Maqedonia ka nevojë urgjente për sistem zgjedhor me lista të hapura

Modeli i listave të hapura është më demokratik dhe i shërben avancimit të demokracisë përfaqësuese për dallim nga sistemi ekzistues në Maqedoni i cili deri më tash ka prodhuar vetëm regres, vlerësojnë analistët dhe ekspertët e fushës përkatëse për Portalb.mk.

Maqedonia është e ndarë në 6 njësi te veçanta në të cilat aplikohet sistemi i listave të mbyllura, sistem i cili përfundimisht është më i atakuari nga të gjithë, dhe jo pa arsye. Liderë që veprojnë me dorë të hekurt, vartës të tyre me karakteristika servile dhe të ngjashme janë vetëm një pjesë e pasojave negative që ka prodhuar ky sistem, pajtohen ekspertët për Portalb.mk.

Listat e hapura nga njëra anë do ta faktorizojnë votuesin, ndërsa nga ana tjetër do ti de-faktorizojnë krerët partiak

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ish deputeti, Ismet Ramadani është i mendimit se sistemi aktual zgjedhor nuk e ka plotësuar as për së afërmi pritshmërinë prandaj duhet të kalohet sa më shpejtë në sistemin me lista të hapura, i cili sipas Ramadanit paraqet një sistem dukshëm më demokratik. Sipas Ramadanit, gjithnjë strukturat udhëheqëse e kanë vënë veten në vendet fituese, në listat zgjedhore.

“Votuesi e ka votuar vetëm udhëheqësin e listës. Listat e hapura do të japin mundësi që të përcaktohen qytetarët për atë që gëzon autoritet dhe veprimi i tijë do të jetë më autoritativ dhe nuk do jetë qind për qind i dëgjueshëm ndaj udhëheqësit por do të ketë mendimin e vet autonom dhe i njëjti do ti përfaqësoj më mirë votuesit. Një sistem i tillë ka dhënë rezultat në Kosovë, dhe përfundimisht është koha që të vihet në zbatim edhe në Maqedoni. Kjo do t’ia mundësonte qytetarit që ta përcaktoj peshën e secilit deputet”.

Robert NesimiSipas ekspertit të njohur të statistikave, Robert Nesimi, përbërjet parlamentare po bëhen gjithnjë e më të dobëta, ndërsa deputetët gjithnjë e më servilë ndaj liderëve partiakë dhe të shurdhër ndaj popullit.

“Për demokraci brendapartiake as që bëhet fjalë. E fajtor kryesor i kësaj gjendje padyshim është sistemi zgjedhor proporcional me lista të mbyllura, që favorizon pikërisht këto tendenca politike.”shkruan ai.

Nesimi në kolumnën e tij shkruar për Portalb.mk sqaron se përparësia kryesore e sistemit të listave të hapura konsiston në atë se nuk iu jep asnjë lloj përparësie të përzgjedhurve të cilët janë renditur lartë në listë, ndërsa nga ana tjetër ky sistem i lejon votuesit të zgjedh të preferuarit e vet në listën për deputet, qofshin ato edhe në fund të listës. Siç e sqaron Nesimi, me këtë nga njëra anë faktorizohet votuesi, ndërsa nga ana tjetër de-faktorizohen krerët partiak.

Problem shqetësues është edhe ndarja në 6 njësi zgjedhore

Ekspertët gjithashtu e ndajnë shqetësimin edhe për një element tjetër të cilin e konsiderojnë të dëmshëm brenda sistemit ekzistues zgjedhor. Fjala është për ndarjen në 6 njësi zgjedhore, gjë që sipas ekspertëve bën që të defaktorizohen partitë e vogla apo grupet etnike që u përkasin pakicave etnike.

Zylfi Adili
Zylfi Adili

Në lidhje me defaktorizimin që u bëhet partive të vogla apo grupeve që u përkasin pakicave etnike, për Portalb.mk flet ish-deputeti nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zylfi Adili i cili shprehet se sistemi  i tanishëm i ndarjes në 6 njësi zgjedhore dhe me lista të mbyllura duhet të ndryshoj.

“Ideja për këto ndryshime ka ekzistuar që moti, mirëpo për x arsye kjo deri më tani nuk është realizuar. Sistemi i tanishëm është shumë i dëmshëm për shqiptarët por jo vetëm për ta, ky sistem është i dëmshëm për të gjithë qytetarët e RM. Personalisht shpresoj që do të bëhet diçka në këtë drejtim dhe do të ndryshohet sistemi aktual, të kalohet nga sistemi me 6 njësi, në një sistem me 1 njësi ose eventualisht me 3 njësi”, deklaron Adili.

Që nga pavarësimi sistemi zgjedhor në Maqedoni ka pësuar disa herë ndryshime. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1990 dhe 1994 shpërndarja e mandateve të deputetëve është bërë sipas modelit zgjedhor mazhoritar me shumica absolute (në rrethin e parë) dhe shumicë relative (në rrethin e dytë). Në këto zgjedhje deputetët janë zgjedhur në bazë të parimit: një mandat deputeti – një njësi zgjedhore.

Në vitin 1998 është braktisur dominimi absolut i modelit mazhoritar dhe është zbatuar modeli i kombinuar zgjedhor: 85 deputetë janë zgjedhur sipas modelit mazhoritar, ndërsa 35 sipas modelit proporcional. Njësia zgjedhore, në të cilën janë shpërndare 35 mandatet e deputetëve sipas modelit proporcional ka qenë i tërë territori i Republikës së Maqedonisë. Shpërndarja e mandateve është bërë në bazë të Modelit të Dontit, me prag zgjedhor prej 0,5%. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 aplikohet modeli proporcional për ndarjen e të gjitha 120 vendeve të deputetëve, ku territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore, kurse nga çdo njësi zgjedhore zgjidhen nga 20 deputetë

Dallimi ndërmjet numrit të banorëve në 6 njësitë e ndryshme zgjedhore, të cilët delegojnë numër të njejtë të përfaqësuesve në parlament, si dhe listat e mbyllura të cilat hartohen kryesisht nga krerët partiak, duke iu dhënë këtyre të fundit gati se pushtet absolut mbi subjektet politike të cilët i udhëheqin, kanë qenë ndër arsyet kryesore për shkak të së cilave sistemi i tanishëm zgjedhorë ka qenë në vazhdimësi në qendër të kritikave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button