E mërkura e derbive të vogla të Ligës së Parë të Maqedonisë (FOTO)

E mërkura në vendin tonë do të sjellë ndeshjet e xhiros së 12-të në Ligën e Parë të Maqedonisë, ku priten edhe duele mjaft interesante, pasi të gjitha ekipet janë në kërkim të pikëve. Në bazë të renditjes tabele vëmendja kryesore pritet të jetë në Strumicë, ku lideri aktual Shkëndija do të përballet me ekipin që po vazhdon të befasojë, Akademija Pandev.

“Duke llogaritur ambiciet tona matematika është shumë thjeshtë. Ne na interesojnë vetëm tri pikët pa marrë parasysh kundërshtarin që kemi përballë. E qartë se nuk ka ndeshje të lehtë, posaçërisht pasi kundër ne të gjithë janë dyfish të motivuar. Por kjo na bën më të fortë dhe besoj të tregojmë karakter në çdo ndeshje të radhës duke filluar nga kjo me Akademia Pandevin, ka thënë kapiteni Ferhan Hasani.
Padyshim se mjaft interesante pritet të jetë edhe ndeshja në Çair, ku Shkupi kërkon rikthim pas tri disfatave radhazi, kur mysafire do të jetë Pobeda e Prilepit.

Edis Maliqi - FC Shkupi
Edis Maliqi – FC Shkupi

“Me Pobedën na pret një ndeshje mjaftë e rëndësishme, prandaj duhet të japim maksimumin që tre pikët të mbesin në Çair. Me ndihmën e publikut tonë “Shvercerat” do ta kemi më lehtë, dhe me këtë fitore do të hyjmë më lehtë në ndeshjet tjera, qëllimi është që të jemi sa më lartë në renditjen tabelore”, deklaroi Edis Maliqi i FC Shkupit.

Edhe Renova luan ndeshje të vështirë, por që do të duhet të fitojë ekipit më të dobët të Ligës, “Skopjen”, për të ikur nga pozita e rrezikut në renditje.
“Ndaj “Skopjes” patjetër duhet ta fitojmë. Nuk nënçmojnë kundërshtarin, por kemi shumë nevojë për pikët e plota. “Skopje” nuk mposhtet lehtë, por ne nuk kemi alternativ tjetër përveç fitores”, tha kapiteni i Renovës Fisnik Nuhiu.

Fisnik Nuhiu - KF Renova
Fisnik Nuhiu – KF Renova

Nxehtë do të jetë edhe në kryeqendër, ku kampioni aktual Vardari e pret skuadrën e Rabotniçkit.
Takimet e xhiros së 12-të: Ak. Pandev – Shkëndija, Vardari – Rabotniçki, Shkupi – Pobeda, Renova – “Skopje” dhe Pelisteri – Sileksi. Të gjitha ndeshjet e së mërkurës do fillojnë në ora 14:30 minuta. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button