Ligji për qasje të lirë të informatave nuk ka zbatim praktik

Qasja deri te informatat me karakter publik është problem serioz për mediet. Institucionet shpesh herë në mënyrë selektive i japin informatat  ndërsa gazetarët frikohen të pyesin me qëllim që ta ruajnë vendin e tyre të punës. Kështu disa gazetarë dhe përfaqësues të agjencive hulumtuese shpalosën hapurazi problemet e tyre në një panel diskutimi ku i pranishëm ishte dhe ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Gazetarët theksuan senuk kanë motivim të kërkojnë informata pasi që për të arritur deri te ato duhet të pritet më shumë se një muaj. Kjo më shpesh ndodh kur bëhet fjalë për hulumtime gazetareske në tema të ndryshme.

“Unë e mbështes këtë ligj, por për aplikimin e tij, ne gazetarët, të gjithë të bashkuar duhet të jemi ata të cilët nuk duhet të ndalemi së parashtruari kërkesat tona duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet për të arritur deri te informatat me karakter publik të institucioneve shtetërore. Përndryshe, secila qeveri në Maqedoni i dëshiron gazetarët e lodhur dhe joaktiv”, tha Tamara Çaushidis, kryetare e këshillit të nderit të SHGM-së.

Ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav duke u referuar në raportin e BE-së për përparimin e Maqedonisë tha është e nevojshme që Qeveria ta përforcon këtë instrument.

“Legjislacioni aktual për qasje deri te informatat duhet të ndryshohet, të sigurohet transparencë e plotë dhe të përmirësohen mekanizmat për kontroll të brendshëm të administratës publike. Nevojitet përkrahje politike dhe financiare të Komisionit për mbrojtje të së drejtës për qasje të lirë deri te informatat që i njëjti të mund t’i përgjigjet ankesave për shkak të heshtjes së administratës, deklaroi Orav.

Ndërkaq gazetari i gazetës “Dnevnik”, Aleksandar Manasieski ka fajësuar vetë gazetarët.

“Problemi i moszbatimit të drejtë të këtij ligji qëndron në dy arsye: njëra se shumica e gazetarëve nuk e kanë lexuar aspak Ligjin, dhe nuk janë të njoftuar për mundësitë që kanë. E dyta arsye qëndron në faktin se vetë mediumet më shumë dëshirojnë t’i marrin informacionet e gatshme, duke i kopjuar, përpunuar të njëjtat informacione dhe t’i nxjerrin në publik se sa të hulumtojnë vet dhe të posedojnë materialin origjinal”, deklaroi Manasieski.

Sipas  raportit vjetor të Komisionit për mbrojtje të së drejtës për qasje të lirë deri te informatat, edhe këtë vit problemi më i madh është heshtja e institucioneve. Përkatësisht 79% (324) nga gjithsejtë 409 ankesa të paraqitura në Komision janë kanë të bëjnë me heshtjen e institucioneve.

“Nga numri i përgjithshëm i ankesave, 98 janë dorëzuar nga persona fizik, ndërsa 311 të tjerat nga shoqata të qytetarëve dhe fondacioneve. Këto shifra konfirmojnë se ankesat e paraqitura janë kryesisht nga shoqatat civile dhe fondacionet në krahasim me qytetarët të cilët ende nuk e përdorin mjaftueshëm Ligjin për informim të lirë” shkruhet në raportin e KMDQLI për vitin 2011. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button