Në Siri ndalojnë sulmet

“Pasi forcat tona të armatosura përfunduan me sukses operacionet për të luftuar aktet kriminale të grupeve terroriste dhe vendosën ligjin e shtetit në të gjithë territorin, u vendos të ndalojë të gjithë operacionet mëngjesin e së enjtes”, njoftoi televizioni. 

Televizioni shtetëror nuk iu referua planit të paqes se Kofi Annan. Damasku dështoi në përmbushjen e dokumentit, sipas të cilit, të gjithë trupat e armatosura duhet të tërhiqeshin nga zonat e konfliktit të martën. 

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe mori një letër nga Ministria e Jashtme e Sirisë, ku pranohej t’i jepej fund luftimeve, por nga ana tjetër ruan çdo të drejtë për t’iu kundërpërgjigjur bandave terroriste të armatosura dhe sulmeve të tyre kundër civilëve, ushtrisë dhe pronës publike e asaj private. 

Më herët gjatë vizitës në Iran, Annan tha se priste të tjera sqarime nga qeveria siriane për mënyrën se si do të ndalojë luftimet. “Nëse secili do ta respektojë këtë, mendoj se në gjashtë të mëngjesit të së enjtes ne do të përmirësojmë situatën në terren”, tha Annan. 

Ai nënvizoi se qeveria siriane kërkon garanci që forcat opozitare të ndalojnë luftimet. Pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi, Annan tha se rajoni nuk mund të përballojë një tjetër shok dhe paralajmëroi se çdo keqllogaritje apo gabim në situatën e Sirisë mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme në rajon. Salehi u shpreh se Irani do të mbështesë planin. 

Situata është kritike në Homs, ku vazhdojnë luftimet. Të paktën 11 persona humbën jetën në të gjithë vendin. Të shtënat e ushtrisë qëlluan sërish një kamp refugjatësh në territorin turk dhe pamjet u transmetuan drejtpërsëdrejti nga CNN-i Turk. 

Në Turqi kanë gjetur strehë 24.500 refugjatë, 10 mijë në Liban dhe 7.000 në Jordani. Më shumë se 9.000 persona kanë humbur jetën në Siri prej nisjes së konfliktit marsin e kaluar, ndërsa për qeverinë siriane të vrarët janë mbi 3.000, 2493 civilë dhe 1.345 forca të sigurisë./newser

 

Lajme të ngjashme

Back to top button