Tetova feston Ditën e Evropës

Komuna e Tetovës i është bashkuar sot festës së 9 majit-Ditës së Evropës. Janë organizuar mini ekspozita nga shkollat fillore që grafitojnë në Komunën e Tetovës dhe një program i pasur artistik kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

“Jemi sot këtu për të shënuar 9 majin-ditën e Evropës, si një ngjarje tepër të rëndësishme të paqes dhe unitetit evropian. Pikërisht kjo datë shënon ëndrrën e madhe të Bashkimit Evropian, rrugën e pakthyeshme të vlerave më të larta të shumëllojshmërisë kulturore në suaza të familjes së madhe europiane që tashmë është konkretizuar në principe dhe institucione të konsoliduara”, tha udhëheqësi i sektorit për Veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Iljaz Halimi.

Ai tha se kjo ditë gjithnjë na frymëzon me idenë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, e kësaj familjeje të madhe që nënkupton afirmimin dhe përkushtimin ndaj një shoqërie të hapur dhe progresive.

Sipas tij, Komuna e Tetovës, gjithnjë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar në promovimin dhe fuqizimin e vlerave evropiane si një mundësi për të ndërtuar një demokraci lokale funksionale në dobi të të gjithë qytetarëve.

“Shprehim bindjen e thellë që kjo është rruga e vetme e progresit që bazohet në vlerat më të mira njerëzore, në edukim dhe në shpërndarjen e njohurive”, shtoi Halimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button