Dega e BDI-së në Gostivar publikoi analizën e ujit, e quan mashtrues Taravarin (DOKUMENT)

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar sot ka reaguar ndaj fushatës zgjedhore të kandidatit për kryetar komune nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari duke shpalosur dokumente nga analizat e bëra të gjendjet faktike të ujit në Gostivar me çka hedhin poshtë, siç thonë ata, si të pabaza dhe mashtruese deklaratat e Taravarit se uji i Gostivarit është i helmueshëm, njofton Portalb.mk.

“Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore dhe veçanërisht ditëve të fundit, shtabi i shpifjeve të Arben Taravarit ka intensifikuar shpifjen, trillimin dhe gënjeshtrat ndaj kandidatit triumfues të raundit të parë zgjedhorë të 15 tetorit. Së fundmi, Taravari sponsoron reklama mashtruese në rrjetet sociale për kinse helmimin nga uji të qytetarëve të Gostivarit”, thuhet në kumtesën e degës së BDI-së në Gostivar.

Siç bëjnë të ditur nga BDI, analizat e ujit janë marrë nga Qendra për Shëndet Publik dhe mbajnë datën e sotme.

“Nga rezultatet e analizave që i kemi marrë nga Qendra për Shëndet Publik me datë të ditës së sotshme, demantojmë informacionet e plasura në publik për kinse ujë të helmuar në rrjetin e ujësjellësit në Gostivar.  Uji plotësisht plotëson kualitetin e ujit të pijshëm. Informatat që i kemi siguruar nga institucioni i cili obligohet të bëjë analizat e ujit, flasin që në analizat e kryera së fundmi më datë 17, 23 dhe 27 tetor të vitit 2017 nga gjashtë pika të ndryshme të territorit që mbulon ujësjellësi i qytetit, rezultojnë që uji është i shëndetshëm dhe pa ndonjë bakterie”, tha Jakup Jakupi anëtar i Kryesisë së BDI-së dhe mjek në Spitalin e Gostivarit.

Jakupi tha se Taravari nuk u vu në shërbim të qytetarëve si ministër përgjegjës i shëndetit të tyre por u mor me krijimin për fushatë të shpifjeve politike që mund ta ndihmonin.

“Kërkojmë publikisht që personi në fjalë të distancohet publikisht nga kjo shpifje, dhe njëherit të kërkon falje deri tek qytetarët e Gostivarit për shqetësimin e krijuar”, tha Jakupi.

BDI Dok 1

BDI dok 2

 

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button