Çfarë fshihet pas deklaratës së Zaevit se dy funksionarë të qeverisë hetohen për korrupsion?

Marketing politik, një leksion i vogël për disiplinë ose paralajmërim serioz për funksionarët që do të hyjnë në koalicion me korrupsionin dhe krimin? Janë një pjesë e dilemave që vinë pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se dy funksionarë të qeverisë po hetohen për korrupsion pas raportimeve të qytetarëve, shkruan Dojçe Vele, njofton Portalb.mk. Pasi që disa media gabimisht dje njoftuan se nën hetim janë “dy anëtarë të qeverisë”, nga shërbimi informativ potencuan se nuk bëhet fjalë për anëtarë të qeverisë dhe e shpërndanë deklaratën e Zaevit në tërësi.

“Derisa ne i fokusojmë përpjekjet tona për ta çrrënjosur korrupsionin, ky hap do të jetë si erë e fortë në kurriz të të gjithë shoqërisë. Por, gjithashtu, edhe transparenca është shumë e rëndësishme. Këtë e them për herë të parë. Unë vazhdimisht i inkurajoj qytetarët që të paraqesin rraste potenciale të korrupsionit që si rezultat i kësaj për momentin është ngritur hetim për dy përfaqësues të lartë funksionar të pushtetit të cilët janë në punë disa muaj. Kuptohet ky është vetëm hetim, nuk mund të zbulojmë më shumë detaje. Me këtë dua të tregoj se ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj”, thuhet në deklaratën e kryeministri Zaev në Samitin “Maqedonia 25” në kuadër të fjalimit të tij në panelin e diskutimit me temë: “Çfarë mësuam dhe si do t’i aplikojmë praktikat më të mira në Maqedoni dhe rajon”.

Ai nuk zbuloi për cilët funksionar bëhet fjalë, por shpjegoi se janë në detyrë disa muaj, gjegjësisht janë emëruar nga fillimi i gushtit dhe se hetimi është ngritur pas raportimit të qytetarëve.

Porosi për drejtorët?

Precizimi i tillë mund të çojë vetëm te 10 gushti, ditën kur Republika e Maqedonisë shqyrtoi dhe miratoi më shumë propozime kadrovike, gjegjësisht emëroi 67 kryerës të detyrës – drejtorë të organeve shtetërore, të administratave publike dhe të shtëpive ndëshkuese korrektuese që janë në kompetencë të qeverisë. Prokuroria Publike nuk zbulon se cilët janë nën hetim për shkak fshehtësisë së procedurës, ndërsa prej dje 27 u.d. drejtorët e emëruar janë skeptik dhe të dyshimtë – a e ka kaluar ndonjëri prej tyre vijën e kuqe?

Edhe në opinion parashtrohen shumë pyetje: A frikësohet kryeministri se sjellja e devijuar e dikujt mund të marrë një ritëm të gabuar apo përmes porosisë publike përpiqet ta përcjellë te tjerët? Ose, përmes shembullit të dy funksionarëve dëshiron ta prezantojë vetveten si kryesues i luftës kundër korrupsionit në rrethet më të larta të shtetit?

“Deklaratën e Zaevit më shumë e konsideroj si marketing politik sesa si bazë për diçka”, tha Petar Arsovski.

“Konsideroj se motivi i deklaratës është që të përmirësohet pamja e qeverisë, se po merret edhe me luftën kundër korrupsionit në rrethet e veta, gjegjësisht qeveria të paraqitet me dritën më të mirë. Për momentin nuk e dimë se deklarata e tillë drejtohet vetëm drejt funksionarëve të tij që të kenë kujdes se si veprojnë, me porosi se kryeministri nuk ka për qëllim të tolerojë korrupsionin. Por, tregon informatë për persona për të cilët gjoja se zhvillohet hetim, ndërsa nuk mund të dimë se për kë bëhet fjalë, as për çfarë vepra, dhe këtë deklaratë më shumë e shoh si porosi promovuese për aksione reale”, vlerëson Arsovski.

Zbulimi dhe përpunimi  

Sipas raportit të vitit të kaluar për vlerësimin e korrupsionit në Maqedoni, të përpunuar nga më shumë hulumtues përmes Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, gjykatësit, ministrat dhe deputetët janë perceptuar si më korruptiv. Për 74.8% të qytetarëve, pasurimi i menjëhershëm të atyre që janë në pushtet është faktori menaxhues për korrupsionin e përhapur. Për 70% të qytetarëve mungesa e kontrollit administrativ dhe gjyqësia joefektive janë faktorët e ardhshëm që ndikojnë përhapjen e korrupsionit. Nëse në vitin 2014, 21,5% e qytetarëve kanë dhënë ryshfet, në vitin 2016 numri është rritur në 29%.

Dragan Mallinovski, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit tha se lufta kundër korrupsionit është shumë më shumë se paralajmërimi.

“Deklarata e kryeministrit është shumë e vështirë që të mund t’i jepet një konkluzion për nivelin e funksionarëve të theksuar si dhe për seriozitetin e inkriminimit. Për momentin nuk e dimë a bëhet fjalë për vepër penale të rëndë ose, për shembull, për konflikt të caktuar të interesave. Në praktikën e antikorrupsionit në botë si etapë për përkushtimin serioz në luftën kundër korrupsionit nuk llogariten paralajmërimet, por aktgjykimet e përfunduara në mënyrë të ligjshme. Këtë, nga shkaku se lufta kundër korrupsionit nuk nënkupton vetëm zbulim, por edhe përpunim të veprave”, potencoi Mallinovski.

LEXO: Zaev: Dy anëtarë të qeverisë hetohen për korrupsion

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button