SHBA uron Kosovën për rundin e parë të zgjedhjeve lokale

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara e uron Kosovën për kompletimin e suksesshëm të rundit të parë të zgjedhjeve komunale”, theksohet në deklaratën e Ambasadës amerikane të postuar sot në rrjetin Twitter, trasmeton REL.

Ambasada amerikane, mëtutje “e uron Komisionin Qendror Zgjedhor, komisionarët në vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet monitoruese për punën e tyre të madhe”.

Megjithatë, derisa Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë thotë se “jemi të shqetësuar nga disa raporte për regjistra të vjetruara të votuesve, votim të dyfishtë dhe parregullsi të tjera sporadike, ne shpresojmë se disa prej këtyre çështjeve do të shqyrtohen para rundit të ardhshëm të votimit komunal në nëntor”.

Në deklaratën e ambasadës amerikane theksohet se “dalja më e madhe e votuesve dhe procedurat e lehta zgjedhore në pjesën më të madhe të vendit, janë shenja pozitive për demokracinë në Kosovë” dhe se kjo ambasadë “do ta vazhdojë mbështetjen për institucionet e Kosovës, derisa ato përgatiten me të shpejtë për rundin tjetër të votimit dhe shqyrtimin e raporteve për parregullsi dhe shkelje” në rundin e parë.

Në deklaratën e postuar në rrjetin Twitter, po ashtu theksohet se Ambasada e SHBA-ve shpreson se “zyrtarët komunalë, që tashmë janë zgjedhur, do të përkushtohen për ndryshim pozitiv, në emër të të gjithë votuesve të tyre, që do ta lëvizë Kosovën përpara në rrugën e integrimit të plotë evro-atlantik”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button