ndërkohë që 58 për qind e të cilëve pinin duhan në momentin që hynë në ushtri. Të gjithë iu nënshtruan testeve standarde për të matur koeficientin e zgjuarsisë dhe u zbulua se djemtë që nuk pinin duhanin arritën vlerën 101, ndërsa ata që nuk mund të hiqnin dorë prej paketës, arritën vlerën 98.

Por rezultati varej edhe nga numri i cigareve të pira. Ekspertët krahasuan nivelin e zgjuarsisë së vëllezërve, ku vetëm njëri prej tyre pinte duhan. Edhe në këtë rast u vu re se koeficienti i zgjuarsisë ishte më i ulët te vëllai që pinte duhan. “Një studim i fundit që ka lidhje me gjendjen socio-ekonomike dhe shkollimin, tregon se personat që pinë duhan e kanë koeficientin e zgjuarsisë më të vogël”, shkruajnë në raportin e tyre studiuesit.

Përveç zgjuarsisë, rreziqet që lidhen me pirjen e duhanit janë të padiskutueshme. Për tumorin në mushkri, ekziston për shembull një raport dozë-efekt, dhe ky vlen për pirjen e duhanit në mënyrë pasive. Kjo do të thotë se sa më shumë duhan të pini gjatë jetës, ose të thithni aq më e madhe është mundësia për t’u sëmurë. Për shembull, një 35-vjeçar që tymos 25 ose më shumë cigare në ditë, rrezikon 13 për qind të vdesë nga kanceri në mushkëri para se të mbushë 75 vjeç.

Mundësitë për të qenë i rrezikuar janë më të mëdha kur numri i cigareve të pira është tepër i lartë (sa më shumë të pini, aq më të rrezikuar jeni).

Megjithatë, gjendja shëndetësore varet edhe nga mosha e nisjes së këtij vesi (sa më herët ta filloni aq më shumë e dëmtoni shëndetin tuaj), mungesa e një filtri në cigare, (produktet e djegies, si katrami, ndikojnë shumë në patologjinë). Gjithsesi, te personat që e lënë duhanin, rreziku mund të ulet me kalimin e 10-15 viteve pasardhëse, derisa organizmi i tyre të pastrohet tërësisht nga ai helm./portalb/

   

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close