Mbaje frikën për veten tënde, por ndaj frymëzimin me të tjerët!

Me rastin e botimit të librit “Me besim të thellë në jetë të mbarë“ të autorit Idriz Ramadani 

Të dashur vëllezër dhe motra, libri që keni në dorë botohet me rastin e njëvjetorit të vdekjes së babit tim të cilit do t’i përkulem përgjithmonë me respektin më të madh.

Babai im ka qenë njeri me tipare të larta morale, me temperament të gjallë, bujar, zemërgjerë, një natyrë e gëzuar. Ka qenë dinjitar dhe shumë i hapur ndaj të gjithëve. Ai ka qenë shtylla kryesore e familjes, nxitës i fuqishëm i punëve të mira, njeri i këshillave, i fjalëve motivuese, i zgjidhjeve racionale. Ai ka qenë edukator i aftë, mësues i pagabueshëm i fëmijëve të mi, lexues dhe redaktor i parë i shkrimeve të mia, udhëzues i kujdesshëm, njeri me përvojë që reflektonte ngrohtësi dhe dashuri, gjithandej. Prej tij e kuptova se jetën nuk duhet ta luftojmë, por ta jetojmë. Sado e vështirë që është, jeta mbetet gjëja më e bukur, andaj më këshillonte që atë duhet jetuar me tërë fuqinë që kam.

Tani kur unë kam mbetur pa përkrahjen e babait, kur më duhet që vendimet e vështira t’i marr në mënyrë të pavarur, udhëtoj nëpër labirintet e mendimeve dhe kujtimeve që vazhdimisht më shfaqin pamjen tij me të gjitha ato veti shpirtërore e morale. Ngado që sillem sikur më del përpara duke më thënë se: “puna, besimi dhe dashuria, të sjellin në pikën më të lartë të prehjes shpirtërore”. Por, ja që unë e kam të vështirë të arrij në këtë qetësi, sepse më mundon frika nga e nesërmja, më mundon brenga mbi enigmën e ekzistencës, më shfaqen pyetje dhe çështje që vështirë ua gjej zgjidhjen…

Kopertina Leksikoni i Islamit (1)

Në kërkim të përgjigjeve që do të më dukeshin të arsyeshme, ca muaj më parë duke hulumtuar nëpër bibliotekën time për të gjetur veprën e duhur, rastisa një libër të formatit A4 me kopertina të trasha, brenda të cilit ndodhej një dorëshkrim i qartë i babait tim, të cilin pasi e lexova me vëmendje të veçantë, m’u duk si një dhuratë e bukur, si një motiv që unë dua ta ndajë edhe me ju, aq më tepër, për ta çuar në vend edhe porosinë e Robert L. Stevensonit, që thoshte: “Mbaje frikën për veten tënde, por ndaj frymëzimin me të tjerët!”.

Pra, të dashur vëllezër dhe motra, libri që keni në dorë, mban titullin shumë kuptimplotë “Me besim të thellë në jetë të mbarë“ dhe, është një vepër që plotëson dhe ndriçon njohuritë tona mbi dy temat qendrore të Islamit, mbi Profetin dhe Kuranin, dy temat më të rëndësishme, të shkëputura nga botimi enciklopedik “Leksikon i Islamit” i autorit të mirënjohur boshnjak Nerkez Smailagiq.  Ky përkthim është bërë me qëllim që të absorbohen në mënyrën më të qytetëruar dy çështjet më të rëndësishme (nga 600 sa ka trajtuar autori Smailagiq), të ndërlidhura me faktorët më vendimtarë nga sfera historike, religjioze, politike dhe kulturore e botës islame, një realiteti që sipas Lotrob Stodardit konsiderohet “ngjarja më e çuditshme në historinë e njerëzimit, sepse duke buruar nga një vend dhe nga një popull, më parë fare të papërfillur, Islami, brenda një shekulli, u përhap në mbi gjysmën e rruzullit tokësor, duke zhdukur perandori të mëdha, duke përmbysur religjionet më të vjetra dhe duke reformuar shpirtrat e njerëzve…”.

Babai im, si duket është mbushur me frymëzim nga qasja shumë serioze, shkencore dhe tepër profesionale e autorit Smailagiq i cili gjatë shtjellimit të këtyre dy nocioneve themelore, i ka lënë anash të gjitha elementet që çojnë në skllavërimin shpirtëror të njerëzve, në mistifikimin e ngjarjeve, në mashtrimin e të tjerëve përmes shtrembërimit të gjërave. Njëjtë sikur autori Smailagiq që studimit i është rrekur me gjithë shpirt dhe me dashuri të zjarrtë, ashtu edhe babai im, vetëm falë dëshirës së flaktë dhe shumë fisnike, e ka bërë përkthimin në gjuhën shqipe, duke arsyetuar me këtë rast edhe thënien e një filozofi të antikitetit: “Kur diçka dëshiron në jetë, së pari duhet ta gjykosh me mendje të ftohtë, pastaj ta pranosh me zemër të ngrohtë dhe së fundi ta realizosh me duar të pastra”.

Këtij kontributi intelektual të babait tim, i paraprijnë jo vetëm veprat tanimë të njohura: udhëpërshkrimi – “Rrugëtimi në përjetimet e një Haxhi”, përkthimi nga serbo-kroatishtja i librit “Komentimi i Kaptinës Jasin”, libri me poezi për fëmijë – “Gjeli në qytet” dhe botimi elektronik me recitime vjershash për fëmijë – “Skena mallëngjyese”, por edhe shumë veçori të tjera si: mirësjellja, mirëkuptimi, toleranca, durimi, dhembshuria dhe qëndrimi tepër njerëzor, që më bëjnë ta kujtoj sa të rroj, dhe që vërtetohet edhe përmes thënies së Benjamin Franklinit:  “Nëse nuk dëshiron që të harrohesh, sapo ke vdekur apo je kalbur, duhet të kesh shkruar gjëra me vlerë për t’u lexuar, ose të kesh bërë gjëra me vlerë për t’u shkruar”, një këshillë që na udhëzon se, të vdekurve tanë nuk duhet t’u afrohemi vetëm te varret, por edhe te shpirtrat që mbetën të gjallë në veprën e në shembujt e dhënë me jetën e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button