Thaçi merr mirënjohje nga Aleanca Ungjillore Botërore për promovim të harmonisë fetare

Presidenti i Republikës së Kosovës, priti në takim Peshkopin Efraim M. Tendero, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Ungjillore Botërore, pastor Driton Krasniqin, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe pastorin Fehmi Cakolli, drejtor i shënimit të 500 vjetorit të reformacionit protestant në Kosovë, njofton Portalb.mk.

Peshkopi Tendero po qëndron në Kosovë me ftesë të Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës për të marrë pjesë në Javën e Reformacionit që mbahet për të shënuar 500 vjetorin e reformacionit protestant.

Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për vizitën, duke shtuar se ndjehet i nderuar që ky përvjetor po shënohet në Kosovë, si dhe duke e cilësuar këtë si mirënjohje për tërë Kosovën.

“Kjo është mirënjohje për Kosovën. Kosova e meriton një mirënjohje të tillë sepse është vend që promovon dialogun, tolerancën, bashkëjetesën dhe paqen”, theksoi presidenti Thaçi.

Duke folur për zhvillimin e dialogut ndërmjet feve, presidenti Thaçi kujtoi se “çdo vit organizojmë konferencën INTER-FAITH që bën bashkë liderë fetarë, politikanë, akademikë, nga e tërë bota”.

I pari i vendit foli edhe për promovimin e dialogut në mes të komuniteteve etnike.

“Kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën e Pajtim që do të mbyllë kapitullin e luftës dhe të hapë kapitullin e paqes së qëndrueshme në mes të popujve në Kosovë. Por, e promovojmë edhe dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, si alternativë e vetme për paqen e qëndrueshme në rajon” shtoi presidenti Thaçi.

Peshkopi Tendero shprehu mirënjohje për Presidentin Thaçi për përkrahjen për liritë fetare në Kosovë dhe për promovimin e harmonisë fetare në mes grupeve të ndryshme religjioze.

Peshkopi Tendero i dorëzoi Presidentit Thaçi një pllakate mirënjohjeje në emër të Aleancës Ungjillore Botërore si dhe librat e botuar nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

Presidenti Thaçi u shpreh se toleranca dhe bashkëjetesa janë themele të shoqërisë kosovare dhe se shteti i Kosovës do të mbrojë dhe promovojë këto vlera kudo në botë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button