Një shqiptar i Kosovës dhe Shqipëria kuazi-reale

Për një shqiptar të Kosovës të gjeneratës time, imazhi mbi Shqipërinë para se ajo të hapej, ishte i mjegullt, idilik, ideal në mendje, i konstruktuar pak nga ndikimi i familjes më vonë edhe i rrethit, pak nga dashuria e natyrshme. Ishte të gjitha këto së bashku, por sërish mbi të gjitha enigmatik. Shqipëria ishte pjesa e lirë e atdheut. Ajo copëz ku shqiptarët po qeverisnin ta pavarur.

Njëkohësisht mërzitesha, se ajo ishte një botë e ndaluar për mua. Mund të shkoje nëpër gjithë botën, por jo aty ku flamuri i kombit tim valëvitej i lirë pa qenë e detyrueshme të shoqërohet me flamur tjetër tregues të supremacisë siç ishte në Kosovë. Atëbotë nuk dija se ylli mbi shqiponjë, ishte vetë simboli i robërisë.

Kontaktet e mija të drejtpërdrejta me Shqipërinë përveç lektyrës shkollore të autorëve nga andej veprat e të cilëve i botonte Rilindja, ishin ca filma që m’i siguronte gjyshi im, mbi të gjitha “Nëntori i dytë” që e kisha shikuar pa kufij hera në video rekorder. Por kontakti i vetëm i kohës reale ishte Televizioni Shqiptar, të cilin mund ta shikoja shumë rrallë, vetëm në raste kur për arsye që nuk i di, kishte pengesa teknike transmetimi i TV Beogradit. Autoritetet jugosllave të kohës, qëllimshëm kishin aranzhuar që TV Beogradi të ishte në të njëjtën frekuencë me Televizionin Shqiptar, në mënyrë që ta pengonte sinjalin e këtij të fundit. Diku nuk arrinte ta pengonte, por në qytetin tim po. E sa herë kisha rastin të shikoj atë sinjal qoftë edhe me pengesa, ngjallej shumë interesim. Isha fëmijë.

Pritshmërinë time goxha e rrënonte ajo zymtësi e spikerit dhe ai ritëm monoton njëtrajtshëm i lajmeve të çuditshme ku dominonte një terminologji e stërmbushur nga fjalët “parti, punonjës, kooperativë, normë”. Kjo shkaktonte një neveri të fshehur në mua, e fshihja edhe nga vetëtevetja se nuk doja të më cenonte imazhin e Shqipërisë së lirë. Por pyetja të shumta prodhoheshin. Ajo çfarë shihja ngadalë shpesh shkatërronte dëshirën që kisha si fëmijë, që Shqipëria duhej të ishte një vend perfekt. Ajo ishte pjesa e lirë e atdheut tim të bëra copa, nuk duhej të kishte gabime. Pastaj, kur po shikoja në hartë, binte në sy prezenca dukshëm më e vogël e rrugëve atje në raport me rrjetin rrugor këndej në shtetin i cili po administronte pjesën time të atdheut, gjë që nuk përputhej me gjëra që dëgjoja. Kështu ngadalë ajo botë përtej kufirit më paraqitej enigmatike çdo herë e më shumë, vështirë e sqarueshme gati.

Dikur, pak këtë tentim të “rrënimit të” ëndrrës mbi Shqipërinë, e zbuti në mua një emision që e dëgjoja rregullisht në radio. Më duket se vinte nga “Radio Tirana për bashkatdhetarë”. Së paku aty nuk shihja zymtësinë vizuale që e dalloja në TV. Në radio është më ndryshe, thjeshtë dëgjon vetëm zërin kurse tingujt e këngëve sidomos të atyre që atëherë i këndonte Fatime Sokoli, më vonë edhe Gëzim Nika të krijonin një adrenalinë shtesë. Për t’u vulosur me interpretimin e paharrueshëm të Luan Zhegut për Adem Demaçin. Ma bënin më reale lidhjen ndërmjet dy Shqipërive, asaj enigmatikes të mbyllur andej kufirit dhe kësaj të njohurës ku po jetoja, e që e lënë e vetmuar kishte evoluar në çdo herë e më shumë në identitetin e quajtur Kosovë.

Sporti nuk mund të ndahej as atëherë nga politika, posaçërisht jo futbolli. Atëbotë nje ndeshje futbolli ndërmjet Prishtinës dhe të tjerëve, ishte më së paku futboll. KF Prishtina ishte bërë njësi matëse e rritës shqiptare në Jugosllavi. Kur me 1983 Prishtina shënoi fitore si mysafire kundër klubit më të madhe jugosllav Crvena Zvezda, në tribuna të stadiumit tifoz nga Kosova arrestohen për shkak të brohoritjes “EHO”. Sipas autoriteteve jugosllave “EHO” ishte kamuflim i emrin të Enver Hoxhës me anë të një brohoritjeje sportive.

Si një shqiptar i Kosovës ajo që së pari mbaj mend lidhur me futbollin shqiptar matanë kufiri, lidhet me Flamurtarin e Vlorës. Atëbotë pjesëmarrja shqiptare në futbollin në nivel kombëtaresh ishte shumë e dobët. Por, një futbolldashës kosovar që ka jetuar në atë kohë, nuk mund ta harroj golin e Sokol Kushtës në Beograd. Flamurtari eliminoi Partizanin, klubin futbollistik të Armatës Jugosllave. Mbaj mend kremtimin e fitores së Flamurtarit. Ishte një lëkundje simbolike e supremacisë jugosllave kundrejt shqiptarëve dhe ngjalli besimin mbi forcën e Shqipërisë. Ky gëzim tejkaloi çdo gëzim të mundshëm që bënte Prishtina kur përplasej me ndonjërin nga klubet tjera.

E gjitha kjo, ishte shumë vite para se vërtetë të shihja Shqipërinë enigmatike me sy të mi, bashkë më të edhe gjithë traumën që kishin përjetuar shqiptarët andej, për të kuptuar sa e pakuptimtë ishte dashuria e kosovarëve për Enverin, e ngatërruar aq pështjellur me dashurinë për Shqipërinë. Një dashuri shumë hibride dhe paradoksale në vetvete ngase të duash Shqipërinë dhe atë që Shqipërinë e kishte shndërruar në burg, nuk kishte gjithaq kuptim. Aq më tepër nuk ka kuptim që kjo dashuri të kultivohet sot, siç po bëhet jo rrallë.

Koha mundëson retrospektivën, më qartë mund të bëhet një analizë tani kur shumë çka shihet. Qoftë edhe me tentime për t’u fshehur, e vërteta ngadhënjen. U shpërfaqen realitete të reja, por jo të shkëputura nga realitetet e fabrikuara të së kaluarës, shumëçka ka mbetur peng i së kaluarës. Kështu në Kosovë kemi sërish prezent një miks përceptues të një kuazi-realiteti, një botë sureale pa lëvizur nga mendjet. Vështirë të çlirohet njeriu nga “edukimi” dhe forma e mesazheve që dikur propagandonte makineria e real-socializmit në gjysmëshekullin aq të ngrirë politik, përfshirë këtu të gjitha segmentet, çdo cep të artit, andaj pashmangshëm edhe letërsinë, muzikën, kinematografinë.

Dashuria për Enverin, e formësuar tani në “enverizëm” arrin që edhe sot të mbajë gjallë bastionet e tij ideo-politike në Kosovë. Bastione të mbijetuara që mbesin të robëruara në një imazh të fantazuar të së kaluarës, i cili s’po zhbëhet as pas hapjes së perdes që bën të mundur për secilin të shoh qartë skenën e quajtur Shqipëria Komuniste. Atë skene të vuajtjes nëpër kampe internimi kolektiv të familjeve, të Musine Kokollarit, të Spaçit të skllavërisë, të Havzi Nelës. Pa mohuar këtu asnjëherë, gëzimet e rëndomta të shqiptarit, një jetë që ka mundur edhe të jetë e mirë por që rrënohej e tëra në momentin që agjenturat e pushtetit detektonin tek individi çfarëdo kundërshtie ndaj kornizave që i ishin vendosur jetës. Kundërshti të tilla që s’kishin të bënin as me politikën, por që vinin nga cilido shpirt i lirë njeriu, piktorë, shkrimtarë, artist, cilido që donte më shumë liri e më pak uri.

Kuazi-realiteti i sotëm i relacioneve për shumë shqiptarë të Kosovës më Shqipërinë, është i përbërë nga dashuria e vjetër për Shqipërinë ashtu siç ishte, bashkë me sistemin diktatorial, si dhe i emocioneve të sotme. Ky kuazi-realitet bartë dualizma kundërshtues njëri me tjetrin. Kështu sot gati kudo në Kosovë, lehtë gjen një njeri i cili njëkohësisht kultivon respektin për Isa Boletinin dhe atentatorin Vasil Shantiç. Ky i fundit i paraqitur si Visar Shundo i dha fund elitës së Boletinëve, kur vrau të fundit ushtarak të Boletinëve. Kinostudio “Shqipëria e re” glorifikonte militantin komunist e madje paraqet edhe skenën e vrasjes së Boletinit të fundit ushtarak si diçka patriotike.

Pra jo shumë dallim sikurse me dikë të cilin edhe sot mund ta gjejmë në Kosovë dhe i cili figurën e Enver Hoxhës apo Ramiz Alisë e ngritë në piedestal, e njëkohësisht qanë për Masakrën e Tivarit e cila u bë me bekimin e Partisë Komuniste Shqiptare (më vonë Partia e Punës). I njëjti kosovar diku do të këndojë ende këngët për Enverin dhe partizanët e tij, e në anën tjetër flet për gjyshin e tij ballist të pushkatuar. Një indoktrinim kaq i thellë sa s’zhbëhet nga asnjë e vërtetë në gjithë këtë demistifikim të asaj historiografie të konstruktuar për nevoja politike.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Sa e bukur!! tregim qe nuk lexohet vetem nje here, nuk te mjafton vetem njehere. rrofsh per perjetimin qe na ofrove dhe na shkruaj perseri!!

Leave a Reply to tetovare Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button