OSBE/ODIHR: Dita e zgjedhjeve lokale u menaxhua në mënyrë profesionale

Shefja e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it në Maqedoni, Audrey Glover, përmes një konference për shtyp të mbajtur në Shkup, deklaroi se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni ishte “konkurrent dhe respektimi i lirive themelore kontribuoi për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vlerësimin paraprak të procesit të zgjedhjeve lokale, Glover theksoi se dita e zgjedhjeve, në përgjithësi, u menaxhua në mënyrë profesionale, edhe pse siç tha ajo, puna e anëtarëve të Këshillave zgjedhorë gjatë numërimit të votave mund të përmirësohej.

Ajo duke komentuar fushatën zgjedhore për raundin e dytë, e cila filloi më 16 tetor dhe përfundoi në mesnatën e 27 tetorit, tha se: “Ne kemi vërejtur se gjatë fushatës më së shumti përpiqeshin për të arritur te votuesit përmes linjave etnike. Garuesit elektoralë ishin në gjendje të bënin fushatë lirshëm dhe liria e shprehjes është zbatuar. Megjithatë, incidentet e motivuara politikisht dhe akuzat për respektimin e rregullave ishin të pranishme përreth”.

Misioni i OSBE/ODIHR-it, siç tha Glover, ka vërejtur disa herë akuza specifike, të tilla si presion ndaj votuesve, kërcënim, si dhe blerje të votave nga parti të ndryshme politike.

Ndryshe, Misioni i OSBE/ODIHR-it me punë në Maqedoni filloi më 13 shtator. Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ky mision përfshinte 17 ekspertë në kryeqytet dhe 17 vëzhgues afatgjatë, si dhe 88 vëzhgues afatshkurtër të shpërndarë në mbarë vendin. Në ditën e zgjedhjeve u shpërndanë 126 vëzhgues të cilët u siguruan nga 25 vende anëtare të OSBE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button