Xhaferi: Maqedonia pret që BE-ja ta vazhdojë politikën e dyerve të hapura

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi mori pjesë në Konferencën e tetë të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Budapest, në organizim të Asamblesë Nacionale Hungareze.

“Këto takimet tona tashmë bëhen traditë për të cilën jam i bindur se do të vazhdojë. Dua ta shfrytëzoj këtë rast dhe t’i falënderohem mikpritësit tonë, kolegut të respektuar Llasllo Kover, a nëpërmjet tij edhe Asamblesë Hungareze për vazhdimësinë e shfaqur në aktivitetin e tyre ndërkombëtar, respektivisht, diplomacinë parlamentare për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi se kjo është shenjë e politikës së jashtme parimore të Hungarisë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tyre në BE. Kjo është politikë e cila bazohet mbi përcaktimin e dyerve të hapura, gjegjësisht zgjerimin e familjes evropiane. Në këtë mënyrë, Hungaria, në mënyrë të hapur e manifeston një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet Evropa e bashkuar, dhe ky është parimi i solidaritetit”, theksoi Xhaferi.

Gjatë fjalimit të tij, siç njoftojnë nga kabineti i tij, Xhaferi theksoi se në Evropë, prej rënies së murit të Berlinit deri më sot, kanë ndodhur ndryshime të mëdha. U krijuan shtete të reja, sistemi i vjetër, njëpartiak, autoritar, u zëvendësua me demokraci parlamentare, ndërsa të gjitha shtetet e kësaj ane të të ashtuquajturës “perde të hekurt”, u përcaktuan për anëtarësim në BE. Respektivisht, ideja e baballarëve të Evropës së bashkuar, Shuman, Çerçill, Mone dhe të tjerë, shumë shpejt e “konkurroi” Evropën Qendrore dhe Juglindore.

“Sa i takon shteteve të rajonit tonë, edhe pse kaluam nëpër një periudhe turbulente dhe tragjike, mendoj se e mësuam leksionin historik dhe se të gjithë u përcaktuam për anëtarësim të plotfuqishëm në BE. Me këtë rast, të vetëdijshëm se arritja e këtij qëllimi, prej nesh kërkon përmbushje të të gjitha obligimeve të duhura, të popullarizuara si detyra shtëpiake për ne, për qytetarët tanë, a në të njëjtën kohë, nëpërmjet bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me fqinjët dhe më gjerë, të kontribuojmë në përforcimin e paqes dhe stabilitetit dhe me këtë, edhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”,  theksoi Xhaferi.

Republika e Maqedonisë, e cila udhës, e para e nënshkroi Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim, është shtet kandidat për anëtarësim në BE qysh në vitin 2005, mirëpo, për shkak të arsyeve besoj të ditura për të gjithë të pranishmit këtu, akoma nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim në BE, edhe pse, deri tani, nga ana e Komisionit të Bashkimit Evropian kemi pranuar tetë rekomandime për fillimin e negociatave.

“Republika e Maqedonisë, pothuajse dy vite jetonte në një krizë politike gjysmë latente dhe afrimi ynë kah BE ishte, të jem i sinqertë, në letargji. Me këtë, mendoj për zbatimin e reformave të brendshme dhe dinamikën e zgjidhjes së kontesteve. Çështja e hapur me fqinjin tonë jugor, sa do që të jetë çështje emotive për qytetarët tanë, përsëri, qëndron në rrugën tonë kah arritja e përcaktimeve tona strategjike dhen duhet sa më shpejtë të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Sot, pa modesti të rrejshme, ju njoftoj se qeveria aktuale e porsazgjedhur, përbërja e re parlamentare, si edhe të gjitha institucionet shtetërore, punojnë me seriozitet në drejtim të kthimit dhe ecjes së shëndoshë në rrugën e integrimit të tërësishëm në BE dhe NATO. Me këtë rast, për ne, gjëja më e rëndësishme është se kjo politikë ka përkrahje të gjerë nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, dhe kjo u vërtetua edhe në zgjedhjet e paradokohshme lokale”, theksoi Xhaferi gjatë fjalimit të tij.

Në planin e brendshëm, Qeveria miratoi një plan të veçantë, të ashtuquajtur Plan 3-6 9, në të cilin në mënyrë të qyrtë janë vendosur detyrat që duhet të përmbushen, a është përcaktuar edhe dinamika e përmbushjes.

“Parlamenti në këtë periudhë mandatare dhe unë si kryetar i Parlamentit, vendosëm disa rregulla dhe parametra të qartë të cilët janë në funksion të fillimit më të shpejtë të negociatave me Brukselin. U përcaktuam dhe punojmë në drejtim të realizimit të transparencës së tërësishme në punën e parlamentit. Më tutje, punojmë me seriozitet në përforcimin e funksionit mbikëqyrës të parlamentit mbi pushtetin ekzekutiv”, theksoi Xhaferi.

Gjithashtu, u përcaktuam për vendosjen e bashkëpunimit të vërtetë me sektorin joqeveritar dhe me ekspertët, në procesin e nxjerrjes së ligjeve dhe zbatimin e reformave të duhura.

“Mendoj se kjo është mënyra e vërtetë për nxjerrjen e ligjeve më cilësore dhe për zbatimin e reformave më thelbësore, të cilat në të njëjtën kohë do të jenë shumë më afër qytetarëve a gjithsesi do të jenë në dobi të tyre. Në planin e jashtëm, dua veçanërisht të theksoj dy çështje. Para do kohe, nënshkruam me Bullgarinë Marrëveshje ndërshtetërore për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Kjo është një marrëveshje me të cilën, jo vetëm që janë tejkaluar ca antagonizma historike por, hapen mundësi për ndërtimin e marrëdhënieve shumë më intensive në të gjitha sferat, siç është politika, siguria, ekonomia, kultura dhe të tjera. E gjithë kjo bazohet mbi parimet të cilat janë karakteristike për marrëdhëniet e shteteve brenda në BE. Gjithashtu, punët me fqinjin tonë jugor lëvizin në kahe pozitive, nëse merret parasysh se për vetëm disa muaj kishte dy takime të ministrave të Punëve të Jashtme të të dy vendeve, njëri në Atenë, tjetri në Shkup. Kjo flet se janë vendosur themelet për ndërtimin e besimit të ndërsjellë. Sinqerisht, këtu presim rol më aktiv, si të Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet ndërmjetësuesit Nimic, ashtu edhe të Brukselit dhe të institucioneve të tij”, theksoi Xhaferi.

Me shtetet tjera në rajon kemi vendosur marrëdhënie lartë të zhvilluara, të cilat nënkuptojë jo vetëm bilaterale të mirë në të gjitha fushat, por edhe kontribut për paqen dhe për stabilitetin e tërë rajonit dhe të perspektivës së tij evropiane.

Megjithatë, të gjithë ne me shumë seriozitet i përcjellim ngjarjet në Evropë. Megjithatë, pa dallim nga zhvillimi i ngjarjeve në Evropë, qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nga përcaktimi i tyre politik, etnik ose fetar, besojnë në idenë e Shumanit, Çerçillit, Mones, Adenaurit dhe politikanëve tjerë evropianë të cilët e krijuan dhe e zhvillojnë Bashkimin Evropian.

“Gjithashtu, besoj se mendimi publik edhe në shtetet tjera në rajon është dominues proevropian. Gjithsesi se kjo për ne politikanët është inkurajim dhe obligim që ti kryejmë detyrat e shtëpisë në të gjitha fushat. Kjo nënkupton funksionim të tërësishëm të shtetit juridik dhe sundim të të drejtës, respektim konsekuent dhe realizim i të drejtave dhe lirive njerëzore individuale dhe kolektive, funksionim të tërësishëm të demokracisë parlamentare, deri në funksionimin ligjeve të tregut. Në anën tjetër, presim që BE ta vazhdojë politikën e dyerve të hapura, jo vetëm në mënyrë deklarative, por përmes mekanizmave të veta me të cilat proceset e integrimit do të intensifikohen”, theksoi Xhaferi.

Mendoj se Hungaria është shembull i mirë, tha ai, për atë se si e lartpërmendura realizohet në praktikë. Respektivisht, integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor gjithsesi është përcaktimi ynë i përbashkët strategjik dhe është në dobi të qytetarëve, mirëpo, në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian pa Ballkanin Perëndimor, nuk do të jetë ajo për të cilën flisnin baballarët e Evropës së bashkuar ose siç thuhet, tërë është kur i ka të gjithë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button