Mediat greke: Nga fundi i muajit pritet nismë e ndërmjetësuesit Nimic për çështjen e emrit

Nga fundi i nëntorit pritet nisma e ndërmjetësit Methju Nimic për emrin e Maqedonisë, me qëllim që dy vendet të arrijnë marrëveshje që të tërhiqet vetoja greke dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s në Samitin e Aleancës në korrik të vitit të ardhshëm.

Këtë sot e shkruan gazeta greke “Real njuz”, duke theksuar se “fitorja e madhe e koalicionit e kryesuar nga Zoran Zaev në zgjedhjet lokale në Maqedoni solli optimizëm në bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhje të kontestit, ndërsa Qeveria greke pret hapa të ‘vullnetit të mirë’ nga vendi fqinj siç janë riemërimi i aeroportit të Shkupit ‘Aleksandri i Madh’ ose heqja e përmendoreve dhe statujave të cilat nxisin irredentizëm”.

Ndërkohë, vazhdon puna e Masave për ndërtim të besimit mes dy vendeve, sidomos në vendkalimin kufitar afër Prespës, si dhe organizimi i ngjarjeve kulturore në rajon, shton gazeta.

Në të njëjtën kohë edhe “Rizospastis” shkruan se “nga të gjitha anët vijnë raporte për ripërtëritje të bisedimeve për emrin e Maqedonisë”: Sipas gazetës, qëllimi është që të hapet rruga që Maqedonia të hyjë në NATO në samitin më 11 dhe 12 korrik të vitit të ardhshëm.

“Që të dramatizohen ngjarjet dhe të karakterizohen si urgjente bisedimet për emrin, ministri grek i Punëve të Jashtme në një intervistë tha se çështja duhet të zgjidhet në gjysmën e parë të vitit 2018… Nëse nuk zgjidhet do të ketë vështirësi të mëdha. Nëse zgjidhet, nevojiten tre deri në katër muaj procedurë burokratike në KB. Kështu, duhet të zgjidhet deri në fund të vitit 2018, për shkak se viti 2019 do të fillojë me zgjedhje për president në vendin fqinj, e pastaj, në verë edhe në Greqi do të ketë zgjedhje”, përkujton “Rizospastis”. 

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, për gazetën greke “Katimerini” tha se plaga nacionale e cila u hap para 26 viteve do të shërohet deri në vitin 2018.

“Besoj se çështja e emrit do të zgjidhet deri në gjysmën e parë të vitit 2018”, deklaroi Kozias. Sipas tij në të kundërtën do të ketë ‘komplikime të mëdha’. Ai shtoi se pas zgjidhjes së tij do të ngelen “tre katër muaj burokraci në Kombet e Bashkuara”, tha Koxias.

Ditë më parë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se deri në fund të muajit do të ketë takime me ndërmjetësin Nimic.

“Për mua vjen një periudhë e zgjidhjes së problemeve dhe duhet t’i zgjidhim me urtësi, me mbrojtje ndaj shtetit dhe t’i japim të ardhme Maqedonisë. Kemi thënë se këtë çështje do ta zgjidhim së bashku me opozitën dhe me faktorët tjerë kyç në vend, presidentin, Parlamentin, Qeverinë dhe opinionin, por në funksion të gjetjes së zgjidhjes, e jo të bllokimit ose anulimit të këtij problemi”, theksoi Zaev.

LEXO PËR MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button