Berisha: Opozita po përmbush detyrimet e veta për statusin

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në konferencën me temë “Ballkani drejt integrimit europian” në Bruksel, e organizuar nga Grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian. 

Shefi i maxhorancës deklaroi para eurodeputetëve vullnetin e palëkundur të qeverisë për të përmbushur reformat e kërkuara për të mundësuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Berisha, i pyetur nëse do ta marrë Shqipëria këtë vit statusin, deklaroi se: “Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. 

Deri tani, unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është vlerësimi im. Qeveria po punon intensivisht për të përmbushur detyrimet dhe po i përmbush ato. Natyrisht, ky është një proces që po përsoset në mënyrë të vazhdueshme, por qeveria po punon me seriozitetin më të madh në të gjitha fushat, në mënyrë që të përmbushë standardet e kërkuara”, theksoi kreu i ekzekutivit shqiptar. 

Më herët, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për interesin e madh që ka treguar grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve në këtë vend. Shqipëria, nënvizoi Kryeministri, nuk synon gjë tjetër më të madhe se integrimi europian, një proces i cili duhet mbështetur tërësisht mbi performancën. Ndërkohë, Kryetari i grupit të PPE-ve, Joseph Daul, deklaroi dje mbështetjen e PPE-ve për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

“Europa është pa diskutim zgjidhja dhe jo problemi, kështu që zgjerimi është në synimet tona dhe në vëmendjen tonë në të ardhmen. Ky takim, pikërisht në një periudhë të vështirë për BE-në dhe në kohën e krizës financiare, është një tregues dhe një sinjal shumë i fortë për rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së për PPE-të dhe ne, si grup parlamentar i PPE-së, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Daul. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe eurodeputeti Eduard Kukan, i cili ka vlerësuar klimën e bashkëpunimit midis palëve në Shqipëri. 

“Axhenda e integrimit është e qartë. Miqtë tanë shqiptarë kanë një listë prioritetesh dhe reformash, me të cilat duhet punuar derisa të bëhet vlerësimi i radhës, për sa i përket integrimit europian. Siç dëgjuam nga Kryeministri Berisha, ata po punojnë fort në të gjitha këto drejtime, por që kjo të jetë plotësisht e suksesshme, lipset dialogu dhe bashkëpunimi midis të gjitha palëve dhe rezultatet konkrete që duhet të vijnë nga ky dialog, janë argumenti më bindës për ne”, theksoi Kukan. /panorama/

Lajme të ngjashme

Back to top button