Rasti “Kumanova”, gjyqësori në Maqedoni në shënjestër të kritikave

Reformat në gjyqësi duhet të jenë thelbësore dhe të nisin të realizohen sa më parë që të jetë e mundur, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike në Maqedoni, duke komentuar zhvillimet e fundit pas dënimit të grupit të Kumanovës me 736 vjet burg për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në këtë qytet.

Nevoja për reforma urgjente sipas Dane Ilievit, ish-kryetar i Gjykatës Supreme vjen edhe për shkak të ngecjes së më shumë proceseve tjera që kanë të bëjnë me ndjekjen e dhjetëra ish-zyrtarëve të tjerë të dyshuar për shpërdorime të detyrës dhe vepra të rënda penale. Por, Iliev thotë se reformat nuk po zhvillohen në pikat më kritike të gjyqësorit, shkruan REL.

“Në disa segmente për të cilat vlerësime janë dhënë edhe nga Brukseli, rezulton se reforma është e panevojshme, në disa të tjera reforma është thuajse sipërfaqësore dhe pa të dhëna konkrete se çfarë duhet të bëhet. Vlerësoj se pa detektimin e faktorëve kyç që kanë sjellë në këtë gjendje gjyqësorin, nuk mund të presim reforma, pa apostrofimin e atyre segmenteve që e rrezikojnë sundimin e së drejtës. Gishti në radhë të parë duhet drejtuar tek Këshill Gjyqësor, i cili edhe bëri emërimin e gjykatësve i ndikuar nga politika, zgjedhjen e kuadrove problematikë për anëtarë të këshillit, të cilët fare nuk e kanë idenë për rolin e tyre, por që deri tani vetëm se kanë zbatuar udhëzimet partiake se kush çfarë duhet të punojë”, thotë Iliev.

Nga ana tjetër, Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese, thotë se një segment shumë i rëndësishëm që duhet të t’i nënshtrohet reformës është edhe Këshilli i Prokurorëve, i cili së bashku me Këshillin Gjyqësor, përbën sistemin e drejtësisë. Kadriu beson se pas zgjedhjes së prokurorit të ri që është në fazën përfundimtare, pas shkarkimit të prokurorit kundërthënës, Marko Zvërvlevski, do të ketë sinjal pozitiv për reforma. Por, ai thotë se ky proces nuk mund të jetë e plotë edhe pa dhënien e përgjegjësisë të atyre që e sollën gjyqësorin në këtë gjendje.

“Mendoj se pas zgjedhjes së prokurorit duhet të fillohet edhe me përgjegjësinë konkrete edhe të prokurorëve dhe të gjykatësve. Ata dihen edhe në numër, por edhe me emër e mbiemër. Përgjegjësia duhet të nisë me shkarkimin e tyre nga pozita, ndërsa disa prej tyre, përveç shkarkimit duhet të ndiqen edhe penalisht, pasi gjatë ushtrimit të detyrës kanë bërë edhe vepra penale konkrete. Ne nuk duhet të harrojmë se detyra kryesore e pushtetit gjyqësor është luftimi i krimit dhe korrupsionit, ndërsa në të dyja këto dukuri i kemi të pranishëm pikërisht në gjyqësor, prandaj duhet të ketë përgjegjësi penale”, thotë Kadriu.

Për nevojën e riorganizimit të tërësisht të gjyqësorit flet edhe Dane Iliev ish-kryetar i Gjykatës Supreme. Ai thotë se gjendja mund të përmirësohet, por pa detektuar problemin kryesor në ngecjen e gjyqësorit apo politizimin e tij në shkallën më të mundshme.

“Kjo mund të tejkalohet me zgjedhjen e gjykatësve të rinj dhe me riorganizimin e gjyqësisë në përgjithësi. Është absurde të veprohet edhe më tej në stilin se sot do të punoni në lëndët penale, ndërsa nesër në lëndët kundërvajtëse. Nuk duhet lejuar një sjellje e tillë e kryetarëve të gjykatave që të caktojë lëndët gjykatësve, varësisht interesit të tij apo të atyre që e kanë caktuar në atë pozitë. Duhet të ketë ngritje profesionale dhe gjykatësve të mos u ndërrohen sferat e veprimit, një ditë të gjykojë për krime të rënda ndërsa tjetrën ditë për ndonjë aksident trafiku”, thotë Dane Iliev, ish-kryetar i Gjykatës Supreme.

Reforma në gjyqësor është një nga pikat kryesore të raportit të grupit të ekspertit të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga gjermani Rajnhard Pribe, i cili ka detektuar pikat më dobëta jo vetëm të sistemit të drejtësisë, por edhe të institucioneve tjera në vend.

LEXO: Shtatë shekuj e gjysmë burg dhe shtatë burgime të përjetshme “Grupin e Kumanovës” (FOTO+VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button