Ja cilat janë 40 gratë më të pasura në Shqipëri

Meshkujt fitojnë më shumë sesa gratë dhe mbizotërojnë në listat e më të pasurve. Megjithatë, ka edhe gra që kanë arritur të ngrenë biznese të fuqishme dhe emrat e tyre i shohim të thyejnë monotoninë mashkullore në renditjet e personave më të pasur, në botë apo në Shqipëri. Kjo renditje përqendrohet vetëm te pasuria e grave nga të ardhurat e kompanive që zotërojnë, të themeluara nga vetë ato apo bashkëshortët e tyre.

Revista “Monitor” ka përpunuar për të tretin vit radhazi të dhënat e kompanive më të mëdha në Shqipëri, sipas qarkullimit vjetor, duke hartuar listën e 40 femrave më të ardhura më të larta. Në renditje janë përfshirë bizneset, që kanë të paktën një aksionere femër me minimumin 30% të aksioneve. Edhe pse ato kanë qëndruar larg jetës publike, madje është vështirë t’u gjesh dhe foto, kjo nuk do të thotë asgjë për suksesin e biznesit të tyre.

Edhe këtë vit, në listë janë sipërmarrëse të suksesshme prej vitesh, si Vilma Nushi, Donika Mici, Merita Sheqi, Eleni Babameto, Donika Gega. Nuk mungojnë hyrjet e reja të bizneseve të drejtuara nga femrat, që më së shumti janë në tregti, me vlerë të ulët të shtuar dhe pa ndikim në punësim apo pagimin e taksave. Ajo që bie në sy është norma e ulët e fitimit e bizneseve që janë në pronësi të sipërmarrëseve, në krahasim me bizneset e drejtuara nga meshkujt, mesatarisht 2-3% e të ardhurave janë fitime.

Anisa Skëndaj

Sipërmarrësja më e madhe në vend, sipas qarkullimit vjetor, është për të tretin vit radhazi Anisa Skëndaj. Kompania Info Telecom, ku ajo ka 60% të aksioneve, realizoi 12.5 miliardë lekë të ardhura. Kompania ka aktivitet si ndërmjetësuese në fushën e telekomunikacionit. Po në fushën e telekomunikacioneve, subjekti DigiCom (shërbime interneti, telefonie, fibra optike, linja me qira, VoiP), i krijuar në korrik 2014, ka realizuar të ardhura prej 171 milionë lekësh. Sipërmarrja tjetër, ku znj. Skëndaj ka 30% të aksioneve, është Professional Marketing Albania, e themeluar që në vitin 2011, me aktivitet në call center dhe të ardhura vjetore 1.2 miliardë lekë.

Vilma Nushi

Vilma Nushi është një prej sipërmarrëseve të para të pas viteve ’90, e cila ka mbajtur gjithnjë një profil të ulët në publik. Kompania Marketing & Distribution (M&D), ku ajo ka 100% të aksioneve, është krijuar në vitin 1997 dhe është një prej distributorëve më të mëdhenj në vend. Marketing & Distribution realizoi të ardhura prej 10.4 miliardë lekësh në vitin 2016 dhe kishte 324 të punësuar. Fitimet para taksave ishin 318 milionë lekë, me një normë kthimi rreth 3%. Dy kompanitë e saj, M&D dhe 3P Life Logistic (që realizon Koncesioni për kontrollin mjekësor 40-65 vjeç dhe ku M&D ka 80% të aksioneve) deklaruan fitime para taksave prej 389 milionë lekësh në vitin 2016, apo rreth 2.8 milionë euro, duke e bërë sipërmarrësen femër me fitimet më të larta.

Femrat e familjes Hoxha

Prej vitesh, femrat e familjes Hoxha (Vjollca, Lorela, Sara, Ledia) po menaxhojnë bizneset në fushën e televizionit, radios dhe përpunimit të kafesë. DIGITALB, platforma më e madhe televizive, ku ato kanë rreth 41% të aksioneve, është biznesi më i madh i familjes. Në Top Channel, Valtelina (përpunim i kafesë) dhe VGA (botim e prodhim reklamash), pronësia është 100% e familjes.

Të gjitha bizneset e grupit, në total, kishin të ardhura prej 7.9 miliardë lekësh në 2016-n dhe fitime prej 225 milionë lekësh, ndërsa përqindja e fitimeve, sipas peshës në kompanitë përkatëse, është rreth 132 milionë lekë (më pak se 1 milion euro).

Merita Sheqi

Merita Sheqi e ka nisur aktivitetin e biznesit që në vitin 1999, së bashku me bashkëshortin dhe sot është sipërmarrëse e kompanisë më të madhe të tregtimit të produkteve farmaceutike në vend, Rejsi Farma. Kompania realizoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh në vitin 2016, me një rritje prej 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këmbëngulja, personaliteti, kuraja dhe puna për t’i dhënë kompanisë standarde europiane e kanë karakterizuar gjithnjë znj. Sheqi, duke bërë që sipërmarrja që ajo drejton të dallohet në treg.

Në vitin 2014, ajo ka krijuar dhe sipërmarrjen R&S FARMA, me aktivitet “Tregti me shumicë e pakicë të medikamenteve, artikujve farmaceutikë e kozmetikë”, i cili është rritur me shpejtësi, duke realizuar të ardhura prej 606 milionë lekësh në 2016-n. Të dyja kompanitë kishin fitime prej 164 milionë lekësh (1.2 milionë euro) në vitin 2016.

Donike Gega

Donike Gega zotëron 100% të aksioneve të GEGA CENTER GKG, kompani e cila është krijuar në vitin 2006 dhe si aktivitet ka “Tregtimin me pakicë të karburanteve e lubrifikanteve, pikë gazi e transport i tij”. Ajo është bërë aksionere e kompanisë që prej fillimit të vitit 2012. Për vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 3.2 miliardë lekë, ndërsa fitimet arritën në rreth 160 milionë lekë (gati 1.2 milionë euro).

Znj. Gega është aktive në bizneset e familjes Gega, teksa është administratore edhe e Gega Oil dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të “Genklaudis”, një prej sipërmarrjeve më të mëdha të tregtimit me shumicë të naftës në vend.

Donika Mici

E cilësuar edhe si “mbretëresha e këpucëve”, Donika Mici është punëdhënësja më e madhe femër në vend, me rreth 1800 të punësuar në Donniana, Dophil, Rozimpex. Znj. Mici është nga të parat e cila guxoi të mbyllte ciklin e prodhimit të këpucëve dhe sot ka dalë direkt në tregjet botërore. Të ardhurat e tre kompanive ishin 2.9 miliardë lekë në vitin 2016, me rritje 5% me bazë vjetore. Fitimet para taksave të tre kompanive ishin 85 milionë lekë, ndërsa sipas peshës së aksioneve të znj. Mici, arritën 30 milionë lekë. Krahas këpucëve, znj. Mici ka hapur në vitin 2016 aktivitet për prodhimin e çantave të lëkurës, nëpërmjet DonaElegant.

Hyrjet e reja

Ina Topalli (Global Resource Trading); Alba Nicoli (ALPI-COM HOLDING); Elida Flora (R.E.K-NB) janë hyrje të reja në dhjetë të mëdhatë sipas qarkullimit vjetor, me të ardhura që luhaten midis 3-3.8 miliardë lekë, por më shumë sesa aktivitet real, ato raportojnë xhiro të lartë, për shkak të natyrës tregtare të aktivitetit.

Një tjetër hyrje është Melika Leka, me kompaninë e përpunimit të sallamit, EHW, e cila këtë vit renditet ndër sipërmarrëset më të mëdha, teksa Luan Leka, në prill 2016, ka kaluar një kuotë të aksioneve prej 33% tek bashkëshortja, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

EHW në vitin 2016 ka deklaruar bilanc të konsoliduar, së bashku me Dilo (uji Qafë Shtama) dhe Conad Albania, çka ka bërë që xhiro e kompanisë të kërcejë në rreth 5 miliardë lekë. Fitimet arritën në 302 milionë lekë.

Romina Ylli

Që prej vitit 2013, Romina Ylli (Shemaj) është në listën e sipërmarrëseve më të mëdha në vend për nga xhiro, me kompaninë e tregtimit me shumicë të karburanteve AFT, ku ajo zotëron 100% të aksioneve. Në vitin 2016, të ardhurat e AFT arritën në 2.8 miliardë lekë, ndërsa fitimet para taksave ishin rreth 31 milionë lekë. Kompania është në gjurmën e “Shemaj sh.p.k.” në vitin 1994, ku kompania kishte aktivitet në sektorin e tregtimit me pakicë të naftës. Me rritjen e përvojës, numrit të klientëve dhe kërkesës, u krijua AFT, me aktivitet në tregtimin me shumicë, që tashmë synon edhe zgjerimin në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare.

Mimoza Çobo

E krijuar në vitin 2005, shoqëria D E N I S A, është 100% në pronësi të znj. Denisa Çobo. Kompania, sipas ekstraktit në QKB, ka aktivitet në tregti, import-eksport njëkohësisht dhe prodhim: të artikujve të ndryshëm industrialë, artikujve ushqimorë, kancelari dhe artikuj, konfeksione e tekstile, makineri e pajisje. Për vitin 2016, të ardhurat e subjektit ishin 2.4 miliardë lekë, ndërsa fitimi para taksave arriti në 63.5 milionë lekë.

Eleni Babameto

Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumërave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë, prej më shumë se 20 vitesh drejtohet nga çifti i bashkëshortëve Eleni dhe Arben Babameto, me nga 50% të aksioneve secili. “Sipërmarrja sot është shumë më e organizuar, ka departamente të ndryshme, si prodhimi, financa, shpërndarja, transporti, marrëdhëniet me publikun, personelin, ku secili vepron në mënyrë të pavarur, por dhe të harmonizuar me njëri-tjetrin, duke ndihmuar dhe jo duke penguar njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Në vitin 2016, të ardhurat e kompanisë ishin 2.2 miliardë lekë dhe fitimet rreth 92 milionë lekë.

Në drejtim të televizioneve

Me bashkëshortët apo vetëm, femrat të cilat kanë në pronësi televizionet më të mëdha, nuk mungojnë. Vjollca Hoxha me fëmijët tashmë ka marrë në pronësi të gjithë televizionin Top Channel, më i madhi në vend për sa u përket të ardhurave, ndërsa ka një kuotë zotëruese prej 51% të aksioneve në platformën televizive me pagesë Digitalb (së bashku me 4 fëmijët).

Alba Ginaj ka në pronësi 40% të aksioneve të TV Klan dhe 20% në ABC News. Femrat e familjes Dulaku kanë pasur shumicën zotëruese edhe në platformën televizive me pagesë, Tring TV, por në dhjetor 2016 Holta Dulaku (e cila kishte 33% të aksioneve), Melina Dulaku – 33%; Ridvana Dulaku – 34% kanë shitur 80% të aksioneve te Sotiraq Toshi dhe kanë mbajtur të tria 20% të aksioneve për 200 milionë lekë, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Pasioni i turizmit

Entela Mehmeti e ALBTOURS”D”-VAS tour-operator; Eleonora Gjonpalaj e Globus Travel; Vojsava Bardhidhe Jeta Bardhi të Savatours janë në listën e sipërmarrëseve më të mëdha femra, me xhiro përkatësisht 1.9 miliardë lekë, 1.8 miliardë lekë dhe 752 milionë lekë. Në vite, ato janë rritur dhe kanë shtuar gamën e shërbimeve që ofrojnë për klientët, që i ndihmojnë të pushojnë në çdo cep të botës. Fitimet më të larta i kishte Sava Tours, me 73 milionë lekë në vitin 2016.

Agjencitë e udhëtimit, që prej vitit 2015, janë në listën e sipërmarrjeve më të mëdha në vend sipas xhiros, edhe për shkak të një ndryshimi në mënyrën e raportimit të agjencive të udhëtimit, ku në të ardhurat përfshihet vlera totale e shitjeve të biletave e shërbimeve të ngjashme, në ndryshim nga periudhat paraardhëse, ku të ardhurat përfaqësonin komisionet e përfituara nga shitja e biletave dhe shërbimeve.

Bizneset me norma më të larta fitimi

Nga sipërmarrjet në pronësi të femrave të cilat kanë norma më të larta kthimi (fitim para taksave/ardhura) renditen TV Klan (25%); ELBA. e Elda Tomçinit, me normë 18%, ABCONS e Arta Gurabardhit.

Në vitin 2015 kompania me të ardhura më të larta me një sipërmarrëse femër, ishte ABCONS e cila punon si nënkontraktore e gazsjellësit TAP, që është një nga kompanitë më të mëdha në vend.

Burimi: Monitor.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button