fbpx

Devajn: Informatorët janë heronj, duhet ligj që do t’i mbrojë ata në Maqedoni

“Informatorët, janë heronjtë e ditëve të sotme. Nga njëra anë ata kanë treguar se janë në gjendje të parandalojnë katastrofa të mëdha në nivel global, ndërsa nga ana tjetër, injorimi i informatorëve ka ditur të prodhojë pasoja fatale. Maqedonisë i duhet ligj që mbron ata.”, tha mes tjerash eksperti amerikan për mbrojtje të informatorëve, Tom Devajn gjatë diskutimit mbi temën “Roli i mediave në zhvillimin e imazhit publik të bilbilfryerjes (informatorëve)”, që u mbajt në klubin e gazetarëve në Shkup, raporton Portalb.mk.

Në fjalën e tij Devajn vuri theksin te nevoja për një ligj i cili do ti mbronte informatorët në Maqedoni duke e vlerësuar një hap të tillë si shumë të nevojshëm, në mënyrë që vendi të mbajë hapin me vendet në rajon dhe më gjerë.

Devajn foli për rolin e rëndësishë të informatorëve-denoncuesve të korrupsionit ose padrejtësive në botën moderne në drejtim të parandalimit të fatkeqësive të përmasave globale e deri te luftimi i korrupsionit edhe në nivelet më të ulta.

“Janë njerëz që shfrytëzojnë të drejtën e fjalës me qëllim që ti nxjerrin në shesh fenomenet që e dëmtojnë shoqërinë. Këta njerëz janë heronjt e kohëve moderne.” tha ai.

Pjesë e panelit ishin edhe avokati amerikan Xhon Mekejn dhe kryetari i ShGM, Naser Selmani.

Xhon Mekejn gjatë fjalës së tij i inkurajoi gazetarët që të jenë zëri i të vërtetës dhe zëri i viktimave.

“Jam avokat por e kuptoj shumë mirë punën e gazetarëve” tha ndër të tjera Mekejn i cili më pas citoi Tomas Xhefersonin duke thënë se “vetëm shtypi i lirë mund ta kontrollojë punën e institucioneve”.

Në diskutim u inkuadruan edhe gazetarë të ndryshëm të vendit.

Bashkëbiseduesit u pajtuan në nevojën e mbrojtjes së informatorëve duke i cilësuar të njëjtët si katalizatorë të ndryshimeve pozitive në shoqëri.

Gjithashtu, u diskutua edhe nevoja e shpërfaqjes së dukurive të dëmshme në shoqëri, si mënyrë e vetme që këto dukuri të dënohen nga opinioni i gjerë dhe u inkurajuan rrëfyesit që sa më zëshëm ti denoncojnë dukuritë negative siç janë korrupsioni dhe të ngjashme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button