Të mbajmë qëndrim dhe marrim përgjegjësinë osë të zbrapsemi dhe ‘strukemi’ duke fajësuar tjerët

Në vazhdën e ndjenjës personale të përgjegjësisë intelektuale, edhe përkundër hamendjes time për të /mos/ u prononcuar në kuadër të fushatës aktuale politike, s’mund të mos e potencoj faktin se megjithatë mendimi personal duhet thënë patjetër, pa marrë parasysh keqinterpretimet dhe ‘hidhërimet’ eventuale, pasi pikërisht koha e zgjedhjeve është momenti i domosdoshmërisë së mbajtjes së qwndrimit dhe marrjes së përgjegjësisë mbi vete për zgjedhjen dhe delegimin e përfaqësuesve tanë në pushtetin lokal, edhe ashtu të cunguar për nga kompetencat financiare dhe politike.

Një dukuri tjetër për të cilën s’guxon të heshti asnjë intelektual është rrjedhja e votave shqiptare në llogarinë e partive të bashkëqytetarëve maqedonas. Megjithë respektin për marrjen e pushtetit nga opozita e deridjeshme -Lidhja  socialdemokrate e Maqedonisw, dhe risitë në qasjen qytetariste dhe regjionaliste që ajo i ofron, dhe për të cilën edhe u zotua në prag të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, më duhet ta potencoj faktin se për një periudhë kaq të shkurtër që është në pushtet, kjo parti nuk ka dhënë prova të mjaftueshme dhe të pakontestueshme për qasjen e saj të re qytetariste dhe progresiste.

Nëse në zgjedhjet e kaluara deri diku mund të arsyetohej nevoja e dhënies së ndihmesës kësaj partie, për inatin e partisë së mëparshme ekskluzivisht maqedonase dhe nacionaliste, e cila mbështetej në agjenda dhe oferta njënacionale dhe në dalldisjen naive të qytetarëve të painformuar, gjegjësisht në abuzimin e skajshëm të ndjenjave nacionaliste, tani situata është krejtësisht e ndryshme.

Tani më nuk ekziston rreziku që dikush t’u drejtohet votuesve maqedonas më fjalët: “m’i jepni votat që të mos më kushtëzojnë shqiptarët”, sepse edhe ajo parti që luante me këtë letër nacionaliste, e kuptoi gabimin e vet, dhe ky fjalor i papërgjegjshëm me përbuzje të ndjenjave naconale të bashkësisë tjetër më të madhe etnike iu kthye bumerang, dhe duket se ka nxjerrë mësime nga ky gabim, edhepse këtë e pranon në mwnyrë shumë timide.

Përkundrazi, nga një ekstrem u kalua në ekstremin tjetër paradoksal, ku tani kemi rastin që një parti maqedonase u bën haptas thirrje të ‘vetëve’ por edhe ‘shqiptarëve’, për cilin kandidat shqiptar të percaktohen! Kjo qasje e re e koalicioneve anakronike është një dukuri e re në skenën tonë politike, dhe në shikim të parë duket të jetë legjitime dhe politikisht e qëndrueshme, dhe së paku e mira e kësaj është, se solli deri në konsolidimin edhe të rradhëve në taborrin opozitar shqiptar, edhepse pakëz të vonuar, por gjithësesi të imponuar -si inercion dhe kundërreagim ndaj kësaj qasje të re internacionaliste.

Pa marrë parasysh tendencën e ardhjes në horizont të partive qytetare dhe multinacionale, jam i mendimit se ekzistenca e partive me baza etnike në nje shtet multietnik por me kushtetutë unitare do të vazhdojë të jetë e nevojshme, derisa të gjithë të pranojnë qw ta ndryshojmë karakterin dhe rregullimin e tillë shtetëror, sepse vetëm pas kësaj do të vijë koha të flitet për tema ekskluzivisht ekonomike dhe jo për të drejtat nacionale të bashkësive më të medha etnike në vend.

Deri atëherë, ia vlen të kemi besim në perfaqësuesit e partive etnike, dhe nëse jemi të zhgënjyer nga njëra, tashmë fatmirësisht kemi përzgjedhje më të madhe politike, dhe fundja mund të përcaktohemi për personalitete dhe për individë të rinj në skenën politike, të cilëve ia vlen t’u jepet shansi ta dëshmojnë veten me punën e tyre, në mënyrë që t’i vlerësojmë pastaj për sukseset e tyre të arritura në terren.

Fundja për këtë edhe ekzistojnë zgjedhjet, dhe shyqyr që i kemi herë pas here, që edhe Ne ta themi mendimin tonë, a meriton dikush ta shpërblejmë me dhënien e besimit dhe shansit apo jo?! Nëse këtë përgjegjësi nuk e marrim mbi vete dhe për këtë sot nuk mbajmë qëndrim, atëherë të mos ankohemi nesër se na e kanë fajin të tjerët për pavendosmërinë tonë! Më thjeshtë se kaq nuk mund të jetë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button