Qëndrimi amerikan për çështjen ‘Tahiri’: Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin” dhe “jo dënime si në komunizëm”, ishin dy mesazhet e forta që zyrtarë të lartë amerikanë përcollën për politikën shqiptare.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hojt Brajan Ji shprehu qartë mbështetjen e SHBA-së ndaj qeverisë shqiptare të drejtuar nga kryeministri Rama lidhur me reformat e ndërmarra në vend, veçanërisht ndaj reformës në drejtësi, ndërsa komentoi edhe çështjen ‘Tahiri’.

Ji ishte shumë i qartë në mesazhin e përcjellë ndaj politikës shqiptare se “ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji”.

Duke shprehur mbështetje të plotë ndaj prokurorëve dhe dhe gjykatësve që të ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës, zyrtari i lartë i deklaroi se “nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.

“Ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”, është shprehur në intervisën për Zërin e Amerikës, Hojt Brajan Jee.

Ai vlerësoi me tone pozitive përparimin e arritur nga Shqipëria dhe evidentoi faktin se SHBA do vazhdojnë mbështetjen për zbatimin e reformave në vend, si një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në të njëjtën linjë ishte edhe qëndrimi i diplomatit amerikan në Shqipëri, Donald Lu për çështjen e deputetit Saimir Tahiri, për të cilin prokuroria kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim, transmeton ATSH.

“Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar. Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim”, u shpreh Lu në një aktivitet me të rinjtë shqiptarë.

Ambasadori amerikan theksoi se “nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj dhe ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën. E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë”.

Lu kërkoi prej të rinjve shqiptarë si pjesë e elektoratit të cilët kanë votuar dhe i kanë dhënë besimin Tahirit si anëtar të Kuvendit dhe si ish ministër i lartë i kabinetit qeveritar që të kërkojnë publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje.

“Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, deklaroi ambasadori amerikan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button