Pacolli – Dimitrov: Seanca qeveritare e përbashkët Maqedoni-Kosovë në fillim të 2018-s (VIDEO)

Vazhdës së realizimit të seancave të përbashkëta ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë do t’i paraprijë edhe Qeveria e Kosovës. Kështu bënë të ditur, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli në konferencën e përbashkët që u mbajt sot në Shkup, raporton Portalb.mk.

“U dakorduam që të mbajmë edhe seanca të përbashkëta qeveritare, kemi 19 marrëveshje bilaterale mes veti, por ka edhe shumë iniciativa nga ana jonë, rreth 20.  Dy ministritë paraprakisht do të mbajnë konsultime ku do të përfshihen edhe ekspertë nga ministritë tjera resore që të përgatisin pikat e rendit të ditës para se të mbahet seanca e përbashkët qeveritare. Seanca e parë qeveritare do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Dimitrov.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli, duke u pajtuar me deklaratën e homologut të tij, tha se marrëdhëniet e mira të Kosovës me Maqedoninë janë në interes të rrugëtimit evropian të Kosovës.

“Maqedonia ka një gatishmëri për bashkëpunim me Kosovën dhe unë besoj se ky takim do t’i kontribuojë marrëdhënies dy palëshe mes Maqedonisë dhe Kosovës. Maqedonia është një shtet i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Kosovës, i rëndësishëm në shoqërimin e Kosovës në rrugëtimin e saj evropian si shtet i ri, për sigurinë e saj”, tha Pacolli.

Ata kanë diskutuar gjithashtu edhe për përfshirjen e ministrive tjera që qarkullimi i mallrave të bëhet duke mos u ndalur fare në pika doganore kurse njerëzit të qarkullojnë pa letërnjoftime.

“Unë fola me Dimitrovin që në këtë bashkëpunim ndërfqinjësor të përfshihen edhe Ministritë tjera që qarkullimi i mallrave dhe njerëzve të jetë më i lirë se sa që është tash për tash.  Qarkullimi i njerëzve dhe mallrave duhet të jetë edhe më i lirë për krijimin e një zone të lirë ekonomike në mes Maqedonisë dhe Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë si ndërmarrësve por edhe buxhetit të të dyja shteteve, krijimi i doganimit të mallrave vetëm në një vend. Kjo bëhet që edhe mallrat që hyjnë nga Kosova për në drejtim të Maqedonisë, apo anasjelltas të kalojnë lirshëm dhe mos të ndalen fare në kufi”, tha Pacolli.

Zhvillimi i bashkëpunimit Maqedoni-Kosovë bëhet që të krijohen mundësi të  reja të zhvillimit ekonomik sepse sipas Pacollit, “rritja e standardit jetësor e ngrit nivelin e vetëdijes së njerëzve. Ngritja e vetëdijes së njerëzve rrit edhe vetëdijen për zhvillim” dhe në këtë drejtim “lëvizja e dy shteteve të bëhet pa letërnjoftim fare”.

Dimitrov dhe Pacolli bashkërish vlerësuan se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore do të jenë pikënisje për zhvillim ekonomik dhe social të shteteve tona por edhe rajonit në përgjithësi.

“Sa do të sillemi ne në mënyrë evropiane aq më shumë do ta shfrytëzojmë këtë gjasë që të zhvillohemi si shteti”, tha Dimitrov

Pacolli më vonë u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

LEXO MË SHUMË: 

*******************************************************************************************

08.30 – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, sot qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoni, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të institucioneve të këtij vendi.

Në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Maqedoni, kreu i diplomacisë së Kosovës do të takohet fillimisht me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, kryeministrin Zoran Zaev dhe kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.

Takimi i parë do të mbahet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë me fillim në ora 9:20. Pas këtij takimi të dy ministrat e Jashtëm do të mbajnë edhe një konferencë për shtyp në orën 10:50.

Takimi me kryeministrin Zaev do të mbahet në ambientet e Qeverisë me fillim nga ora 11:00, ndërsa ai me kryetarin e Kuvendit, Xhaferi, me fillim nga ora 11:45 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button