Çmenduria politike në Kosovë: “Në emër të qytetarit…”

Të ankohesh për krime të luftës të Serbisë e të mos bësh hiç asgjë për dërgimin para organeve të drejtësisë të vrasësve dhe përgjegjësit e tjerë – të lirë atje në Serbi – të po të njëjtave krime, edhe pse ekziston mundësia konkrete institucionale ku edhe paguhesh nga qytetari i vendit, nuk është gjë tjetër pos të jesh hipokrit e gënjeshtar institucional i Kosovës.

« Në shërbim të qytetarëve të Kosovës. »

« Për të mirën e qytetarëve të Kosovës… »

Këto dy fjali dhe shumë të tjera të këtij lloji të përdorura për çdo ditë nga politikanët vendorë ka kohë që e kanë humbur krejtësisht kuptimin e tyre.

Ato tashmë janë bërë aq banale sa që kur riciklohen nga të njëjtit, siç ishte edhe rasti në debatin në parlament për ministrin Nenad Rikallo, nuk mund të interpretohen ndryshe veç gënjeshtër e kulluar e krejt atyre që kërkuan shkarkimin e tij e kur erdhi momenti i votës nuk ishin prezent në parlament apo nuk e shtypën fare sustën e votimit.

Ky konstatim vlen po kaq edhe për ata që votuan për shkarkim, atyre që votuan kundër shkarkimit dhe atyre që abstenuan.

Rasti Rikallo, është  veç ilustrimi më i ri i gënjeshtrave të të gjithë parlamentarëve dhe anëtarëve të qeverisë për « mundin » e tyre për qytetarin e Kosovës, në këtë rast për viktimat e luftës.

Ata që kërkuan shkarkimin e tij, dhe ata që ishin kundër shkarkimit të tij, në të njëjtën kohë po heshtin dhe po fshihen krejtësisht nga e kaluara e krimeve të luftës ndaj qytetarit shqiptarë të Kosovës që i shkaktoi ndërmarrja vrastare: Serbia, edhe pse në duartë e tyre a kanë mundësinë që të marrin masa pikërisht në institucionin ku ndodhen.

Nëse të gjithë këta njerëz, pra politikanë (deputetë nga opozita, pozita e anëtarë të qeverisë) qenkan në shërbim të qytetarit të Kosovës (pra gjithnjë në rastin e krimeve të luftës që serbët dhe Serbia e shkaktoi), pse u tërë ajo zhurmë publike e tyre (në parlament dhe nëpër media) për Rikallon, ndërsa po të njëjtit në të njëjtën kohë heshtin për krimet e rënda serbe të luftës tashmë të dëshmuara ?

Pohimet e rreth 20 qytetarëve të lagjes Dardania për maltretimet nga Rikallo, janë një rast. Numri i të vrarëve nga regjimi serb tejkalon 12000-shin. Numri i vajzave dhe grave të dhunuara gjatë luftës nga kriminelët e ushtrisë dhe policisë së Serbisë arrin në 20,000.

Lista e krimeve të tjera të luftës e dëmeve që regjimi okupator Serbisë i shkaktoi në Kosovë është jashtëzakonisht e gjatë.

Si është e mundur që as ky parlament me këtë përbërje të tashme nuk merret me tërë këto krime të Serbisë në mënyrë konkrete ?

Si është e mundur që të gjithë po heshtin ?

Si është e mundur që askush tashmë as nga shumica parlamentare shqiptare (PDK,AAK, Nisma e AKR) e as nga opozita (VV, LDK e Alternativa) nuk po e iniciojnë plotësimin e ligjit për gjykatën speciale, në mënyrë që atje në Hagë këtë gjykatë për Kosovën, të shqyrtohen krimet e luftës nga Serbia ?

Si është e mundur që të gjithë në pushtet dhe opozitë nuk e duan plotësimin e këtij ligji selektiv ?

Si është e mundur që po gënjehen kaq turpshëm qytetarët e Kosovës nga këta politikanë ?

Si është e mundur që po të njëjtit politikanë, në pushtet dhe opozitë, me dorën e tyre po ia falin Serbisë krimet e luftës ndaj qytetarëve të Kosovës e përditë flasin dhe pretendojnë se janë në këto pozita institucionale për « të mirën «  e qytetarit të Kosovës ?

Ky cikël i gënjeshtrave të kësaj klase politike veç se po rritet, thellohet e forcohet në të gjitha dimensionet. Ai tashmë ka marrë përmasa të çuditshme e absurde.

Gënjeshtrat po vazhdojnë në emër të qytetarëve të Kosovës. Në emër të qytetarit të Kosovës mashtrimi po merr hov .

Kjo nuk është gjë tjetër veç se futje në botën e çmendurisë dhe hipokrizisë politike në Kosovë.

Si është e mundur?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button