VEÇMË? SHKOVA TË FLE GJUMË!

Çdo natë kur Mësuesi ulet t’i dëgjojë lajmet ose ndonjë debat në TV e ndjen një parehati, një siklet. Pastaj nuk mund të flejë. Nuk e ka për shkak të lajmeve ose për shkak të temës së debatit, po për diçka tjetër, për çka nuk shqetësohet thuajse askush. E ka për gjuhën. Për gjuhën shqipe. I shtrirë në shtrat i kujtohet e ëma si fliste në të folmen e krahinës së tij, me karakteristikat dhe ngjyrat e veçanta të zanoreve të asaj ane, por ajo ishte gjuhë shqipe, një shqipe e kulluar, e cila dallonte edhe nga mënyra se si fliste i ati, nëpunës që sillte në shtëpi  fjalë të huaja. Kurse nga gjuha e folësve, gazetarëve dhe debatuesve, gjuha e nënës dallohej edhe më shumë.

Kjo, gjuha e nënës dilte më e kulluar, si në theks e muzikalitet, ashtu edhe në renditjen e fjalëve në fjali, po veçmas për fjalët shqipe që s’i dëgjonte nga folësit televizivë, nga gazetarët, deputetët e politikanët, por që nëna i ruante me xhelozi dhe nuk lejonte që në të folmen e saj të përvidhen as parashtesa e prapashtesa të huaja. I mbyll sytë Mësuesi, don të flejë, por ja që e para që e lëndon është fjala veçmë, të cilën e përsërisin kudo në pataqitjet publike njerëzit që janë zgjedhur ose që janë emëruar në poste të ndryshme pikërisht në saje të gjuhës shqipe. Veçmë! Është ky një konstruksion i çoroditur, i vrazhdë, një kompozitë e panevojshme. Pjesa e parë e saj, anise duket, nuk është ndajfolja shqipe veç, por ndajfolja serbe већ me kuptimin , më tutje, tashmë  [то се већ не може трпети]. Shqip  thuhet kjo s’mund të durohet më.

Ndalet Mësuesi, i kujtohet si ka thënë folësi ose kryetari i Kuvendit, i komunës, nëpunësi, ministri, gazetari, në televizion ose duke kuvenduar: Puna veçmë ka filluar!… Shqip i bie: puna tashmë ka filluar! Pse vallë e përdorin njerëzit kompozitën veçmë? Pse vallë s’e shfletojnë fjalorin ta shohin se veçmë  s’ka askund dhe pse nuk e dëgjojnë gjuhën si gëlon në burim bashkë me jetën? e pyet veten Mësuesi. Pse bëhen këto gabime vallë?

Dhe, duke bredhur nëpër shtigjet e bukura të gjuhës shqipe, i kujtohet një fjalë nga fjalori i nënës plakë – dhiarja, kjo fjalë së cilës nuk ia japin të drejtën të depërtojë në botën figurave e të cilës nëna e tij i thoshte  udhë dhish, ose udha e dhive. Dhiare dhe udhë dhish! Sinonime – një fjalë e prejardhur e një sintagmë. Mësuesi ndalet te sintagma udhë dhish ose udha e dhive. Jo pa arsye, sepse asociacioni e hedh te kompozita hekurudhë, që nuk i pëlqen dhe nuk e lë të qetë, nuk i duket se kjo fjalë është në binarët e natyrshëm të fjalëformimit të gjuhës sonë. Si e kanë bërë kështu rilindësit e mirë këtë kompozitë dhe pse e kanë bërë këtë kalk kështu kur populli i thoshte udhë e hekrit ose udhë e frengit. Udhën e dhive rilindësit nuk e kanë pasur parasysh kur e kanë bërë këtë kalk, se po ta kishin pasur parasysh nuk do ta kishin bërë fare hekurudhën, po do ta kishin lënë si udha e hekritudhë hekri ose udha e frengit (ashtu siç është në gjuhën frenge – chemin de fer).

Dosido hekurudha është bërë pronë e popullit dhe  kështu do të mbetet, derisa të vijë një brez gjuhëtarësh të rinj, i cili do të ngulë këmbë për pasurimin e gjuhës sonë me fjalë nga brumi i burimit kombëtar. Në rregull, hekurudha do të mbetet të mrizojë në fjalorin tonë, një herë për një herë.  Mirëpo veçmë-ja çfarë kërkon në fjalor? Pse aq dendur na futet vjedhurazi në gjuhën e folur dhe të shkruar? Ajo mund të dëbohet lehtë nga gjuha jonë, si gogol. Bashkë me të duhet ta përzëmë edhe fjalën lavatriçe, sepse kemi fjalën shqipe lasë.

Mund ta shporrim edhe lavazhin, edhe gomisterinë, edhe marzhin, edhe pedalën se për këtë të fundit e kemi nërkamcën. Edhe shumë e shumë fjalë të tjera të huaja mund të  largohen, mendon Mësuesi. Pastaj kthehet në krahun tjetër se bëhet vonë e nesër duhet të shkojë herët në punë. Përsëri fjalët i renditen në rresht për një e pas secilës syresh qëndron një pikëpyetje. Pse vallë thonë: rrëshkas, në vend se të thonë rrëshqas?
Pse: blu kur e kemi mbiemrin e bukur i, e kaltër, pse jeshil e jo shqip i,e gjelbër ose i, e blertë, pse thonë shkova të fle gjumë, kur duhet e kur mjafton të thuhet shkova të fle? A s’mjaftuaka folja, por shkojnë dhe e ngarkojnë të shkretën me emrin gjumë pa nevojë. Me të vërtetë thuhet edhe ha bukë ose pi ujë, po këtu ndërron puna ngase mund të hahet edhe mollë, edhe ëmbëlsirë, edhe drekë, edhe darkë etj. dhe, po ashtu pihet edhe lëng, pihet edhe verë etj. Për të fjetur – flihet. Nuk ka nevojë këtu të përzihet gjumi, mendon Mësuesi.

Sa kemi nevojë sot për një Kristoforidh, për një Xhuvan, për një Tase, për një Gazull, për një Abdullah Zymberi dhe sa kemi nevojë për institute të gjuhës shqipe, natyrisht jo për ndërtesa në dyert e së cilave do të shkruaj Instituti i gjuhës shqipe, por për ekipe që do të funksiononin si institut, thotë Mësuesi i indinjuar.

Dikur drita ngadalë depërton nëpër dritaren e dhomës së tij të gjumit. Ai ngrihet, përgatitet e del ngadalëz  nga shtëpia thuajse kujdeset mos t’i shkelë fjalët e bukura shqipe që janë të shpërndara gjithandej nëpër fshatra, nëpër lagjet e qyteteve e deri në dhomën e tij të gjumit dhe presin punëtorët e instituteve të gjuhës shqipe që të vijnë e t’i vjelin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button