Parametrat kyç për fitore në rundin e dytë

Ashtu siç pritej rrethi i parë i zgjedhjeve lokale tek shqiptarët vetëmsa përcaktoi pozitat fillestare dhe la gjithçka për t’u zgjidhur në rundin e dytë. Në rundin e parë gara mori epilog vetëm në tre komuna shqiptare: BDI ruajti Kërçovën dhe Plasnicën, ndërsa humbi Haraçinën. Në rundin e dytë ajo garon pothuajse në të gjitha komunat tjera me mbështetje të SDSM, ndërsa risi e rrethit të dytë është formimi i bllokut shqiptar Aleanca me Besë, si alternativë e bllokut të parë. Pikërisht këta koalicione do të përplasen çdokund mes veti, me përjashtim të Studeniçanit ku Besa do të ndeshet me PDSH-në.

Numri i parë i rëndësishëm që duhet patur parasysh për rrethin e dytë është 15.200 vota. Kjo është epërsia e koalicionit shqiptar Aleanca me Besë mbi koalicionin BDI-SDSM në komunat ku rivotohet. Pra duke përjashtuar Haraçinën, Plasnicën dhe Kërçovën, ku gara ka mbaruar në rrethin e parë, koalicioni shqiptar Aleanca me Besë kishte 97.000 vota në rrethin e parë, ndërsa BDI-SDSM 82.000 vota.

Koalicioni shqiptar Aleanca me Besë pra hyn me avantazh në rundin e dytë, por gjithsesi janë një numër faktorësh që do të përcaktojnë fituesit. Me peshë të ndryshme në komuna të ndryshme, këto janë:

Raportet Aleanca-Besa. Unifikim total nuk mund të ketë as brenda një partie, lere më mes dy subjekteve. Prandaj parametri kyç është përqindja e mbështetjes mes këtyre dy partive. Nëse 90% e votuesve të tyre përkrahin me automatizëm koalicionin, kjo është shifër e kënaqshme për koalicionin; gjithçka mbi këtë shifër është e jashtëzakonshme.

Motivimi i SDSM. Megjithëse në koalicion me BDI, është fakt që SDSM ka kryer punë për vete që në rrethin e parë. Ky fakt shtron dilemën sa votuesit e SDSM do të jenë të motivuar të dalin përsëri në zgjedhje për të përkrahur BDI-në. BDI-së do t’i duhen të gjithë nga rrethi i parë, madje edhe më tepër, përndryshe mund t’a ketë punën pisk.

Apatia e VMRO. Pyetja tjetër është motivimi i votuesve të VMRO të dalin në zgjedhje në komunat urbane shqiptare, pas debaklit që pësuan në nivel nacional. Nëse rrijnë anash, kjo shkon në favor të koalicionit shqiptar Aleanca me Besë; nëse dalin, votuesit e VMRO mund të jenë përcaktues për cilëndo palë që duan të mbështesin.

PDSH. Në disa komuna, sidomos në Tetovë, votat e PDSH janë kyçe. Nëse tregohen konzistentë në kundërshtinë ndaj BDI, ata rritin epërsinë e koalicionit shqiptar në 30.000 vota që në start; përkundrazi nëse PDSH koalicionon me BDI është pikëpyetje sa përqind e votuesve të saj do t’a ndjekin kryesinë në këtë hap.

Dalja. Rundi i parë u karakterizua me dalje të ulët te shqiptarët. Nëse dalja bie edhe më tej, kjo shkon në favor të BDI-SDSM; nëse në rundin e dytë ruhet niveli i njëjtë ose dalin edhe më tepër votues, atëherë kjo shkon në favor të koalicionit shqiptar Aleanca me Besë.

Me këto parametra në krye, le të shikojmë pasqyrën në katër komunat e mëdha urbane shqiptare duke nisur nga veriu: Çairi, Tetova, Gostivari dhe Struga.

Çairi. Në rundin e parë Visar Ganiu nga koalicioni BDI-SDSM pati epërsi prej 1.658 votash ndaj Zeqirija Ibrahimit të Besës:

BDI 11.860
Besa 10.202
Aleanca 2.327
PDSH 769
VMRO 3.441
NDM 244
Epërsia e BDI 1.658
Vota të lira 6.781

Nëse votuesit e njëjtë të SDSM mbështesin Ganiun, ndërsa 90% e Aleancës mbështesin Ibrahimin, atëherë Ibrahimi kalon në avantazh prej 400 votash. Pra kalkulimi preliminar në Çair është në favor të Ibrahimit, por është e vështirë të thuhet se ç‘mund të ndodhë më tej. Nëse atë e mbështesin edhe votuesit e PDSH atëherë diferenca bëhet edhe më e dukshme. Në fund përcaktuese do të jetë VMRO. Nëse VMRO rrin në shtëpi, fitues është Ibrahimi; nëse VMRO del në zgjedhje fitues është ai që do të merr mbështetjen e saj.

Tetova. Në rundin e parë Teuta Arifi e BDI, me mbështetje nga SDSM, krijoi avantazh të dukshëm prej 4.500 votash:

BDI 13,265
Besa 8,767
Aleanca 4,874
PDSH 4,568
VMRO 6,459
Epërsia e BDI 4,498
Vota të lira 15,901

Mirëpo në Tetovë gara sapo ka filluar. Problemi më i madh i Teuta Arifit janë numri i madh i 16.000 votave të lira dhe dilema që duhet t’a mundojë atë është ku do të gjejë vota të reja. Nëse Kasami merr 90% të votave të Aleancës rezultati veçmë barazohet.

Më pas faktor kyç mbesin votuesit e PDSH dhe VMRO. Nëse këta rrijnë në shtëpi gara do të jetë tejet e ngushtë. Nëse në zgjedhje dalin votuesit e PDSH, është vështirë të supozohet se mund të votojnë Arifin, pa marrë parasysh direktivat partiake. Në këtë rast, pra nëse dalin votuesit e PDSH, përparësia është e Kasamit. Ndërsa nëse në garë kyçen votuesit e VMRO, atëherë ata përmbysin gjithçka dhe fitues do të jetë kandidati që do të përkrahë VMRO-ja.

Gostivari. BDI ka rreth 500 vota epërsi, por në realitet Nevzat Bejta i ka punët pisk:

BDI 12,095
Aleanca 11,600
Besa 3,104
PDSH 703
VMRO 3,543
RDK 1,556
SDPM 208
Epërsia e BDI 495
Vota të lira 9,114

Problem i tij kryesor, njëlloj si Teuta Arifi, janë numri i madh i votave të lira dhe ai ka po të njëjtën dilemë: ku do t’i shtojë votat? Me 90% të Besës, Taravari kalon në epërsi të dukshme prej 2.500 votash, që nuk mund t’a mbulojë askush përveç VMRO-së. Në këtë aspekt Bejta është në pozicion shumë më të keq se Arifi, e cila të paktën mund të bëjë kalkulime me PDSH-në. Ndërsa Bejta është plotësisht i zënë në kënd dhe do detyrohet të kërkojë ndihmë nga VMRO.

Pra në Gostivar avantazh të dukshëm ka Taravari. Nëse VMRO qëndron në shtëpi, Taravari fiton lehtë. Nëse atë e përkrah edhe VMRO-ja, atëherë Bejta do të deklasohet; ndërsa nëse VMRO ndihmon Bejtën, përparësia e tij do të jetë e vogël dhe ai prapë nuk mund të jetë i sigurtë. Në përgjithësi Bejta i ka punët më keq se çdo kandidat tjetër i BDI në rundin e dytë.

Struga. Në mejdanin e kërkuar Ziadin Sela mposhti bindshëm Merkon dhe Ali Ahmetin:

Aleanca 9,289
BDI 7,916
Besa 1,060
PDSH 53
VMRO 4,149
SDSM 7,140
NDM 177
Epërsia e Aleancës 1,373
Vota të lira 12,579

Nga të gjithë qytetet Struga mbetet e veçantë. Nga njëra anë koalicioni shqiptar Aleanca me Besë që në fillim ka ndërtuar epërsi prej rreth 2.500 votash për Ziadin Selën. Nga ana tjetër ky ishte i vetmi qytet i madh ky SDSM kishte kandidatin e vet, e që tani premton se do të ndihmojë Merkon. Është e qartë se nëse SDSM del dhe voton ushtarakisht për Merkon, ai ka avantazh të dukshëm dhe mund të mposhtet vetëm me mobilizim të madh të koalicionit shqiptar.

Por këtu menjëherë lindin një mori dilemash, specifike për Strugën. Pikë së pari Ziadin Sela ishte figura kyçe dhe viktima më e madhe e mposhtjes së regjimit të VMRO, gjë që një pjesë e struganëve të SDSM mund të mos e kenë harruar poaq shpejt sa lidershipi i tyre. E dyta, Aleanca ka qenë në koalicion me SDSM në nivel lokal, edhe atëherë kur SDSM ishte opozitë çdokund tjetër; përsëri një fakt që një pjesë e struganëve mund të mos e kishin harruar. Dhe e treta, te 7.140 votat për kandidatin e SDSM në rrethin e parë ka një numër të madh votuesish të VMRO, që nuk kanë votuar për kandidatin torbesh të partisë së tyre, por që nuk do të thotë se tani do të dëgjojnë direktivat e SDSM.

Në përgjithësi, ndryshe nga qytetet tjera, fati i Strugës është në duar të SDSM. Pa të Sela del fitues i pastër; me të përparësia është në anën e Merkos. Sido që të jetë, edhe nëse Merko fiton me mbështetjen e SDSM, kjo do të jetë fitore e Pirros. Nga memorja e shqiptarëve asnjëherë nuk do të shlyhet fakti që Sela fitoi mejdanin shqiptar dhe se BDI u desh të thërasë në ndihmë SDSM-në për t’a mposhtur atë. Kështu paradoksalisht humbja mund të jetë politikisht edhe më profitabile për Selën: ai automatikisht do të shndërrohet në figurë emblematike të shqiptarëve si politikan që partitë maqedonase duan t’a eliminojnë me çdo kusht nga skena.

Komunat tjera. Si përmbledhje mund të themi se nga katër qendrat urbane koalicioni shqiptar Aleanca me Besë është në përparësi të dukshme në Gostivar dhe diçka më pak në Çair. Në Tetovë dhe Strugë gara është tejet më fluide dhe e paparashikueshme për shkak të shumë parametrave tjerë të panjohur, sidomos sjelljes së VMRO dhe SDSM.

Ndërsa sa ju përket 10 komunave tjera shqiptare, BDI është në avantazh të dukshëm dhe favorite për fitore në Likovë dhe Saraj, PDSH në Studeniçan dhe koalicioni shqiptar Aleanca me Besë në pesë komuna tjera. Në Bërvenicë dhe Dollnen gara bëhet ndërmjet një kandidati shqiptar dhe SDSM-së. Këtu pritet mobilizim i shqiptarëve nga njëra anë, ndërsa tek blloku maqedonas varet nga niveli i mbështetjes së ndërsjellë i koalicionit VMRO-SDSM.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button