Bejta i gatshëm për mejdan në Gostivar

Nevzat Bejta, ministër aktual i Pushtetit Lokal, nuk përjashton mundësinë e kandidimit të serishëm për kryetar Komune në Gostivar. 

Nëse këtë e kërkojnë qytetarët e Gostivarit dhe strukturat e partisë, sërish do të dalë në “mejdan” gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, deklaroi Bejta.

Këto komente ish-numri një i Gostivarit dhe tani ministër i vetëqeverisjes lokale, i bëri  të mërkurën gjatë qëndrimit në Komunën e Vrapçishtit, pas një takimi me kryetarin e kësaj komune, Bajram Kadrija. 

“Këtë pyetje e parashtrojnë edhe qytetarët. Por për t’u rikandiduar për kryetar komune, është përgjegjësi e madhe për shkak se duhet të punosh dhe t’i plotësosh kërkesat e qytetarëve.

Unë kam thënë se secili mund të bëhet qeveritar i çfarëdo qeverisje dhe ministër, por secili nuk mund të bëhet kryetar i komunës. Kur del dhe kandidohesh për kryetar komune, ti del dhe e prezanton programin që do ta realizosh, qytetarët i shohin dhe presin që të realizohen. Është përgjegjësi e madhe, ajo nuk varet nga unë, por nga kërkesat e qytetarëve, nga dëshira e qytetarëve, nga kërkesa e strukturave partiake dhe nga organi më i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim – Kryesia Qendrore”, ka thënë Bejta. 

Por, ka vazhduar më tej ai, barometri kryesor për të dhënë vlerësim për punën e kryetarëve janë qytetarët. 

“Nëse kërkesa e qytetarëve do të jetë masovike, atëherë unë nuk mund të jem kundër vullnetit të qytetarëve. Jam shumë i përgatitur në aspektin shpirtëror që ta çmoj demokracinë dhe nuk e mohoj dëshirën e qytetarëve nëse ato dëshirojnë që unë të rikthehem në krye të komunës dhe të sakrifikojë vetveten time”, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta.

Nevzat Bejta ishte kryetar i komunës së Gostivarit për katër vjet me radhë, u rikandidua për mandat të dytë, por gara mori kahje tjetër kur në tën mënyrë të befasishme kyç  Rufi Osmani,  që kishte drejtuar komunën gjatë ngjarjeve të vitin 1997, dhe fitoi mandatin për të drejtuar komunën deri në vitin 2013-të.

/portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button