Partia e Topit, prezantohet sot Fryma e Re Demokratike

Merr jetë partia më e re e qendrës së djathtë, e njohur si partia e Bamir Topit. Ajo do të quhet Fryma e Re Demokratike dhe sipas një njoftimi të grupit nismëtar të kësaj force të re politike, prezantimi i saj do të bëhet ditën sot, në selinë e saj në rrugën “Xhorxh W Bush”. Ndërsa dje ka përfunduar edhe stampimi i logos së partisë më të re, e cila mban ngjyrën blu. 

Në një njoftim të shpërndarë sot për mediat, thuhet se “Ditën e hënë më dt 30.4.2012 në orën 12:00 në selinë e FRD, do të organizohet aktiviteti prezantues për shpalljen e kësaj nisme të re politike. Ftohen mediat elektronike e të shkruara për të marrë pjesë në këtë atktivitet”. 

Mësohet se, deputeti Gazmend Oketa dhe ish-deputeti Aleksandër Biberaj do të jenë nismëtarët e  parë të kësaj partie, ndërkohë që flitet se në përfundim të mandatit të tij presidencial, kryetar i saj do të zgjidhet, Bamir Topi. 

Sipas burimeve të “Gazeta Shqiptare”, kjo parti do të drejtohet nga këshilli drejtues, çka lë të kuptohet se zgjedhjet e strukturës së partisë do të bëhen nga shtatori, atëherë kur edhe presidenti i vendit Bamir Topi, të jetë totalisht i lirë për tu përfshirë në politikë. Megjithatë piketat bazë të funksionimit të partisë së re, duket se janë fiksuar. 

Kështu në status thuhet se kryetari do të zgjidhet me parimin një anëtar, një votë. Kryetari i Partisë dhe krerët e rretheve nuk do të marrin më shumë se dy mandate, ndërkohë që ministrat nuk do të kenë post politik në parti. Sipas burimeve FRD do të jetë një parti e lirë ku do të lejohen zërat kundër, ndryshe nga Partia Demokratike, pjesë e së cilës kanë qenë edhe drejtuesit e FRD-së. /bw

Lajme të ngjashme

Back to top button