Koalicione në bllokun shqiptar për garë më të ngushtë në rrethin e dytë zgjedhor

Koalicioni në mes Lëvizjes Besa dhe Aleancës  për mbështetje të ndërsjellë të kandidatëve të cilët hynë në rrethin e dytë dhe mbështetja e drejtpërdrejtë e LSDM-së dhe jozyrtarisht nga PDSH, për kandidatët e BDI-së e bëjnë më të panjohur rrethin e dytë të zgjedhjeve në pothuajse të gjithë komunat me shumicë shqiptare, shkruan Portalb.mk.

Në analizën e re për bllokun politik shqiptarë, ku informuam për rezultatet e rrethit të parë për kryetarë komunash, Vërtetmatësi dhe ekspertët e kontaktuar  nga ana jonë parapanë koalicion mes Aleancës për Shqiptarët dhe Besës, e cila pas takimit me kryetarët të këtyre partive, Zijadin Sela dhe Bilall Kasami dhe më pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim me 18 tetor, u kristalizua dhe u bë realitet.

Ky koalicion ndau elektoratin shqiptarë në dy tabore të mëdha të cilat do të garojnë në pothuajse të gjithë komunat me shumicë shqiptare. Nga njëra anë BDI me mbështetjen e LSDM-së dhe jozyrtarisht të PDSH-së, ndërsa nga ana tjetër Lëvizjen Besa dhe Aleanca për Shqiptarët do t’i matin forcat në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale më të ngushta deri tani në komunat me shumicë shqiptare.

Numrat lejojnë një kombinime të ndryshme me të cilat do të dilnin fituesit  e komunave më të vogla me shumicë shqiptare. Analisti Selim Ibraimi vlerëson se gara për komunat shqiptare do të jetë e ngushtë dhe është e vështirë për tu paraparë fituesit, ndërsa për koalicioni pas rrethit të dytë në këto zgjedhje vlerëson se nuk ka asnjë të keqe nga koalicioni i partive shqiptare dhe ndarjen e tyre në dy tabore.

“Vështirë që të parashihen fituesit e bllokut shqiptarë në këto zgjedhje, rezultatet janë të ngushta. Numrat njëjtë, ndërsa dinamikat politike sforcojnë koalicione në nivel lokal, ndërsa fituesit do të dalin nga këto kombinime. Më këtë proces, ndarja e elektoratit shqiptarë në dy taborë është pozitive dhe jep energji pozitive në skenën politike. Nuk ka asgjë të keqe nga koalicionet parazgjedhore dhe pas zgjedhore”,tha Ibraimi.

Selim Ibraimi shton se nuk ka ndonjë formula specifik që të nxirren fituesit në këto zgjedhje, ndërsa mobilizimi partiak dhe oferta programore së bashku me koalicionet do të jenë faktor kyç të cilët të t’i përcaktojnë fituesit. Vet rrethi i dytë në zgjedhje në më shumë komuna shqiptare tregon se gara do të jetë e ngushtë.

Analisti  Bujar Plloshtani, vlerëson se koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa është lajmi shumë i mirë për qytetarët shqiptarë në Maqedoni, i cili do të duhej t’ju sjell fitore.

“Koalicioni në mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa në rrethin e dytë për komunat është ide e menduar mirë, për atë se qytetarët në masë të madhe e dëshiruan këtë. Nga ana tjetër, koalicioni mes LSDM-së dhe BDI-së duan që t’i mbajnë komunat nën kontroll. Mendoj se koalicioni në mes ASH-së dhe BESË-s do të sjellë më shumë mundësi për marrjen e komunave kundër koalicionit LSDM-BDI. Ky koalicion ASH-BESA duket së është favorit në shumë komuna, përfshirë Çairin, Tetovë, Gostivarin e kështu me radhë”, tha Plloshtani.

BDI UDHËHEQ NË 11 KOMUNA, PDSH DHE ALEANCA ME NGA NJË

Sipas rezultateve të KSHZ-së, ndërsa të publikuara edhe në analizën e Vërtetmatësit, BDI paraprinë në 11 komuna dhe do të luftojë në rrethin e dytë kundër kandidatëve te BESË-së, Aleancës për Shqiptarët dhe LSDM-së. Në Gostivar, Tetovë, Çair, Saraj, Tearcë, Likovë, Zhelinë, Dollnen, Dibër, Vrapçisht dhe Bogovinë paraprinë BDI. Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, kanë avantazh në dy komuna, në Strugë udhëheq Aleanca për Shqiptarët, përderisa PDSH ka përparësi në Studeniçan. Por, këto dallime dhe avantazhe të BDI-së në letër humbet nëse kombinohen votat e Besës dhe ASH nga rrethi i parë i zgjedhjeve, përsëri ngelett e panjohur sa vota mund të mblidhen në koalicionin e ri, duke pasur parasysh edhe “luftën” politike të deritanishme dhe koha e shkurtër për instalimin e një koalicioni të qëndrueshëm para qytetarëve.

Ndërsa roli të rëndësishëm në caktimin e fituesve në rrethin e dytë do të luaj edhe pozicionimi i PDSH-së dhe votat e vendbanimeve maqedonase në komunat me shumicë shqiptare. PDSH është gjithmonë edhe më e qartë se do të mbështet kandidatët e BDI-së ndërsa votat e VMRO-DPMNE-së në princip do të duhej që të shkonin në konto të opozitës, por ende nuk kanë qëndrim zyrtarë për mbështetjen e partive shqiptare në rrethin e dytë nga VMRO-DPMNE.

FUSHATË E QETË ME AKUZA TË NDËRSJELLA

Fushata parazgjedhore për dallim nga rrethi i patë nuk është fokusuar tërësisht në programin për çështje lokale, por në koalicionet strategjike dhe strategjive politike të partive dhe kandidatëve për kryetarë komunash. Të gjithë kandidatët të cilët humbën në zgjedhje nga radhët e Besës dhe ASH publikisht bënë thirrje te votuesit e tyre që të votojnë për koalicionin e ri dhe për kandidatët të cilat shkojnë në rrethin e dytë kundër kandidatëve të BDI-së. Ajo çka mund të shihet në fushatën parazgjedhore në rrethin e parë janë përdorimi i elementeve nacionale dhe akuzave politike që nuk ndërlidhen drejtpërdrejtë me zgjedhjet lokale . Fushata e Besës dhe Bilall Kasamir për Tetovë është përqendruar në bashkëpunimin mes Aleancës për Shqiptarët, dhe u promovua fushatë e përbashkët në të gjithë komunat ku do të votohen partitë e këtij koalicioni. Nga ana tjetër kandidati i BDI-së për Komunën e Tetovës, Teuta Arifi fushatën në rrethin e dytë e filloi me vizitë në Shqipëri dhe me takime me Presidentin Meta dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Velija. Koalicioni i ri Besa- ASH lëshuan akuza të drejtpërdrejta për kryeministrin Zaev për mbështetjen e tij për kandidatët e BDI-së, ndërsa akuza për koalicion interesi  joparimor erdhën nga BDI për koalicionin e ri BESA-ASH, ndërsa deklaratë  dha edhe ministri i MPB-së, Spasov, i cili në emisionin 360 shkallë në televizioni Alsat-M tha se koalicioni mes BESËS dhe ASH, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë i ndihmon VMRO-PDMNE-së.

Përsëri, sipas analistit Selimi fushata deri më tani ka qenë e qetë dhe partitë politikë i kanë përmbushur standardet minimale demokratike. Sipas tij, ka informacione për blerjen e votave por autoritet duhet t’i ndjekin këto raste të izoluara.

BURIMI: VERTETMATES.MK

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button