“Rasti Kumanova”, burg të përjetshëm për Sulejman Osmanin

Duke e duartrokitur Gjykatën, Sulejman Osmani, i akuzuar në rastin “Lagjja e Trimave – Kumanova”, e ka “përshëndetur” vendimin se është dënuar me burg të përjetshëm, i cili sot u kumtua nga Gjykata Penale, njofton Portalb.mk.

Osmani është dënuar në procedurë të veçantë për dallim nga 37 të akuzuarit tjerë në këtë rast, pasi që ai një vit nuk ishte i kapshëm për organet e rendit, gjegjësisht ishte në Kosovë. Pas ekstradimit të tij, ai u gjykua në procedurë të ndarë.

Gjykatësi Goran Boshevski theksoi se i akuzuari është fajtor për pjesëmarrje në organizmin terrorist dhe terrorizëm për të cilën dënohet me burg të përjetshëm. Ai sqaroi se edhe pse i akuzuari Osmani gjatë rrjedhës së procedurës, nuk i ka pranuar veprat për të cilat ngarkohet, megjithatë, Gjykata solli vendim duke i vlerësuar të gjitha dëshmitë materiale.

Gjykatësi theksoi se pas publikimit të aktgjykimit, opinioni do të mundet që t’i shoh dëshmitë të cilat dalin nga masat e veçanta hetuese, të cilat deri më tani janë ruajtur në fshëhtësi, ndërkaq pasi që t’i dëgjojë, tha gjykatësi, do të largohen të gjitha spekulimet të cilat janë thënë në vitet e fundit.

Sulejman Osmani, i njohur në opinion si “Komandant Sula”, është ekstraduar më 22 qershor të vitit të kaluar, nga Kosova në Maqedoni.

55 vjeçari, ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë, transmeton Portalb.mk.

Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase.

Osmani për disa media deklaroi se kishte arritur të arratiset, pasi ishte dërguar nga policia me helikopter për ta treguar vendin e fshehjes së armëve të grupit të armatosur afër fshatit Gushincë.

Gjatë seancës së djeshme, 26 të akuzuar të rastit “Lagjja e Trimave – Kumanovë” u dënuan me gjithsej 736 vjet burg, 7 me dënime me burg të përjetshëm dhe 4 persona janë liruar nga akuza.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button