Maqedonia në NATO, ja çfarë mund të pritet nga Rusia

Pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se mund të pritet reagim i ashpër nga Rusia nëse Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se nëse realizohen reformat dhe ecet në rrugën drejt eurointegrimeve, atëherë presionet nga Rusia nuk do të kenë efekt, shkruan Portalb.mk

Drejtues i Qendrës për Studime të Sigurisë, Selim Ibrahimi thotë për Portalb.mk se Rusia synon që shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtarësuar në NATO të qëndrojnë anësh kësaj aleance ose të mbajnë qëndrim neutral.

“Që nga viti 2009 Rusia me të gjitha mjetet e diplomacisë së butë, propagandës informative dhe ndërhyrjeve hibride e ka dominuar Ballkanin dhe Maqedoninë deri në pranverë të këtij viti. Në Mal të Zi nëpërmjet influencës në sektorin privat dhe atë inteligjent arriti të organizojë sulme të fshehta kundër qeveritareve pro amerikan të Malit të Zi. Në fakt influenca ruse vazhdon në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni duke i përdorur mjetet sociale dhe politikanët lokalë. Rusia synon që shtetet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtarësuar në NATO të qëndrojnë anësh kësaj aleance ose të mbajnë qëndrim neutral”, tha për Portalb.mk, Ibrahimi.

Ai shtoi se “argumenti tjetër është se NATO ende nuk ka caktuar datë për pranimin e Maqedonisë dhe e gjithë loja do të varret nga Maqedonia dhe pala greke. Në një farë shkallë mund të rritet presioni informativ ndaj qeverisë, por pasi pozita gjeografike e Maqedonisë nuk është frontale njëkohësisht rreziku direkt nga intervenimi ushtarak rus është minimal”.

“Maqedonia aktualisht është jashtë “Intermariumit” që po zhvillohet në Evropën Lindore. Aktualisht e vetmja situatë që do të shkonte në favor të Kremlinit do të ishte destabilizimi i Maqedonisë nga brenda dhe për këtë qeveria e kryeministrit Zoran Zaev duhet t’i përfundojë reformat dhe t’i zgjidhë problemet ndëretnike. Rusia në planin rajonal do të vazhdojë të tregojë interesim për Ballkanin edhe gjatë dekadës së tretë. Skenari më i keq për Maqedoninë dhe Ballkanin do të ishte në rast se do të kemi ndonjë ndryshim radikal në sistemin ndërkombëtar e cila do të prodhonte një rend të ri gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Amerikanët në disa momente që nga viti 1999 kanë bërë disa shkëputje nga rajoni. Tani në plan afatgjatë do të varret nga administrata e presidentit Donald Trump se si do të vazhdojnë të influencojnë më tej amerikanët në Ballkan. Koncentrimi i tejskajshëm amerikan në Azi Juglindore,Paqësor dhe në Lindjen e Mesme shihen si gjasa të reja për Rusinë që me anë të sulmeve hibrid, atyre kibernetike dhe diplomacisë së butë t’i influencojë politikat e jashtme dhe ushtarake nga Baltiku e deri në Ballkan. Maqedonia nuk duhet të bëhet pjesë e konceptit të “Rusisë Ballkanike” ose të qëndrojë neutrale. Në fund i gjithë procesi i ndryshimit të emrit, dhe anëtarësimi në NATO do të varen nga vetë qytetarët e Maqedonisë”, shprehet Ibrahimi.

Ministri i parë i punëve të jashtme në Maqedoninë e pavarur, Denko Maleski sqaron për Portalb.mk se nuk do të kete presione nga Rusia nëse ne në shtëpi i kryejmë punët si duhet.

“Nuk do të kete presione nga Rusia nëse ne në shtëpi kryejmë punët, nëse jemi të gatshëm për bisedimet të cilat paralajmërohen, nëse krijojmë një tolerancë të të gjitha partive në Maqedoni rreth arritjes së kompromisit që të bëhemi gati për atë rrugë. Në të kundërtën, nëse ne hyjmë të papërgatitur në ato bisedime, dhe të njëjtat nuk kanë sukses, atëherë me të vërtetë mund të ballafaqohemi me presione të lloj llojshme, edhe me ato të Rusisë”, tha për Portalb, Maleski.

Ndërkaq kryeministri Zaev në intervistën e tij u shpreh se “Ne jemi gati. Shteti im nuk ka alternativë tjetër. Unë them kështu: ne duam ta rrisim bashkëpunimin me Rusinë, duam që sa më shumë domate të shesim atje, gjithashtu lakër dhe të gjitha produktet bujqësore që ne i prodhojmë. Por ne nuk kemi alternativë për NATO”.

Gjasa reale për t’u zgjidhur çështja e emrit me Greqinë

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike para disa ditësh për Portalb.mk u shprehen se Maqedonia po shkon drejt eurointegrimeve me premtimin e zgjidhjes së çështjes së emrit, gjë të cilën e premtoi edhe ministri i jashtëm grek Niko Kozias, i cili tha se kjo çështje pritet të zgjidhet në vitin 2018.

Pas zgjedhjeve lokale të cilat u zhvilluan në Maqedoni, pritet që të intensifikohen veprimet qeveritare lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, gjë  që do të zhbllokonte procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, njofton Portalb.mk. Njohësit e politikës së jashtme thonë se pritet që negociatat me shtetin fqinj të vazhdojnë në mënyrë intensive dhe se nuk është çudi që brenda vitit 2018 të zgjidhet kjo çështje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button