Maqedoni, ja si parashihet të funksionojë sistemi i ri i përgjimeve

Qeveria e Maqedonisë ka filluar të punojë në drejtim të reformimit të sistemit të përgjimeve, ku nga katër modelet e parashtruara nga grupi i reformave të Pribesë, Qeveria ka pranuar njërin model nëpërmjet së cilit parashihet formimi i Agjencisë së Pavarur të Përgjimeve e cila do të funksionojë në bazë të kërkesave të Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë, njofton Portalb.mk.

Siç bëri të ditur sot drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Goran Nikollovski, me këtë model përgjimet do të realizohen me kërkesë të Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë Publike të cilat edhe do të kenë të drejtë të regjistrojnë të njëjtat. DSK do të ketë mundësi vetëm të bëjë trasferimin e bisedës, por jo edhe të regjistrojë të njëjtat.

“Agjencia do të ketë vetëm rol teknik. Pas marrjes së kërkesës ata e realizojnë përgjimin. Me realizimin e përgjimit ata e drejtojnë sinjalin drejt shfrytëzuesit, respektivisht kërkuesit të shërbimit. Kjo është pjesa e tyre, ata nuk mund të mbledhin informata në bazën e të dhënave dhe nuk do të mund të dëgjojnë. Detyra e tyre është se do ta kyçin sinjalin të cilin e drejtojnë te kërkuesi, ka të drejtë vetëm të dëgjojë por jo edhe të regjistrojë”, tha Nikollovski.

Përndryshe, reformat për DSK-në parashohin heqjen e Nenit 175 të ligjit të komunikimeve elektronike nga ana e Gjykatës Kushtetuese në të cilin do të hiqet mundësia e ndjekjes së ligjshme të komunikimeve. Ndryshimi i ligjit do të jetë gati në fund të 2017-s ndërkohë që moslargimi i DSK-së nga rrjeti i përgjimeve në opinion ngjalli reagime të shumta duke thënë se sërish ajo do të përgjojë telefonata në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet operatorëve telefonik. Për këtë nga Qeveria thanë “se përgjim të paligjshëm nuk ka në këtë mandat qeveritar, ndërkaq nëse dikush guxon që t’i keqpërdor kapacitetet e DSK-së, për atë do të japë përgjegjësi”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button