“Ambasadori i Diasporës në Kosovë”, marrëzi politike!

Njoftimi i ardhur ditëve të fundit nga ministri i Diasporës z.Dardan Gashi për emërimin e një zv.ministri nga Diaspora në dukje të parë paraqet lajm të mirë, mirëpo sqarimet e ministrit Gashi se; ““do të jetë dikush që sot është aktiv diku nëpër aktivitete të diasporës dhe që do të jetë një lloj ambasadori i diasporës në Kosovë”, e tregon nivelin e ulët intelektual të ministrit dhe çasjen paradoksal të qeverisjes së vendit.

Vetë Ministria e Diasporës është e tepërt në Qeverinë megalomane, pasi i njëjti digaster (ministri) do të mund të funksiononte shkëlqyeshëm në kuadrin e MPJ-së, sikurse që edhe shumë ministri të tjera mund të shkriheshin në një ministri të vetme, për të shkurtuar kështu koston supër të lartë financiare të Qeverisë megalomane të Kosovës.

“Ambasadori i Diasporës në Kosovë”, përveqse marrëzi politike, do të ishte degradim i kësaj ministrie, i dëmshëm për buxhetin e varfër të shtetit të Kosovës, veprim i gabuar politik dhe qesharak për opinionin publik.

Kur kësaj i shtohet fakti, se “Ambasadori i Diasporës në Kosovë” mund të mos jetë shtetas i Kosovës, e degradon edhe më tutje imazhin e Qeverisë së Kosovës, duke e shndërruar atë në qeveri matrapazësh, shpërdorues dhe keqpërdorues të buxhetit të shtetit për interesa personale.

Sikur Qeveria aktuale të kishte qëllimin e mirë për shtetin, do të përkujdesej për një përfaqësim dinjitoz të mërgatës në Parlamentin e Kosovës e jo emërimin e servilëve dhe sekserëve të tyre siq pretendohet të ndodhë me këtë emërim.

Përderisa ministri Gashi, nuk e ka bërë akoma publik emrin e “Ambasadorit (Ambasadorës) të  Diasporës në Kosovë”, e sugjeroj që të mos bie pre e shantazhit politik, lakmisë për para të pista,…por ta refuzoj kategorikisht këtë kontrabandim klasik të kësaj figure anonime, ngase nuk i bënë nderë qeverisë dhe as shtetit të Kosovës një person që asnjëherë në jetën e tij (saj) nuk ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Kujdes zoti ministër për emrin e bukur që mbani “Dardan”, gjyko me mendje e jo me epshe, mos e lejo njollosjen e emrit tend. Ngase pas këtij emërimi do të përballeni me reagime të fuqishme nga ana e mërgatës shqiptare gjithandej vendeve evroperëndimore.

Fryerja e kabinetit qeveritar ka arrituar kuotat maksimale nga paslufta e këndej, për çka rritja e ministrive në kabinetin qeveritar është në shpërputhje të plotë me numrin e banorëve dhe gjerësinë gjeografike të vendit tonë.

Megjithatë shpikja e posteve të reja nuk ka të ndalur. ditëve të fundit, qeveria aktuale, gjegjësisht ministri i Diasporës, z. Dardan Gashi e shpiku një post të ri, të ashtuquajturin “Ambasadori i Diasporës në Kosovë”, të rezervuar për ndonjërin nga sekserët e pushtetarëve aktualë dhe atyre paraprak.

Ministria e Diasporës, edhe përgjatë dy mandateve të kaluara asnjëherë nuk ka qënë në shërbim të mërgatës tonë dhe as në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të mërgimtarëve në vendet ku jetojnë. Për më keq se kaq, edhe pritjet e mërgimtarëve në vendlindje nuk kanë qenë në nivelin e duhur.

Përveq maskaradave mashtruese, të kinse organizimit të “Ditëve të Diasporës” dhe pankartave gjigante gjithandej Kosovës, “Mirë se vini bashkatdhetar”, mërgimtarët nga viti në vit, edhe përkundër krijmit të Ministrisë së Diasporës janë përballur me të njëjtat probleme; me plaçkitjen në emër të “Policave të sigurimeve” të automjeteve e deri tek haraçi legal qeveritar për nxjerrjen e dokumenteve personale përmes të ashtuquajturit “përshpejtim” të procesit të nxjerrjes së dokumentave, pa lënë anash as vjedhjen ordinere përmes faturave të rrymës nga KEDS-i (KEK-u).

Shpikja e postit të “Ambasadorit të Diasporës në Kosovë”, ka ngjallur reagime të ashpra në mesin e mërgimtarëve. Mërgimtarët në vendet perëndimore kanë nevojë të ndjejnë “dorën e shtetit” përmes emërimit të ambasadorëve dhe konsujve të përgjegjshëm të cilët janë të barabart për të gjithë mërgimtarët pa dallim, e jo si deri më tani, ku përfaqësuesit e shtetit kanë komunikuar vetëm me sekserët e pushtetit në Diasporë, duke anashkaluar dhe injoruar shoqata aktive dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare.

Posti i “Ambasadorit të Diasporës në Kosovë”, përveqse marrëzi politike, është i pamenduar mirë, i palogjikshëm dhe absurd, për faktin se një “Ambasador i Diasporës” nga cili do shtet qoftë, nuk mund të përfaqësojë interesat e  mërgimtarëve në të gjitha shtetet dhe kontinentet.

Deri në këtë pikë ka arritur marrëzia politike dhe degradimi i institucioneve tona shtetërore, saqë shteti ynë gjithnjë e më pak po i ngjet një shteti demokratik dhe të pavarur, po gjason në një monarki mesjetare.

Përfundimisht, edhe një këshillë për kryeministrin Haradinaj, kujdes me emërime dhe fryerje enorme të kabinetit qeveritar, shteti i Kosovës nuk është pronë private dhe as plaçkë lufte e askujt, është pronë e qytetarëve, e taksapaguesve të varfër dhe e gjakut të shprishur të mërgatës tonë.

Kjo qasje primitive e qeverisjes së vendit, nga dita në ditë është duke na i larguar miqt që na ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit tonë nga Serbia.

Nëse vazhdohet kështu, edhe Zoti një ditë do t’na kthejë shpinën!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button