I vranë zotat në tepe të kokës

Duke i ndjekur protestat e së premtes, e pyeta veten sa prej këtyre të rinjve me bajrakë të gjelbër në duar dhe thirrje arabe në buzë kanë dëgjuar për CRS-në (Shërbimet katolike për ndihmë), prania e së cilës në Maqedoni sivjet e feston njëzet-vjetorin.

Nuk besoj se shumë kanë dëgjuar për të, edhe pse do të duhej të dinë, për shkak se dukë iu falënderuar kësaj organizate katolike bamirëse amerikane, por edhe urtësisë së kryetarit të atëhershëm dhe të tanishëm të BIM-it Sulejman Rexhepi, shumë prej prindërve të tyre në fillim të viteve të 90-ta merrnin ndihmë humanitare në ushqim, pajisje shkollore e dru për ngrohje.

Mijëra qytetarë të këtij shteti, duke i përfshirë edhe ata të besimit islam, por edhe mijëra refugjatë nga Bosnja, Kroacia dhe Kosova, mbijetuan dhe i rritën pasardhësit e tyre duke iu falënderuar dhjetëra milionë dollarëve prej besimtarëve të Kishës katolike dhe qytetarëve amerikanë, të dhuruara për shpëtim të njerëzve të panjohur diku larg, të besimit apo kombit tjetër. 

Shkurtesa CRS sot zbehet në kutitë e gjuajtura në bodrume e tavane. Zbehet edhe kujtimi i miqve të mi të dashur Xhenifer, Liza, Sara, Bruno, Dezire, Roberta, Tino, Hajke, Françeska. Është i pamjaftueshëm edhe falënderimi im personal deri te ata për tërë atë që e kanë bërë për njerëzit e këtij nënqielli dhe për ata të rinj të cilët sot nuk janë as të vetëdijshëm që shumë prej tyre do të kishin një jetë krejtësisht tjetër po të mos ishin ato dhurata të vogla të dhëna në emër të dashurisë ekumenike njerëzore. 

Por t’i kthehemi të sotmes tronditëse ku viktimat dhe të afërmit e tyre sikur janë gjuajtur anash dhe tragjedia e tyre sikur përsëri është shfrytëzuar për pikë afatshkurtra triumfaliste politike. Pas arrestimeve spektakulare të “islamistëve radikalë” para kamerave, dhe lirimit të heshtur të një numri të madh të tyre, imponohet dilema – a kërkonte kjo qeveri motive apo kriminelë? Duke gjykuar sipas radhitjes së ngjarjeve, fitohet përshtypja që fokusi ka qenë mbi motivet.

Megjithatë, efektet dhe autenticiteti i tërë hetimit do të ishte më i bindshëm dhe më i vështirë për t’u manipuluar nëse fokusi do të bazohej në fakte me të cilat do të dëshmohej lidhshmëria e drejtpërdrejtë e krimit. Së këndejmi, akuzat për islamizëm radikal si motiv ndoshta janë “seksi” nga aspekti medial, por në mungesë të fakteve dhe dëshmive konkrete qasja e tillë do të rezultojë me përforcim plotësues të manipulimit të decibelazheve religjioze në opinion, të cilat plotësisht do t’i shurdhojnë argumentet e hetimit. 

Prandaj, nga pieteti për të vrarët dhe familjet e tyre, t’i ruajmë këto atome të fundit të shpresës se institucionet kompetente do të gjejnë fuqi në vete që t’i rregullojnë prioritetet dhe t’i tregojnë vrasësit sipas asaj që është dëshmuar nga aspekti kriminalistik dhe në gjykatë, në vend se të animohet dhe të hutohet opinioni sipas dëshirave politike apo nacionaliste. E nëse hetimet tregojnë dhe dëshmojnë që pas vrasjeve vërtet qëndrojnë persona të inspiruar nga “radikalizmi islam”, në vend të protestave dhe parullave arabe do të ishte më e përshtatshme që të aplikohet gjyqi islamik për ekskomunikim nga besimi, i quajtur “jashtë Islamit”. 

Por, nga ana tjetër nuk mund të anashkalohet manipulimi pezhorativ i religjionit nga ana e disa partive politike të cilat me këmbëngulje e keqpërdorin Islamin për të fituar pikë nëpërmjet ndërtimit të imazhit të kinse mbrojtësve të krishterimit. E njëkohësisht heshtazi kalojnë përtej shpërthimeve të hapura të fundamentalizmit të krishterë dhe urrejtjes së padënuar ndaj myslimanëve, me çka vetëm vërtetojnë që te ne ka tepër religjion dhe shumë pak besim, tepër Krisht e Muhamed e shumë pak Zot. 

Në fakt, çfarë është ajo politikë demokristiane e cila hesht, toleron, e madje edhe tërthorazi financon shpërthime pornografike të urrejtjes si që mund të shihnim në Vevçan? Çka është e krishterë në tolerimin e thirrjeve për lartësim të veprimeve të një Brejviku ose në thirrjen për vdekje të njerëzve për shkak të mendimit të ndryshëm? Fatkeqësisht, raporti i tillë ndaj frymës së krishterimit nuk mund mos të na e përkujtojë një këngë të njohur të disa kohërave tjera – “ylli pesëcepësh me pesë brirë / luftojmë kundër Zotit / nuk luftojmë kundër Krishtit/ Krishti ishte komunist” (“petokraka sa pet roga / borimo se protiv Boga / ne borimo se protiv Hrista / Hrist je bio komunista”).

Për dallim nga Shqipëria dhe Kosova, disa prej partive politike shqiptare në Maqedoni janë deklarativisht kombëtare, por në aspekt operativ thellësisht të lidhura në flirt me religjionin, bioritmi i të cilit e fiton zenitin e vet para secilit raund të zgjedhjeve.

Flirti i tillë për një grusht votash prej shtresave më të varfra dhe lehtë të manipuluara të shoqërisë tani ngadalë kërcënohet të kalojë në grusht të drejtuar kundër indit politik dhe të identitetit të shoqërisë shqiptare.

Në fakt, edhe pse lojërat manipulative të identitetit lidhen kryesisht me maqedonasit, e vërteta është që në kohë ose madje edhe më herët manipulimet e tilla janë paraqitur edhe te shqiptarët. Kjo është realizuar nëpërmjet pohimeve kuazi-intelektuale për njëfarë “shumice të identiteteve të shqiptarëve në rajon”, pas së cilave në fakt fshihet një projekt thjesht profiterik për kontroll dhe manipulim të votuesve shqiptarë dhe mbajtje të tyre në një kope të ndarë të identitetit, të bazuar në shqiptari dhe Islam. 

Qasja e tillë “shkencore”, e kombinuar me institucione të dobëta politike, arsimore dhe kulturore, korrupsion, krim e nepotizëm në rritje, në praktikë solli deri te forcimi i ndjenjës religjioze në llogari të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni. Së këndejmi, prezenca e zëshme e Islamit nuk është rezultat i ndonjë parapërcaktimi të shqiptarëve ndaj besimit, por i shkatërrimit të etikës së kauzës politike shqiptare nga ana e përfaqësuesve të saj dhe opsesionit të tyre të verbër personal-profiterik me para, fuqi dhe famë – me çdo kusht. 

Vetëdija për ndikimin e religjionit është e pranishme te të gjitha partitë politike shqiptare, të cilat flirtin e tyre e fshehin (pa)suksesshëm me lartësim deklarativ  të veprimtarëve ortodoksë shqiptarë ose betim në Nënën Terezë, kurse në terren bashkëveprojnë me përfaqësuesit e biznes-Islamit në luftë për sigurim të votave në zgjedhje. Me fjalë tjera, de fakto interesi afatshkurtër politik mbizotëron mbi de fakto maskën deklarative.

Por, edhe pse nuk duhet të nënçmohet, megjithatë ndikimi i Islamit mbi identitetin kombëtar të shqiptarëve është në rënie të vazhdueshme, madje të shpejtë, dukë iu falënderuar qëndrimit të qartë dhe pa mëdyshje zyrtar, politik dhe medial nga ana e Shqipërisë dhe Kosovës si piemonte të vetëdijes kombëtare shqiptare, por edhe gjeneratave më të reja, të cilat, edhe pse e kultivojnë komponentin etik të Islamit si përcaktim intim, refuzojnë ta pranojnë atë në suaza politike apo kombëtare.

Nga aspekti territorial, ndikimi i Islamit politik është ende i pranishëm në Shkup dhe deri diku në Kumanovë, edhe atë për shkak të gjendjes tepër të rëndë ekonomike. Por, edhe në këto vende ndjehet një rënie e konsiderueshme e ndikimit dhe rritje e vetëdijes që religjioni është biznes prej të cilit të pasurit pasurohen edhe më shumë, kurse të varfrit janë të dënuar me rënie në gjunjë.

Lajme të ngjashme

Back to top button