Pacolli: Turqia mbështet Kosovën në çdo fushë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se Turqia mbështet Kosovën në çdo fushë dhe se Kosova është e lumtur për aktivitetet e investitorëve dhe afaristëve turq në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pacolli, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Turqi, duke folur në konferencë për media pas takimit me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, theksoi se Turqia është një nga shtetet e para që ka njohur Kosovën si shtet i ri dhe se Kosova ka nevojë për ndihmat e Turqisë për sa i përket zhvillimit.

“Turqia është një shtet që ka përcjellë Kosovën që nga ditët e para e lindjes si shtet i ri, një shtet që ka pasur nevojë shumë për ndihmë dhe mbështetje, aty ishte Turqia në mes të shteteve të para, e cila dha mbështetjen e duhur dhe këtë mbështetje vazhdon ta japë edhe sot në të gjitha fushat, jo vetëm në logjistikë dhe diplomaci, por edhe në rrafshin ekonomisë, arsimit, kulturës dhe të ngritjes së përgjithshme të vetëdijes së qytetarëve tanë”, theksoi Pacolli.

Pacolli po ashtu tha se krahas aktiviteteve të afaristëve dhe investitorëve turq, janë të njohur edhe me produktet turke në Kosovë. Ai theksoi se meqë dy shtetet kanë besim të përbashkët, populli kosovar i njeh produktet turke dhe i përdor me shpeshtësi, duke shtuar se produktet turke mund të zënë vend më të madh në mesin e mallrave që importon Kosova.

Shefi i diplomacisë kosovare Pacolli uroi vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Kosova ndihet më e fortë, më krenare dhe më e nderuar kur ka pranë Turqinë”, theksoi Pacolli.

Ai nënvizoi se Kosova si shtet i ri ka nevojë për ndihmë dhe zhvillim në çdo fushë, duke shtuar se Turqia po ashtu mund ta ndihmojë Kosovën në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike edhe me shtetet e tjera.

Ministri i Jashtëm Pacolli tha se Kosova ka ardhur në fazën e fundit për sa i përket dialogut me Serbinë dhe se duan që ta kurorëzojnë me paqe këtë proces, siç e quajti ai, të vështirë. Ai theksoi se Turqia mund të ketë efekt edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pacolli kërkoi ndihmë edhe nga Turqia për heqjen e pengesës nga ana e Serbisë për përdorimin e linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Ai rikujtoi se mes Kosovës dhe Turqisë ekzistojnë 46 marrëveshje të nënshkruara, duke theksuar nevojën për “kreativitet” në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Pacolli shprehu mirënjohje për trajtimin e shtetasve kosovarë në Turqi dhe ofrimin e arsimit për studentët nga Kosova.

“Një falënderim për popullin e Turqisë. Ta dini se Kosova është aty, e hapur gjithmonë me dyert e saj, me duart e saj, me zemrën e saj, gjithmonë për miqtë e vet, gjithmonë për popullin vlla turk”, theksoi Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button