Qeveria spanjolle shpërbën parlamentin katalanas, zgjedhje të parakohshme më 21 dhjetor

Pas shpalljes së pavarësisë nga Katalonja, ka reaguar ashpër qeveria spanjolle. Pak minuta pas votimit në Parlamentin rajonal katalanas, Senati spanjoll ndërmori hapin e paprecedentë të aprovimit të masave, që do të lejojnë qeverinë e Madridit të marrë kontrollin e Katalonjës: 214 u shprehën pro dhe 47 kundër.

Kryeministri Mariano Rajoy e cilësoi një akt kriminal e të kundërligjshëm shpalljen e Pavarësisë së Katalonjës. Ai ftoi spanjollët të ruajnë qetësinë.

“Qeveria do të marrë të gjitha masat për të rikthyer ligjshmërinë në Katalonjë. Spanja është një komb i madh dhe një shtet serioz. Ne nuk do të tolerojmë që pak njerëz të përpiqen të likuidojnë Kushtetutën tonë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.

Menjëherë më pas, Rajoy mblodhi Këshillin e Ministrave ku vendosën shkarkimin e presidentit katalanas, Carles Puigdemont e të ministrave të tij, si dhe rikthimin e rendit kushtetues në rajon.

Sakaq, u vendos për zgjedhje të parakohshme që pritet të zhvillohen më 21 dhjetor.

Më herët gjatë së premtes, kryeministri u kërkoi senatorëve të aprovonin aktivizimin e nenit 155, që parashikon vendosjen e sundimit direkt në Katalonjë e marrjen e kontrollit të policisë, financave e televizionit publik. Një zëdhënës i Komisionit Europian tha në një reagim se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, kundër shkëputjes së Katalonjës. Kundër doli edhe Britania e Madhe, që ka një problem të ngjashëm me Skocinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button