Grujovski do të ishte dënuar më shumë sikur të kishte vjedhur 150 qebapë

“3 vjet burg sepse një 31 vjeçar nga Velesi ka vjedhur 150 qebapë, 20 qofte dhe disa produkte tjera ushqimore, me çka ka bërë dëm rreth 6.000 denarë”, ky ishte lajmi që bëri bujë më 10 gusht të vitit 2015, pasi që Gjykata e Apelit vendosi ta dënojë qytetarin që e kishte pranuar veprën për vjedhje të produkteve ushqime në një objekt hotelierik në vitin 2014, për të cilin pati reagime të shumta në opinion për lartësinë e dënimit, njofton Portalb.mk.

Se drejtësia në Maqedoni “për dikë është nënë dhe për dikë është njerkë”, dëshmon fakti se dy vjet pas këtij rasti skandaloz, Gjykata Penale e Shkupit, ish kryeshefin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Goran Grujovski, i cili është i dyshuar në rastin “Fortesa 2” për shkatërrimin e dokumenteve të pajisjeve për përgjim, të cilat u kanë kushtuar qytetarëve të Maqedonisë mbi 10 milionë euro, e ka dënuar me vetëm 1 vit e gjysmë burg, ndërkaq 6 bashkëpunëtorët e tij janë lënë në liri, me kusht të mos e përsërisin veprën.

Sa i “rreptë” është ligji në Maqedoni, dëshmon edhe një rast i cili ka ndodhur më 2 mars të vitit 2016, ku një qytetar për 15 hithra dhe marule është dënuar me 150 euro nga Inspektorati Shtetëror. Qytetari ka pohuar se ai tërë ditën qëndron në treg për 200 denarë me qëllim që ta ushqejë familjen, andaj e ka lutur gjykatësen që t’ia falë dënimin, megjithatë gjykatësi e ka refuzuar. Ai ka pohuar ka qenë i gatshëm për të shkuar në burg, poqë se nuk do të organizoheshin vullnetarisht disa persona në rrjetin social “Facebook” dhe t’i paguanin dënimin.

Rikujtojmë që më 5 maj të këtij viti, Gjykata Penale i liroi 9 dhunuesit e Kuvendit të cilët më 27 prill rrahën deputetë, gazetarë, qytetarë, por dhe demoluan gjithçka.

Gjykata e Apelit në fund ta janarit të vitit 2015 e vërtetoi fajësinë e 6 protestuesve kundër rastit “Monstra”, të arrestuar gjatë protestave masive të verës së vitit 2014. Apeli pranoi pjesërisht ankesën e 6 të akuzuarve dhe u hoqi nga 6 muaj secilit, nga dënimi prej 3 vjetësh të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Nga ana tjetër, për shkatërrimin e pronave shqiptare në Gjorçe Petrov në vlerë prej rreth 1 milion euro, Gjykata nuk dënoi me burg asnjë prej protestuesve maqedonas.

Ndryshe, Grujovski dhe bashkëpunëtorët ngarkohen se kanë shkatërruar 2.047 dokumente, të cilat kanë qenë të lidhura me furnizimin e pajisjes për përgjim. I akuzuari Grujovski, momentalisht gjendet në burgun e Selanikut, ndërkaq pritet të ekstradohet, pasi që në Aeroport bashkë me Nikolla Boshkovskin (i akuzuar në “Target”), janë kapur me pasaporta false nën emrat Hristo Atanasov dhe Nexhbi Hasan.

Nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se vendimin e këtillë të Gjykatës e kanër pritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button