Dashuria për pushtet dhe pushteti i dashurisë

Cila është nevoja më e madhe e njeriut, pushteti apo dashuria?
Këto dy gjëra janë çfarë njeriu kërkon më së shumti në këtë botë: të jetë i pushtetshëm dhe i dashur. Por, a mund këto ta zëvendësojnë njëra-tjetrën në spektrin e nevojave emocionale të njeriut? A mund nevoja e plotësuar për pushtet ta zhdukë nevojën për dashuri, dhe a mund nevoja e plotësuar për dashuri ta zhdukë nevojën për pushtet? Unë dua të besoj që kjo e fundit është vërtetë.

Një pyetje thelbësore është pse njeriut çdoherë i ka pëlqyer ta lartësojë veten, si individ, por dhe si specie? Sipas Fromm-it, njeriu asnjëherë nuk është i kënaqur me natyrën e tij si krijesë, dhe do që ta tejkalojë veten. Në fakt, kjo ndodh atëherë kur njeriu dështon ta gjejë e ta kuptoj vendin e tij në mozaikun e krijimit, me çka lindin të gjitha veset e tij. Apo ndoshta kjo buron nga fakti se njeriu është krijuar si qenie qiellore, rrjedhimisht shpirti nuk i gjen qetësi në Tokë, por mungesa e dijes së zemrës sjell për pasojë dëshira të sëmura, përpjekje të devijuara.

A mund nevoja e njeriut për pushtet të jetë diçka e natyrshme? Apo ndoshta ajo është thjeshtë një nevojë për ta siguruar jetën, mirëqenien vetjake? A mund të burojë nevoja për pushtet nga besimi i njeriut në ligësinë e të tjerëve, e kështu, duke dashur të ushtrojë pushtet mbi të tjerët, ai në fakt vetëm dëshiron ta mbajë veten të sigurtë? Por atëherë, sipas “Ligjit të pasqyrave”, njeriu cilësitë e veta i sheh te të tjerët, e do të thotë që ai vet është i prirur për t’i dëmtuar njerëzit e tjerë. Pra, a do të thotë kjo dëshira e tij për pushtet vjen nga pririja e tij për t’i dëmtuar/shfrytëzuar të tjerët? Që nga hapat e tij të parë në Tokë, njeriu ka filluar të nënshtrojë. Është përpjekur ta nënshtrojë natyrën, t’i nënshtrojë krijesat tjera me të cilat e ndan planetin. Pastaj, ai përpiqet të nënshtrojë fizikisht, emocionalisht, finansiarisht, politikisht, kulturalisht njerëzit përreth tij. Në nivel ndërpersonal, a mund të jetë kjo një manifestim i sëmurë/i shtrembëruar i nevojës së tij për t’u kujdesur për njerëzit që i konsideron të rëndësishëm? Apo përmes lidhjes së nevojave dhe mirëqenies së tyre me të, ai përpiqet veten ta bëjë të rëndësishëm?

Kur dëgjojmë fjalën “pushtet”, si me automatizëm, mendja na shkon te pushteti politik, te shteti, te qeverisësit. Por, pushteti është shumë i përgjithshëm. Pushteti manifestohet çdoherë kur dikush e bën dikë të bëjë diçka të cilën tjetri përndryshe nuk do ta kishte bërë. Pra, pushtet është aftësia për t’ia imponuar dikujt një veprim sipas bindjeve, besimit apo vullnetit tonë. Pushtet është ndikimi/autoriteti që prindi ka mbi fëmijën, qeveria mbi popullin, populli mbi qeverinë, një njeri mbi një tjetër, natyra mbi njeriun. Kur është fjala te njeriu, ai në mënyrë të vazhdueshme shfaq lakmi për pushtet. Do të jetë superior ndaj atyre që e rrethojnë, do të jetë në të drejtë çdoherë (ta ketë pushtetin e së vërtetës), do t’i nënshtrojë gjallesat për nevojat e tij, do ta ndryshojë natyrën për ta bërë të përshtatshme për veten. Të gjitha këto, pavarësisht çmimit që ato duhet të paguajnë për të arritur në këtë gjendje.

Atëherë, a është dashuria për pushtet domosdoshmërisht e ligë? A është ajo domosdoshmërisht një ves? Ka një lloj pushteti që është çdoherë i mirë dhe ky është pushteti mbi veten. Është ai pushtet me të cilin njeriu ia nënshtron anën e tij të errët Dritës, ia nënshtron veset virtyteve, lakminë drejtësisë, tundimin për të përkohshmen bindjes në të përherëshmen, rehatinë e gënjeshtrës çlirimit të së vërtetës. Në thelb, nuk është e thënë që dëshira për pushtet të jetë negative. Mund që, njeriu të dëshirojë të udhëheqë e t’i binden sepse sinqerisht beson se ai e di ç’është e mira dhe do ta parandalojë një vuajtje të mundshme të atij/atyre që do t’i binden. Njeriu i zgjuar e me vetëdije të lartë shpirtërore, intelektuale, do ta dojë pushtetin për motive fisnike, për ta mbrojtur të mirën, pafajësinë, drejtësinë. Por, në përgjithësi, nxitja që shfaqet për pushtet është ajo që ka për qëllim ta vë tjetrin në shërbim të interesave vetjake.
Kjo dukuri shfaqet në çdo pore të jetës njerëzore, në shtëpi mes familjarësh, jashtë mes miqsh, në punë mes kolegësh, në institucione mes nëpunësish e qytetarësh, mes qeveritarëve e popullit, mes popujve, e kështu pa fund, çdokund ku nuk ka baraspeshë fuqie. Shoqëria e bota janë shëmtuar nga dashuria e pakontrolluar e njeriut për pushtet. Ashtu si një indivind do të ketë pushtet mbi tjetrin, ashtu një korporatë do të ketë pushtet mbi një qeveri, e një qeveri mbi një tjetër, dhe dëmet që i bëhen qenies njerëzore, shpirtit, mendjes, mjedisit, shoqërisë, janë të dhimbshme. E kjo dëshirë e sëmurë për pushtet nuk lind veçse nga injoranca e thellë, nga dija e sipërfaqshme.

Por, a ka një gjë të tillë si pushteti i dashurisë? A mund të ketë dashuria pushtet mbi njeriun? Dashuria ka pushtet dhe ai është pushteti më i fuqishëm që njeh Ekzistenca. Pushteti i dashurisë jep jetë dhe vdekje, ngjall shpirtra, rrit shpresa, shuan frikëra, rrafshon male, hap shtigje. Pushteti i dashurisë e bën botën të rrotullohet. Sepse, ky pushtet e ka nxjerrë në qenësi. Pushteti i dashurisë mbi njeriun është lëvizësi kryesor i shpirtit njerëzor. Por, si mund dashuria ta shërojë dëshirën e sëmurë të njeriut për pushtet? Unë besoj se dashuria është e aftë për të shëruar çdo ves të njeriut. Dashuria është ilaçi i vetëm i shpirtit njerëzor.

Kjo nuk është ajo dashuria që e dëgjojmë nëpër këngë e e shohim nëpër seriale. Është dashuria gjithpërfshirëse për të Mirën, të Drejtën. Dashuri me vetëdije të zgjuar. Dashuri për Njeriun. Dashuri për Zotin, si burim i të Mirës. Dashuri e gjallë, e çiltër, e palakueshme nga tundimet. Dashuria ia mundëson njeriut të shkrihet e të bëhet një me njerëzit e tjerë dhe njeriu që është i aftë të dashurojë nuk është i aftë të lëndojë asnjëherë. Si do të mund ta bënte këtë, kur ai sheh vlerë e mirësi në çdo send. Njerëzit e gjallesat i vlerëson si krijesa të Zotit, gjësendet si begati. Me ndjenjën e dashurisë, njeriu e tejkalon frikën e vetmisë. Kur njeriu fillon të jetojë në frekuencat e dashurisë, ai e ndjen gjithçka si veten, nuk ka më nevojë të ndihet superior ndaj diçkaje, dashuria e tij i mjafton të shkrihet në të. Kur dashurojmë, nuk kemi më nevojë të kontrollojmë në çfarëdo mënyre objektin e dashurisë, në vend të kësaj, kemi nevojë për mirëqenien e tij. Si në nivel ndërpersonal, familjar, shoqëror, botëror.

Kur e duam një njeri, nuk kemi nevojë të shfaqemi superior ndaj tij në asnjë mënyrë, nuk kemi nevojë ta nënshtrojmë asnjë aspekt të personalitetit të tij, dhe pikërisht për shkak të dashurisë ndaj tij, e lëmë të lirë për të jetuar në aso mënyre që e plotëson shpirtin e tij. Kur prindërimi ynë të bazohet në dashuri, do të pushojmë së pari fëmijët si pronë e jona, si vend për ta kënaqur dëshirën tonë për pushtet dhe për të realizuar ambiciet tona të parealizuara. Në vend të kësaj, do t’i shohim ata si qenie të mëvetësishme, të lira, ndaj të cilave kemi obligim e kënaqësi t’ua mësojmë jetën, të mirën e të drejtën.

Njëlloj, kur e duam njeriun, njerëzimin e tërë e shohim si pjesë tonë, familje tonën, dhe nuk ndjejmë nevojë për të ushtruar çfarëdo forme të autoritetit mbi njerëzit e tjerë. Zhduken mashtruesit, keqpërdoruesit, vrasësit, tiranët. Duke dashur tjetrin, njeriu nuk mund të ushtrojë pushtet mbi të duke ia fshehur të vërtetën, duke ia mohuar të drejtën e tij, duke ia marrë jetën, duke e bërë të jetojë i nënshtruar.

Një dashuri e tillë për njerëzimin e bën njeriun të përpiqet maksimalisht për të qenë i dobishëm, për njerëzit më të afërt, për botën, madje për gjithë ekzistencën. Sepse dashuria e një njeriu që e ka kuptuar atë në thelbin e saj e përthekon gjithë Krijimin. Është dashuri për çdo gjë të gjallë. Me dashuri, njeriut i vdes egoja, ai bëhet një me gjithçka përreth. Sepse në fakt, e tërë ligësia e njeriut (që shfaqet në mungesë të mirësisë, njeriu nuk është i ligë në natyrë) buron nga injoranca e njeriut që i sheh të tjerët si më pak të rëndësishëm se vetja e tij, që nuk mund të empatizojë e të bashkëndjejë me tjetrin. Kur njeriut i vdes egoja i zhduken tendecat shkatërruese, nënshtruese ndaj gjithçkaje. Nuk i shfrytëzon të tjerët për veten, as nuk e kursen veten për të tjerët.

Kështu, vetëdija e mirëfilltë qytetare krijohet nga dashuria për të mirën, në asnjë mënyrë tjetër ajo nuk mund të jetë e qëndrueshme. Një shoqëri e shëndoshë do të ndërtohet me njerëz me shpirtra të gjallë, që dashurojnë jetën, njeriun, njerëzinë. Me njerëz që pikë referimi për të mirën e kanë Burimin e të Mirës. Një shoqëri e virtytshme lind nga njerëzit që besojnë në ideale, që besojnë se e Mira është rruga drejt zgjidhjes. Bota rregullohet duke rregulluar njeriun, e njeriu rregullohet duke nisur nga shpirti, e shpirtin e ndritë veç dashuria. Pushteti pa dashuri është forcë shkatërruese, e dashuri pa pushtet nuk ka. Prandaj, dashuria për pushtet e sëmurë, pushteti i dashurisë e shëron.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button