Osmani: Euro-perspektiva të qarta për mbylljen e sfidave rajonale

Zëvendës Kryetari i Qeverisë së Republikë së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Kroacisë, realizoi takime me përfaqësues të lartë politik të Parlamentit Kroat. Ai realizoi takim me nënkryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Zheljko Rajner, me nënkryetarët e Komisionit për çështje evropiane dhe Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Domagoj Ivan Millosheviq dhe Miro Kovaç, ku u hap tema e bashkëpunimit mes dy parlamenteve, bashkëpunimi rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit evropian, si dhe perspektivat evropiane të tërë rajonit.

“Zëvendëskryeministri Osmani, në takime, potencoi frymën e re politike në Republikën e Maqedonisë, e cila përmban optimizëm evropian dhe e cila është zgjeruar në tërë rajonin, por edhe tek vendet anëtare të Unionit. Me të shumtën e bashkëbiseduesve u këmbyen mendime rreth sfidave me të cilat ballafaqohet rajoni, mënyra se si të sigurohet kredibilitet i perspektivave evropiane, për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Në takime, u diskutua edhe për ballafaqimin me sfidat evropiane, siç janë lajmet e rrejshme, rritja e populizmit radikal, nacionalizimit, ndikimit gjeopolitik nga Lindja, sfidat e krizës së migrantëve etj. U konstatua se të gjitha sfidat rajonale dhe evropiane të Ballkanit, duhet të zgjidhen duke u bazuar në vlerat evropiane, dhe përmes përforcimit të perspektivave evropiane të rajonit, si dhe përmes ruajtjes së kredibilitetit të procesit të zgjerimit. “Vetëm perspektivat kredibile evropiane dhe euroatlantike të Ballkanit mund tu japin fund sfidave rajonale” theksoi Osmani”, thuhet në kumtesën e SÇE-së.

Në kuadër të vizitës në Kroaci, Osmani realizoi takim edhe me homologen e tij Marija Pejçinoviq-Buriq, Zëvendës Kryetare e Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Ministre për punë të jashtme dhe çështje evropiane, e në margjinat e vizitës, Osmani kishte edhe fjalën e tij para përfaqësuesve diplomatik në Kroaci, në hapësirat e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Zagreb, me temë: “Faqe e re për Maqedoninë: 2018 – viti i perspektivës kredibile për zgjerim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button