Mitrovicë, shqiptarët gati për vetëmbrojtje

Një ditë pasi kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati porositi shqiptarët e Veriut që të mbrohen vetë nga serbët e armatosur, ata duket se me të vërtetë e kanë vetëmbrojtjen si alternativën e vetme. 

Gjatë vëzhgimit të Top Channel nëpër lagjet veriore të banuara me shqiptarë, takuam banorë të cilët teksa po flisnin për situatën e vështirë, treguan përgatitjet e tyre.
 
Qytetarë të thjeshtë të cilët bashkë me familjet e tyre jetojnë në zonat e thella të Veriut të Mitrovicës. Ata flasin për mënyrën se si e kanë kuptuar mesazhin e kryetarit Kastrati, ndërkohë që japin edhe mesazhet e tyre për institucionet e Kosovës.

Një nga arsyet pse banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës nuk duan të shfaqen përpara kamerës, është frika e konfiskimit të armëve nga Policia e Kosovës. Kjo në fakt është denoncuar në takimin që përfaqësuesit e lagjeve veriore patën një ditë më parë me kryetarin Kastrati.
  
E gjithë kjo situatë vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së Selver Haradinajt në shtëpinë e tij. Në mungesë të rrugëdaljes dhe mesazheve që u përçohen, shqiptarët kanë hartuar strategjitë e tyre të veprimit kundër institucioneve të Serbisë në këtë pjesë./topchannel

Lajme të ngjashme

Back to top button