Trajnim tremujor për 12 administratorë komunalë

Dymbëdhjetë administratorë shtetërorë të punësuar në Komunën e Gostivarit, për tre muaj do të trajnohen në kuadër të Tempus programit që financohet nga Bashkimi Evropian.

Me takimin e sotëm të kryetarit Rufi Osmani me drejtorin e Qendrës për hulumtime në ekonomitë në zhvillim, prof. Iraj Hashi, në fakt edhe filloi implementimi i këtij projekti i cili synon përmirësimin e arsimit sipërmarrës të universiteteve në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë.

‘Këtë trajnim e kemi në shtetet tjera, ndërsa tani e fillojmë edhe në Maqedoni.  Kursi do të jetë për të punësuarit në komunën e Gostivarit dhe Tetovës, do të zgjasë tre muaj dhe shpresojmë se do ta përmirësojë njohurinë e këtyre punonjësve për kushtet në bizneset e reja, inkurajimin e tyre, problemet me financimin e bizneseve të reja, dimensione ligjore e kështu me radhë, si dhe rëndësinë e problemeve të zhvillimit lokal dhe se si ato çështje mund të zgjidhen në nivel lokal. Shpresojmë se kjo do të jetë një kontribut i vogël, drejt zgjidhjes së një pjese të problemeve ekonomike në rajon’, theksoi prof. Hash.

‘Konsideroj se Tempus programi i cili implementohet në komunën tonë do të rezultojë me gjetjen e alternativave të reja, ideve të reja për mbështetje të bizneseve. Me këtë do të përcjellim mesazhin ‘nëse keni ide të mirë dhe aftësi, do ta tejkaloni problemin me financat dhe problemet me të cilat ballafaqohen bizneset në bashkëpunim me institucionet’,  theksoi kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button